Hepatiti A

Simptomat e hepatitit A përfshijnë ethe, të përziera, të vjella, diarre dhe verdhëzim. Vizitoni mjekun nëse fëmija juaj ka simptoma të hepatitit A. Imunizimi dhe higjiena e mirë janë mënyrat më të mira për të parandaluar hepatitin A.
Body

Rreth hepatitit A

Hepatiti A shkaktohet nga një virus. Nëse infektoheni me këtë virus, ai shkakton inflamacion të mëlçisë.

Virusi i hepatit A jeton në jashtëqitje. Përhapet kur fëmijët ose të rriturit bien në kontakt me objekte, ushqim ose ujë që është kontaminuar nga jashtëqitja e një personi të infektuar.

Hepatiti A është shumë i zakonshëm në vendet më pak të zhvilluara, veçanërisht në zonat ku nuk ka sisteme të mira të kanalizimeve. Jeni potencialisht të rrezikuar nëse jetoni ose udhëtoni në ato zona.

Simptomat e hepatitit A

Me virusin e hepatit A personi infektohet 1-2 muaj para se të shfaqen simptoma - kjo quhet "periudha e inkubacionit". Kjo periudhë e gjatë inkubacioni mund ta bëjë të vështirë të dihet saktësisht kur ose ku ka ndodhur infeksioni.

Fëmijët me hepatit A zakonisht kanë simptoma më të buta se të rriturit. Në fakt, shumica e fëmijëve me hepatit A, veçanërisht fëmijët shumë të vegjël, nuk kanë shumë simptoma. Disa fëmijë është e mundur që e kalojnë hepatitin A pa u kuptuar fare. Edhe pse nuk është e zakonshme, disa fëmijë me hepatit A mund të sëmuren shumë, sa që ju duhet të shtrihen në spital.

Shfaqja e simptomave të hepatitit A,  mund të ndodh krejt papritur. Të cilat përfshijnë simptoma të përgjithshme si lodhje, ethe, të përziera, humbje të oreksit, të vjella dhe diarre.

Më vonë, lëkura e fëmijës mund të ndjejë nevojë për kruajtje dhe barku mund të jetë pak i fryrë dhe i lënduar, veçanërisht në anën e sipërme të djathtë ku ndodhet mëlçia. Pas disa ditësh, jashtëqitja e fëmijës mund të kthehet në të verdhë ose kafe të errët, ndërsa lëkura dhe sytë mund të marrin një ngjyrë të verdhë. Kjo quhet verdhëza (janudicë).

Fëmijët me hepatit A zakonisht përmirësohen plotësisht pas një ose dy javësh, por herë pas here mund të zgjasë më shumë se kaq. Infeksioni i hepatitit A zakonisht nuk zgjat shumë, në krahasim me infeksionet e hepatitit B dhe hepatitit C. Në raste të rralla, virusi i hepatitit A mund të shkaktojë shkatërrim të mëlçisë që ka nevojë për kujdes urgjent dhe kritik.

Kur duhet ta vizitoni mjekun për hepatitin A

Ju duhet ta çoni fëmijën tek mjeku i përgjithshëm nëse:

  • i krijohet lëkurë ose sy të verdhë
  • ka jashtëqitje kafe shumë të errët
  • ka dhimbje stomaku që vazhdon më gjatë se disa ditë
  • ka skuqje të pashpjegueshme.

Nëse fëmija ka ndonjë nga simptomat e mësipërme, ose nëse dyshoni se ju ose fëmija mund të keni pasur kontakt me virusin e hepatitit A, rekomandohet ta vizitoni mjekun.

Testet për hepatitin A

Nëse mjeku mendon se fëmija mund të ketë infeksion të hepatitit A, mjeku ju kërkon analizat e gjakut për të konfirmuar diagnozën.

Trajtimi i hepatitit A

Nuk ka trajtim specifik për hepatitin A, andaj  trajtimi synon lehtësimin e simptomave.

Nëse fëmija ka diarre ose ka të vjella, është e rëndësishme të siguroheni të pi lëngje të mjaftueshme për të shmangur dehidratimin.

Është mjaftë e pazakontë, por nëse simptomat e fëmijës janë të rënda, mund të ketë nevojë të shtrihet në spital.

Mos i jepni fëmijës tuaj paracetamol pa u konsultuar më parë me mjekun. Nëse për shkak të infeksionit me hepatit A mëlçia e fëmijës nuk funksionon siç duhet, mund të dëmtohet tutje nga doza normale e paracetamolit.

Parandalimi i hepatitit A

Në çdo pjesë të botës, por veçanërisht në vende që nuk kanë sisteme të mira të kanalizimeve, gjëja kryesore për të parandaluar hepatitin A është mbajtja e mirë e higjienës. Përfshirë larjen e duarve pas shkuarjes në tualet dhe para ngrënies.

Nëse jetoni ose udhëtoni në vende ku mund të ketë rrezik të lartë për të pasur kontakt me hepatitin A, rekomandohet imunizimi kundër hepatitit A të fëmijëve pas moshës 12 muaj.