Marrëdhënie të shëndetshme: prindërit dhe partnerë

Disa nga përvojat e reja që vijnë me t’u bërë prind mund t'ju bëjnë të ndiheni edhe më të lidhur me partnerin. Por kujdesi për fëmijën e porsalindur mund të vendosë edhe lloje të reja në marrëdhënien tuaj. Komunikimi i hapur mund t'ju ndihmojë të ushqeni marrëdhënie të shëndetshme.
Body

Kur bëheni prindër: si mund të ndryshojnë marrëdhëniet tuaja

Pjesa më e madhe e çifteve përjetojnë ndryshime në marrëdhënie kur bëhen prindër.

Për shumë njerëz, lindja e një fëmije sjell ndryshime pozitive në marrëdhënien e tyre. Për shembull, ju dhe partneri juaj mund të ndjeni një stad lidhjeje të re dhe të ndryshme nga jeta që keni bërë më parë. Por ju, gjithashtu, mund të përjetoni disa kufizime, të cilat nuk kanë qenë pjesë e marrëdhënies tuaj para se të bëheni prindër.

Më pak gjumë, më pak kohë për të folur, më pak kohë për të kaluar së bashku — këto gjëra mund të kenë ndikimin e tyre në marrëdhënien tuaj, ndërsa ju kujdeseni për foshnjën tuaj.

Këto ndryshime dhe kufizime mund të nënkuptojnë që ju shpesh nuk bini dakord me njëri-tjetrin ose ndjeni që gjërat nuk po shkojnë siç duhet. Ju mund të ndjeheni sikur nuk keni më energji si më parë për të zgjidhur problemet që ju dalin përpara.

Komunikimi i hapur ndihmon në mbajtjen e situatës në kontroll dhe kjo ju ndihmon të dyve që të kuptoni ndryshimet. Komunikimi i hapur, mund të ushqejë dhe të forcojë një marrëdhënie të shëndetshme me partnerin tuaj, si dhe me miqtë e të afërmit.

Marrëdhënie të shëndetshme: këshilla për prindërit

Dëgjoni njëri-tjetrin
Dëgjimi i mirë është aftësia më e rëndësishme e komunikimit që mund të keni. Kjo ju ndihmon ju dhe partnerin tuaj të ndjeheni të dëgjuar, të kuptuar dhe të mbështetur.

Dëgjimi i mirë ju ndihmon të kuptoni gjërat nga këndvështrimi i partnerit tuaj dhe ju vë në kontakt me ndjenjat e tij/saj. Nëse dëshironi që partneri juaj t'ju dëgjojë, duhet të jeni të përgatitur për të dëgjuar edhe perceptimin e palës tjetër, partnerin tuaj.

Një mënyrë për të treguar se jeni duke dëgjuar me vëmendje, mund të jetë të ndaloni së vepruari dhe të përqendroheni kur partneri juaj dëshiron të flasë, duke i kushtuar vëmendje të plotë fjalëve të tij, veçanërisht gjuhës së trupit.

Është e rëndësishme të nxisni partnerin tuaj të flasë duke bërë pyetje të hapura, si: 'Çfarë mendon për.... '. Këto pyetje mund të nxisin më shumë diskutime për çështje të ndryshme që ju shqetësojnë të dyve. Ju duhet të kontrolloni nëse e keni kuptuar mirë mesazhin, duke perifrazuar fjalët e partnerit me fjalët tuaja.

Dhe mbani parasysh - nëse jeni duke menduar se çfarë do të thoni më pas, tregon se nuk jeni duke dëgjuar me të vërtetë. Në vend të kësaj, përpiquni ta përqendroni vëmendjen tuaj në atë që partneri juaj është duke thënë. Ju mund të mbani shënime nëse e ndjeni se mund të harroni diçka të rëndësishme.

Tregojini partnerit tuaj sesi ndiheni
Partneri nuk mund ta lexojë mendjen tuaj! Kur ju flisni hapur për shqetësimet, frikërat, lumturinë dhe gëzimet tuaja, kjo e bën më të lehtë për partnerin tuaj të kuptojë se çfarë jeni duke kaluar dhe si ndiheni.

Frazat që fillojnë me 'Unë' janë më të lehta për t'u dëgjuar dhe pranuar sesa frazat që fillojnë me  'Ti', të cilat shpesh mund të duken si kritika. Pra, kur flisni, mund të thoni gjëra të tilla si “Unë ndihem e vetmuar kur kalojmë më pak kohë së bashku”. Kjo mund të jetë më e mirë sesa “Ti nuk më kushton më kohë”.

Është e vështirë që këto disktutime të bëhen gjatë kohës kur jeni duke ndërruar pelenat – do të ishte mirë që të gjeni pak kohë cilësore për të folur me njëri–tjetrin.

Prano ndryshimet
Ju duhet ta shihni marrëdhënien e krijuar si një fazë të re të jetës suaj në çift dhe jo si pengesë. Është mirë që të flisni me njëri–tjetrin për këtë fazë të re dhe se si do ta menaxhoni së bashku.

Nëse e shikon se kalimi i më shumë kohe së bashku është i pamundur në këtë fazë të re, provoni një qasje të re - për shembull, planifikoni me kujdes kohën për ta kaluar së bashku.

Menaxho konfliktin
Ndryshime të mendësisë do të shfaqen ndërsa kaloni nëpër faza të reja të jetës – vetëm duke folur për këto ndryshime mund të sqaroni dhe të kuptoni çfarë është e mirë dhe e nevojshme për secilin prej jush. Është normale të mos jeni dakord me njëri–tjetrin.

Nëse pranoni pikëpamje të ndryshme duke shpjeguar qartazi pikëpamjen tuaj, mund t’ju ndihmojë për të ulur tensionin midis jush. Mund të përdorni këshillat e mësipërme për të dëgjuar, për të kuptuar se çfarë po të thotë partneri, në vend që të kundërshtoni ashpër, gjë e cila do ta përkeqësonte marrëdhënien mes jush.

Kur merrni vendime së bashku, tentoni për zgjidhje që vlejnë për të dy - veçanërisht kur bëhet fjalë për vendime lidhur me prindërimin. Si prindër, është e rëndësishme që të jeni në të njëjtën linjë mendimi, por mund të vini re se për të rënë dakord për gjëra të tilla si rutinat, disiplinimi dhe orari i gjumit të fëmijëve, kërkon punë të përbashkët.

Qëndroni afër njëritjetrit tani që jeni bërë prindër
Gjëra të thjeshta të rutinës së përditshme, si: 'Çfarë kishte ndonjë gjë të mirë sot? ', 'Çfarë nuk shkoi mirë? ' mund t'ju ndihmojë të qëndroni në kontakt me njëri–tjetrin.

Gjeste të vogla që i tregojnë partnerit tuaj që ju kujdeseni mund t’ju ndihmojnë shumë. Ajo cfarë mund të bëni është përgatitja e një filxhani me çaj ose ftesa për të bërë një gjumë të shkurtër, kur lodhja ka arritur kulmin.

Krijoni hapësirë “për jetën në çift”

Krijoni hapësirë për intimitetin tuaj, sepse ju krijohet mundësia të flisni, të rilidheni dhe të gëzoni afrimitetin me njëri–tjetrit dhe të ushqeni marrëdhënien tuaj.

Kur të jeni gati, ju mund:

  • të  merrni një dado dhe të shkoni diku për tu argëtuar gjatë ditës ose mbrëmjes — mund të jetë një drekë apo darkë, një shëtitje apo një film në kinema,
  • të  gjeni kohë për të bërë diçka të veçantë së bashku në shtëpi - një darkë e veçantë ose një film pas vënies në gjumë të fëmijëve,
  • të  kujtoni se çfarë ju pëlqente të bënit para se të bëheshit prindër, tentoni ta bëni përsëri — edhe pse në kushte të reja.

Nëse i planifikoni me kohë këto aktivitete, ato mund të realizohen. Kjo do të ishte një mënyrë efektive për t’u motivuar dhe për ta forcuar intimitetin tuaj.  

Të kesh një jetë seksuale

Besojeni apo jo, pjesa më e madhe e çifteve i rregullojnë sërisht marrëdhëniet e tyre seksuale. Kalimi i më shumë kohe duke biseduar me njëri–tjetrin mund t'ju bëjë të ndiheni më afër, dhe kjo e ndihmon jetën tuaj seksuale.

Nëse ndiheni shumë të lodhur ose të papërqëndruar për të menduar edhe për seksin, mundohuni të flisni me partnerin tuaj për mënyrën se si ndiheni. Ashtu si kalimi i pëbashkët ikohës, edhe seksi mund të ketë nevojë që të planifikohet.

Kontrolli ndaj marrëdhënies në çift

Ju mund ta bëni këtë duke folur me pastërti për ndryshimet që po ndodhin në jetën tuaj. Kjo nënkupton të tregoni me detaje për mënyrën se si ndihesni dhe rolet e reja, si po ndikojnë ato në jetën tuaj.

Kur bëhemi me fëmijë shpesh na dalin në pah çështje që janë të lidhura me fëmijërinë tonë. Diskutimi i këtyre çështjeve me partnerin mund t'ju ndihmojë të kuptoni se si mund të ndikojnë ato në atë që bëni dhe thoni, tani që jeni vetë prindër.

Nëse gjërat vështirësohen, do të ishte mirë të kërkonit mbështetje. Ju mund të bisedoni me mjekun tuaj ose të takoni një specialist të fushës.