Difteria
Diphteria transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me një person të infektuar ose nëpërmjet piklave që personi i infektuar liron në mjedis gjatë kollitjes dhe teshtimës. Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në shenjat e para të sëmundjes) është zakonisht 2-5 ditë (mund të jetë 1 deri në 10 ditë).
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes
Bakteri shkakton inflamacion të hundës, fytit dhe bajameve si dhe temperaturë pak më të lartë. Brenda 2-3 ditësh, formohen membrana të bardha me madhësi të ndryshme, në: bajame, qiellzën e butë dhe në faring (gurmaz). Kur kolliten, ndryshime të ngjashme mund të vërehen në kordat vokale, përveç shfaqjes së temperaturës, ndodhë edhe ngjirja e zërit. Këto shtresa janë të lidhura fort me indet, që ngushtojnë rrugët e frymëmarrjes dhe rrezikojnë frymëmarrjen. Toksina që krijon ky bakter absorbohet dhe përhapet përmes gjakut në pjesë të ndryshme të trupit dhe mund të çojë në komplikime të shumta.
Komplikime
Komplikimet më të shpeshta të cilat ndodhin si pasojë e veprimit të toksinave të difterisë, janë inflamacioni i muskujve të zemrës dhe nervave. Komplikimet e zemrës përfshijnë rrahjet e parregullta të zemrës dhe infraktin (ndalimin e zemrës). Inflamacioni i sistemit nervor mund të shkaktojë humbjen e vetëdijes dhe mund të çojë në gjendje kome. Nervat e prekura mund të humbasin përkohësisht funksionin e tyre, duke shkaktuar paralizë të: muskujve të qiellzës së butë, muskujve të syrit, muskujve të gjymtyrëve, diafragmës etj. Këto komplikime mund të jenë fatale, në fakt rreth 20% e fëmijëve më të vegjël se 5 vjet me difteri vdesin nga kjo sëmundje.
Trajtimi i difterës
Gjatë mjekimit të difterisë përdoren antibiotikë në dozën e duhur, antitoksina dhe mbështetje e përgjithshme simptomatike.
Parandalimi (mbrojtja) nga difteria
Mbrojtja e fëmijëve nga difteria sigurohet me anë të imunizimit. Vaksina e difterisë jepet së bashku me vaksinat kundër tetanozit, kollës së keqe, poliomielitit dhe baktereve hemofilik të gripit B (Hemophilus influenza B) në moshën: 2 muaj, 3.5-4 muaj, 5-6 muaj dhe 12-18 muaj. Dozat e mëvonshme jepen së bashku me vaksinën e tetanozit zakonisht në moshën shkollore sipas skemës së imunizimit të çdo vendi.
Falë vaksinimit të suksesshëm të fëmijëve, sëmundja nuk është regjistruar në shumë vende. Megjithatë, infeksioni ekziston ende në disa pjesë të botës dhe mund të importohet, prandaj duhet të mbroni fëmijën.