Fëmijët mësojnë të ushqehen vetë

Fëmijët të cilët janë duke mësuar të ushqehen vetë po ashtu zhvillojnë pavarësinë, aftësi të shkëlqyera motorike dhe ndërgjegjësimin sa i përket ushqimit. Filloni këtë proces me ushqime të vogla dhe më pas lëreni të ushtrojë përdorimin e lugës. Gotat e vogla të plastikës që nuk thyhen janë ideale për fëmijët që janë duke mësuar përdorimin e gotave. Rrëmuja gjatë ngrënies mund të jetë stresuese. Përdorni përparëse ose vendosni një mbulesë plastike ose gazetë nën karrigen e lartë të fëmijës.
Body

Fëmijët që ushqehen vetë: pse është e rëndësishme kjo fazë?

Faza kur fëmijët mësojnë të ushqehen vet është e rëndësishme për shumë arsye.

Së pari, fëmijët mësojnë të hanë në mënyrë të pavarur, që paraqet aftësi të cilën ata/ato duhet ta zhvillojnë për vitet e mëvonshme të fëmijërisë së hershme - dhe për tërë jetën.

Së dyti, kjo fazë përfshin shumë prekjen, shtrydhjen dhe rënien e ushqimit nga dora. Kjo mund të ju duket rrëmujë, por është një nga mënyrat se si fëmija juaj zhvillon aftësi të shkëlqyera motorike siç është mbajtja e lugës.

Së treti, kjo fazë paraqet mundësi për të ndihmuar fëmijën tuaj të mësojë më shumë mbi shijen, strukturën, erën dhe temperaturën e ushqimit. Për shembull, ai/ajo do të mësojë se është më e lehtë të marrësh një copë banane ose kivi sesa një grusht kos ose shpageta boloneze.

Çfarë duhet të presim kur fëmijët mësojnë të ushqehen vetë?

Pasi të përfshini ushqimin e ngurtë, fëmija juaj mund shfaqë shenja se dëshiron të ushqehet vetë. Për shembull, ai/ajo mund të fillojë të zgjasë dorën për ta marrë lugën ose të përpiqet të marrë ushqim nga pjata e vet.

Është normale që fëmija juaj të dëshirojë të ushqehet vet dhe është mirë ta inkurajoni këtë gjë – megjithëse shpesh kjo shkakton rrëmujë dhe ndonjëherë mund të jetë frustruese.

Jini të durueshëm - fëmija juaj pashmangshmërisht do të arrijë tek qëllimi. Mund të jetë ide e mirë të keni aparat për të fotografuar momentet qesharake të kësaj faze të ushqyerjes.

Fillimi me ushqime të vogla
Ushqimet e vogla janë copa ushqimi të buta, të asaj madhësie që munden t’i hanë në një gojë, apo të prera në formë shiritash ose gishtash, të cilat janë të lehta për foshnjën për t'i marrë dhe për t'i përtypur me dhëmbët apo mishrat e dhëmbëve. Nëse fëmija juaj tregon interes për t'u ushqyer vetë, mund të filloni me ushqime të vogla të cilat mund t'ia vendosni fëmijës suaj në dorë, si për shembull copa të vogla frutash të buta ose perime të buta, të ziera siç janë patatet ose kungulli.

Këshillë e rëndësishme: vendosni disa copa ushqimi në vende ku fëmija juaj mund t'i arrijë. Kur ai/ajo t'i përfundojë ose t'i bien ato atëherë mund të shtoni të tjera. Në këtë mënyrë i gjithë ushqimi nuk do të përfundojë në dysheme qysh në fillim.

Përdorimi i lugës
Shumica e foshnjave nuk do të jenë në gjendje ta përdorin plotësisht lugën derisa të bëhen rreth 18 muajsh. Por është ide e mirë që ta lini fëmijën tuaj të përdorë lugë që në moshë shumë më të hershme. Zakonisht foshnjat do t'ju bëjnë të ditur kohën kur duan të fillojnë, duke tentuar vazhdimisht ta marrin lugën.

Këshillë e rëndësishme: ushqeni fëmijën tuaj me një lugë deri sa ai/ajo mban një tjetër në dorë.

Për të parandaluar ngulfatjen, gjithmonë mbikëqyreni fëmijën tuaj kur ai/ajo është duke mësuar të ushqehet vetë. Sigurohuni që ai/ajo të jetë ulur dhe të mos lëvizë apo zvarritet. Disa ushqime – për shembull, arrat dhe ushqimet e forta si karrotat e papërpunuara të copëtuara – paraqesin rrezik për ngulfatje. Fëmijët të cilët janë duke u mësuar si të hanë nuk duhet t'i konsumojnë këto ushqime.

Si të trajtoni rrëmujën dhe lojën me ushqim?

Ngrënia e rrëmujshme dhe loja me ushqimin janë pjesë normale e zhvillimit të foshnjës suaj kur ai/ajo mëson të hajë në mënyrë të pavarur.

Nëse rrëmuja ju duket stresuese, veprimet vijuese mund të ju ndihmojnë:

  • vendosni përparëse foshnjës suaj;
  • preni ushqimin në formë shiritash ose gishtash në mënyrë që marrja dhe ngrënia të jetë më e lehtë;
  • lëreni fëmijën tuaj të hajë me duar;
  • vendosni një mbulesë plastike ose gazetë nën karrigen e lartë;
  • nxirreni karrigen e lartë jashtë nëse keni zonë të sigurt dhe të sheshtë.

Është normale që fëmija juaj ta gjuaj ose t'i bie ushqimi në dysheme. Nëse reagoni kur ai/ajo e bën këtë, ai/ajo mund të mendojë se është fillimi i një loje të re emocionuese. Një mënyrë për ta trajtuar këtë është ta injoroni këtë veprim. Merrni ushqimin nga dyshemeja me qetësi dhe pa bërë zhurmë. Gjithashtu ju mund ta lini ushqimin në dysheme derisa të mbarojë vakti, kësisoj do të bëni vetëm një pastrim.

Përdorimi i gotës

Sapo fëmija juaj të ketë mbushur gjashtë muaj, ai/ajo është gati të mësojë të pijë nga gota. Ashtu si të mësuarit e ngrënies, ky proces mund të jetë proces i ngadaltë dhe i rrëmujshëm.

Në vijim i kemi disa këshilla për të ju ndihmuar kur fëmija juaj mëson të pijë nga gota:

  • Jepini fëmijës suaj një gotë të vogël plastike që nuk mund të thyhet dhe që është e lehtë për t'u kapur dhe mbajtur.
  • Lëreni fëmijën tuaj të luajë fillimisht me gotën në mënyrë që të mësohet me ndjesinë e gotës.
  • Në fillim kur fëmija juaj përdor gotën, udhëzojeni duke e mbajtur edhe ju gotën.
  • Përdorni sasi të vogël të lëngut në gotë për të reduktuar derdhjet.
  • Gjatë kohës së ngrënies me të gjithë familjen, përdorni vetë gotë për t'i treguar fëmijës suaj se si duhet bërë atë - foshnjave u pëlqen të kopjojnë prindërit e tyre.

Fëmijët e moshës 6-12 muajsh duhet të konsumojnë vetëm ujë të vluar dhe të ftohur të çezmes ose qumësht gjiri apo formulë për foshnjat. Pas moshës 12 muajshe, fëmijët mund të konsumojnë qumësht lope me yndyrë të plotë. Pijet si lëngjet e frutave, pijet e gazuara dhe qumështi me aromë nuk rekomandohen për foshnjat dhe fëmijët. Ato kanë shumë sheqer dhe rrisin rrezikun e prishjes së dhëmbëve.