Hapat për zgjidhjen e problemeve për prindërit

Zgjidhja e problemeve është një mënyrë për të gjetur zgjidhje të reja dhe krijuese në situata kur jeni të bllokuar ose nuk mund t’i zgjidhni problemet tuaja.
Body

Pse është e rëndësishme zgjidhja e problemeve  

Kur jeni prind, mënyra se si e menaxhoni çdo problem apo mosmarrëveshje në marrëdhënien tuaj, e prek fëmijët tuaj.

Duke i menaxhuar problemet në mënyrë pozitive dhe konstruktive, ju mund t’i mbroni fëmijët tuaj nga anët negative të konfliktit. Kur ju dhe partneri juaj gjeni zgjidhje së bashku, ju e ndihmoni të gjithë familjen të ketë marrëdhënie më të mira, më të shëndetshme dhe më të forta.

Kjo ndodh sepse qasje për zgjidhjen e problemeve mund t’ju ndihmojë ju dhe partnerin tuaj që:

  • të ballafaqoheni me problemet, në vend që t’i shmangin ato
  • të flisni dhe dëgjoni me respekt dhe durim
  • të gjeni zgjidhje me të cilat jeni të dy të kënaqur
  • të ndjeheni sikur po punoni si ekip.

Kjo qasje gjithashtu mund t’u mësojë fëmijëve tuaj aftësi të rëndësishme për jetën.

Rregullat bazë për zgjidhjen e problemeve

Para se të filloni me zgjidhjen e problemeve, është ide e mirë të vendosni disa rregulla themelore. Po ashtu është mirë për ju dhe partnerin tuaj t’i krijoni së bashku rregullat themelore.

Këtu janë sugjerime lidhur me rregullat themelore për të filluar me zgjidhjen e problemeve:

  • Secili person mund në çdo kohë ta iniciojë një problem për diskutim.
  • Secili person mund të thotë “jo” nëse nuk dëshirojnë të flasin për atë çështje në atë kohë, por pranon të ndajë një kohë tjetër për ta diskutuar atë çështje - jo më shumë se një ditë pasi të shfaqet për herë të parë.
  • Nëse nxehet diskutimi, secili person mund të bëjë thirrje për një “pushim” për t’u qetësuar.
  • Shtjelloni problemet në një kohë dhe vend të mirë. Për shembull, bëjeni kur nuk janë fëmijët pranë, kur ka kohë të mjaftueshme për ta diskutuar çështjen, kur nuk ka kërkesa të tjera konkurruese si bërja e darkës dhe kur të dy jeni të qetë.
  • Mundohuni të dëgjoni në mënyrë që të dy të kuptoni se çfarë po thotë personi tjetër.
  • Pajtohuni që nuk do të ngrini tema konflikti ose nuk tregoni mosrespektim para njerëzve të tjerë.
  • Mbani në mend se nëse njëri prej jush ka një problem, të dy keni një problem.

Zgjidhja e problemeve: si ta bëni atë

1. Përcaktoni problemin
Jini të qartë dhe specifikë për problemin:

  • Përshkruani se çfarë po ndodh, sa shpesh po ndodh dhe kush është i përfshirë. Për shembull, “Në tre javët e fundit, më duket se kemi debatuar shumë më tepër se zakonisht”.
  • Përqendrohuni te çështja, jo tek personi. Për shembull, “Ne gjithmonë bëjmë punë shtëpie ose i çojmë fëmijët në sport dhe nuk kemi qenë në gjendje të pushojmë së bashku. Unë mendoj se kjo po ndikon në marrëdhënien tonë”.
  • Pranoni rolin ose kontributin tuaj në raport me problemin. Për shembull, “E di që e i kam filluar ca nga ato zënka”.
  • Përshkruani problemin me një qasje neutrale, pa fajësim. Për ta bërë këtë, mund të provoni ta formuloni çështjen si pyetje. Për shembull, “A mund të flasim për mënyrën se si mund të gjejmë pak kohë për lidhjen tonë?”

2. Sqarojani secilit atë që e dëshironi
Jini të qartë për atë që është e rëndësishme për secilin prej jush. Bëni pyetje për t’i sqaruar pozicionet tuaja. Për shembull:

  • Pse është kaq e rëndësishme?
  • Pse e doni/keni nevojë për këtë?
  • Pse jeni i/e shqetësuar, i/e brengosur, i/e frikësuar për këtë?
  • Pse nuk e do/nuk ke nevojë për këtë?
  • Çfarë do të ishte kaq e tmerrshme për këtë?

Qëllimi juaj është të keni një të kuptuar të qartë të asaj që ju të dy e dëshironi. Jini të durueshëm dhe përqendrohuni në dëgjimin e përgjigjeve të njëri-tjetrit.

3. Zgjidhje për stuhi idesh
Shkruani çdo zgjidhje të mundshme. Këtu janë dhënë disa këshilla për të filluar me stuhinë e ideve:

  • Flisni me radhë për të sugjeruar ide.
  • Mundohuni të merrni sa më shumë ide që mundeni, edhe nëse disa nuk duken të rëndësishme. Synoni për të paktën 8-10 ide.
  • Përfshini të gjitha idetë. Refuzimi i ideve mund t’i dëmtojë ndjenjat e njëri -tjetrit dhe t’jua ndalojë t’i ndani idetë tuaja.
  • Prisni derisa t’i keni shpalosni të gjitha idetë tuaja para se të flisni për to.

4. Vlerësoni zgjidhjet dhe zgjedheni njërën prej tyre
Shikoni secilën zgjidhje në listën tuaj të stuhisë së ideve dhe kufizojeni atë në një opsion praktik, që mund ta zgjidhë problemin tuaj. Këtu janë dhënë disa këshilla që mund të ndihmojnë:

  • Fshini idetë për të cilat të dy jeni dakord se nuk do të funksionojnë.
  • Nëse njëri prej jush mendon se një ide mund të funksionojë, lereni atë në listë.
  • Listoni avantazhet dhe disavantazhet për secilën ide që keni vënë në listë. Shikoni përparësitë së pari - përpiquni të gjeni diçka pozitive për secilën ide.
  • Mbani diskutimet të shkurtra në mënyrë që të keni kohë të mjaftueshme, për t’i diskutuar të gjitha idetë e mbetura në listë.
  • Fshini çdo ide që qartë ka më shumë disavantazhe sesa përparësi.
  • Vlerësoni opsionet e mbetura nga 1 (jo shumë të mira) deri në 10 (shumë të mira).
  • Zgjedhni një zgjidhje që ju dhe partneri juaj jeni dakord ta provoni - mund të mos jetë zgjidhja juaj e preferuar, por duhet të jetë ajo me të cilën ju jeni të kënaqur.

Nëse nuk mund të gjeni një zgjidhje, përsëritni hapin e "stuhisë së ideve" dhe përpiquni të dilni me ide të ndryshme.

Nëse keni nevojë për ide të reja, mund t’i pyesni miqtë e besuar ose familjen. Por së pari kontrolloni me partnerin tuaj nëse ai ose ajo është në rregull me këtë. Partneri juaj mund të preferojë t’i mbajë private disa çështje konflikti.

Nëse kjo ende nuk funksionon, ju të dy mund të bini dakord ta provoni këtë radhë zgjidhjen tuaj, ndërsa herën tjetër zgjidhjen e partnerit tuaj.

5. Provoni zgjidhjen
Merrni një angazhim për zgjidhjen duke u dakorduar për sa vijon:

  • Kush do të bëjë çfarë, kur dhe ku?
  • Çfarë do të ndodhë nëse nuk i bëjmë gjërat për të cilat kemi rënë dakord?
  • A duhet të mbajmë shënime se sa mirë funksionon zgjidhja jonë?
  • Kur do të rishikojmë se si po funksonon zgjidhja?

Nëse zgjidhja juaj lidhet me fëmijët tuaj, merrni parasysh përfshirjen e tyre në testimin e zgjidhjes, nëse është e përshtatshme.

6. Rishikim
Pas një kohe të caktuar, shikoni zgjidhjen tuaj dhe flisni se si po shkon. Mund të bëni pyetje si:

  • A funksionon zgjidhja?
  • Çfarë ka funksionuar mirë? Çfarë nuk ka funksionuar?
  • Çfarë mund të bëjmë, që gjërat të funksionojnë më mirë?

Nëse marrëveshja funksionon, të dy do të vini re se ka më pak konflikte. Nëse nuk ka, parashtrojani vetes këto pyetje:

  • A ishte zgjidhja e arsyeshme?
  • A dhamë, a fituam më shumë të dy?
  • A ishin të qarta rregullat dhe përgjegjësitë për të dy?
  • A u përdorën pasojat për prishjen e marrëveshjes dhe a ishin ato të përshtatshme?
  • A kanë dalë çështje të tjera për të cilat duhet të flasim para se zgjidhja jonë të funksionojë?

Ju mund të zbuloni se duhet ta filloni përsëri procesin e zgjidhjes së problemeve për të gjetur një zgjidhje më të mirë.

Është normale të kesh disa ngritje dhe rënie gjatë këtij procesi - lejoni 1-2 javë që gjërat të funksionojnë.

Marrja e ndihmës

Nëse përpjekja për t’i zgjidhur problemet të shqetëson ose zemëron ty ose partnerin tënd, mund të ndihmojë të flisni me një këshilltar për marrëdhënie. Këshilltarët e marrëdhënieve mund t’ju ndihmojnë të identifikoni se çfarë po shkakton konflikt mes jush dhe të gjeni zgjidhje praktike.

Është mirë nëse ju dhe partneri juaj mund të shihni një këshilltar së bashku. Por nëse partneri juaj nuk dëshiron të shkojë, prapë ia vlen të kërkoni ndihmë edhe nëse e bëni vetë.

Nëse jeni në një marrëdhënie që përfshin dhunën në familje, telefononi një linjë ndihme, kërkoni mbështetje dhe bëni gjithçka që duhet të bëni për të garantuar sigurinë tuaj dhe sigurinë e fëmijëve tuaj.