Dhimbja e stomakut
Për dhimbjen e stomakut
Dhimbjet e stomakut tek fëmijët shpesh shkaktohen nga gazrat dhe mostretja (dispepsi), asnjëra nga to nuk është serioze.
Gjithashtu, dhimbja e barkut mund të jetë shenjë e infeksioneve, si: helmimi nga ushqimi, gastroenteriti, pneumonia, infeksionet e traktit urinar.
Ankthi ose stresi mund të shkaktojnë ‘flutura’ në bark.
Dhimbjet e forta të stomakut mund të shkaktohen nga sëmundje më serioze ose kirurgjikale si apendiciti ose intususcepcioni, që nënkupton rrëshqitjen (përzierjen) e një pjese të stomakut (zorrëve) brenda ose mbi vete.
Dhimbja e barkut e cila përsëritet vazhdimisht mund të jetë e ndërlidhur me kapsllëk, intolerancë ushqimore dhe inflamacion në zorrë.
Ndonjëherë dhimbja e stomakut quhet dhimbje funksionale e barkut. Në këto raste, stomaku i fëmijës është më i ndjeshëm ndaj shkaktarëve normalë, si gazrat.
Simptomat që lidhen me dhimbjen e stomakut
Simptomat që e shoqërojnë dhimbjen e stomakut ndryshojnë varësisht nga shkaktari i dhimbjes së stomakut.
Për shembull, nëse dhimbja e stomakut shoqërohet me humbje të oreksit, nauze (të përziera), të vjella dhe diarre, problemi mund të jetë gastroenteriti ose helmimi nga ushqimi.
Ngërçet dhe dhimbja e përgjithshme mund të shoqërohen me gazra të tepërta dhe fryrje.
Dhimbja e barkut që nuk ndalon mund të jetë kapsllëk ose infeksion i traktit urinar. Fëmijët me infeksion të traktit urinar, mund të kenë edhe dhimbje gjatë urinimit, të urinojnë më shumë se që është normale dhe mund të kenë temperaturë, të vjella dhe të ndihen nervoz.
Dhimbja e barkut mund të shoqërohet gjithashtu me pneumoni ose ndonjë infeksion viral. Në këto raste, fëmija mund të ketë edhe temperaturë, kollë dhe dhimbje fyti.
Nëse dhimbja e barkut e zgjon fëmijën nga gjumi ka shumë gjasë jetë shenjë e diçkaje serioze, ose nëse dhimbja është në zonë të caktuar të barkut, larg nga kërthiza e fëmijës. Për shembull, në apendicit, dhimbja është zakonisht e mprehtë (me therje), shpesh dhimbja fillon në mes dhe kalon në pjesën e poshtme të djathtë të barkut. Gjithashtu, fëmija mund të ketë ethe, humbje oreksi dhe të vjella.
Me të gjitha llojet e dhimbjeve të stomakut, ekziston rreziku që fëmija juaj të dehidrohet. Duhet t'i konsideroni shenjat e dehidrimit, që përfshijnë: nxirjen e syve, urinim në sasi më të ulët se zakonisht, letargji dhe humbje të peshës. Nëse fëmija juaj shfaq këto shenja, sigurohuni që po pi mjaftueshëm lëngje.
A ka nevojë fëmija për të vizituar mjekun për dhimbje stomaku?
Duhet ta çoni fëmijën te mjeku nëse:
- ankohet për dhimbje të forta në bark ose dhimbje që e zgjon nga gjumi;
- ka dhimbje barku që nuk ndalojnë, ose dhimbje që vijnë e shkojnë;
- nuk është mirë dhe përveç dhimbjes ka edhe temperaturë;
- ankohet se dhimbja përkeqësohet gjatë lëvizjes;
- ka diarre ose të vjella që nuk largohen;
- është duke humbur peshë ose ka dhimbje që ndikon në nivelet e energjisë;
- mendoni se ka gëlltitur diçka helmuese.
Dërgoni fëmijën menjëherë në spital emergjent nëse fëmija ka:
- të vjella me gjak ose të vjella me ngjyrë të gjelbër të ndezur;
- gjak në jashtëqitje;
Trajtimi për dhimbjet e stomakut
Për ta ndihmuar fëmijën të ndihet më rehat, mund t'i jepni paracetamol në dozë të rekomanduar.
Gjithashtu, është e rëndësishme të siguroheni që fëmija po merr mjaftueshëm lëngje dhe po pushon mirë. Shpërqendrimi i fëmijës nga dhimbja dhe përdorimi i strategjive të relaksimit mund të ndihmojë, gjithashtu.