Stimulimi i zhvillimit socio-emocional: 24-36 muajsh

"Fëmija shfaq gjithnjë e më shumë interes për aktivitete të përbashkëta me fëmijë të tjerë. Lojërat bëhen më komplekse dhe më të larmishme. Lojërat me imagjinatë dhe lojërat me role inkurajojnë më shumë zhvillimin e të menduarit, gjuhës, marrëdhënieve me të tjerët dhe identitetit personal. Ndjenjat bëhen më komplekse."
Body

Rëndësia e lojës me moshatarët

  • Fëmija tani luan më shumë me moshatarët. Konfliktet dhe zhgënjimet e herëpashershme janë të pashmangshme. Përmes përvojës, fëmija bëhet më i/e mirë në njohjen dhe përafrimin e nevojave personale me nevojat e të tjerëve. Aftësia për të treguar ndjeshmëri - për të vërejtur dhe pranuar ndjenjat e të tjerëve - rritet.
  • Krijoni mundësi për kontakt me fëmijë të tjerë. Kopshti, hapësirat e lojërave, parqet, si dhe vizitat në familje të tjera me fëmijë të vegjël, janë ngjarje të rëndësishme në jetën e fëmijës suaj.
  • Nëse fëmija juaj është më i/e ndrojtur, jini inkurajues, por i durueshëm. Mos e detyroni, jepini fëmijës kohë për ta tejkaluar.
  • Nëse fëmija juaj është më i/e shqetësuar dhe jo mjaft i/e kujdesshëm/e, i qëndroni afër dhe reagoni kur është e nevojshme ose kur e kërkon fëmija juaj. Jepni udhëzime të qarta në vazhdimësi.

Pavarësia

  • Inkurajimi i pavarësisë ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e personalitetit të fëmijës suaj. Veprimet e suksesshme të pavarura krijojnë një ndjenjë kënaqësie dhe krenarie. Ju jeni aty për ta udhëzuar, ndihmuar dhe lavdëruar.
  • Përdorni aktivitete të përditshme për ta inkurajuar fëmijën tuaj që të jetë më i/e pavarur. Mbajtja e higjienës personale, ushqimi dhe veshja janë mundësi ideale për këtë.
  • Jepini fëmijës tuaj një mundësi për të bërë diçka për ju, për t'ju sjellë diçka. Tregoni sa e rëndësishme është kjo për ju dhe lavdëroni fëmijën që është në gjendje ta bëjë atë.
  • Njihni dhe mbështetni përpjekjet e fëmijëve, edhe kur ata/ato dështojnë. Fëmija nuk do të dorëzohet, dhe herën tjetër do të jetë më lehtë.

Bashkëpunimi
 

  • Fëmija është gjithnjë e më i/e vetëdijshëm/e për dëshirat e tij/saj. Ai/ajo mund të jetë këmbëngulës/e në arritjen e asaj që dëshiron dhe në të njëjtën kohë të tregojë ndjenja të ndryshme negative dhe sjellje të padëshirueshme. Ju mund të ndiheni të pafuqishëm ose të zemëruar për këtë. Dijeni që fëmija juaj ndihet në të njëjtën mënyrë.
  • Dëgjoni atë që fëmija dëshiron t'ju thotë. Tregoni mirëkuptim për dëshirat e fëmijës suaj. Shpjegoni se çfarë lejohet dhe çfarë jo. Lavdërojeni fëmijën kur ai/ajo tregon gatishmëri për të bashkëpunuar. Ju mund të ofroni diçka tjetër që fëmija pëlqen si shpërblim.
  • Tregojini fëmijës që e dini se si ndihet, emërtoni ndjenjën që ju shihni tek fëmija dhe shpjegoni pse dëshira nuk mund të plotësohet.
  • Mos komentoni negativisht ose mos u zemëroni me fëmijën. Tregoni mirëkuptim dhe qetësi. Jepni shpjegime të shkurtra, të qarta dhe në vazhdimësi. Vetëkontrolli juaj dhe rregullat e qarta i ndihmojnë shumë fëmijës.