Informacione për ushqyerjen e fëmijëve binjak me qumësht gjiri!
Gjidhënia
- Depresioni gjatë shtatzënisë
- Kur duhet të kërkoj ndihmë mjekësore?
- Buza dhe qiellza e çarë
- Imunizimi dhe udhëzuesi për kontrollat e foshnjës
Kur një grua shtatzënë mëson se do të lindë fëmijë binjak, ajo në të njëjtën kohë mund të përjetoj emocione të ndryshme, mund të ndjehet shumë e gëzuar por edhe të shqetësohet. Papritur mund të ndryshojnë shumë nga planet dhe vendimet e saj të mëparshme. Megjithatë, lajmi i mirë është se vendimi rreth ushqyerjes me qumësht gjiri nuk ka nevojë të ndryshojë. Qumështi i gjirit është veçanërisht i rëndësishëm për fëmijët binjak, të cilët shpesh mund të kenë peshë të vogël të lindjes dhe kanë nevojë për të gjitha përfitimet shëndetësore të qumështit njerëzor. Gjidhënia e ndihmon nënën të krijoj lidhje të veçantë dhe të nevojshme me të dy foshnjat e saj. Shumë nëna kanë ushqyer binjakët e tyre me sukses.
Gjatë kohës së shtatzënisë
Action for Mothers and Children implementon programet e saj “Klasat për nëna” dhe “Group Care” në Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komunat e Kosovës. Nëse jeni shtatzënë, ju mund të merrni pjesë në takimet e Kujdesit në Grup për gratë shtatzëna apo të kërkoni mbështetje individuale nga infermierët e QMF-së në programin e Klasave për Nëna. Në grupet e kujdesit për gratë shtatzëna ju mësoni për gjidhënien në periudhën kur ende jeni shtatzënë, dhe gjatë këtyre mësimeve mund të informoheni e të vendosni për mënyrën e të ushqyerjes së foshnjës suaj pas lindjes. Ju mund të takoni edhe gra të tjera të cilat janë të interesuara për gjidhënien dhe të shkëmbeni përvojat e juaja të mëparshme apo edhe dilemat rreth temave që ju preokupojnë. Periudha e shtatzënisë është kohë ideale për t’u njoftuar dhe përgatitur rreth programeve mbështetëse për nëna siç janë Vizitat Shtëpiake. Programi i Vizitave Shtëpiake udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë. Interesohuni se si mund të përfitoni nga shërbimi i Vizitave Shtëpiake. Gjatë nëntë muajve të pritjes së ëmbël mund të lexoni gjithashtu edhe librat “The Womanly Art of Breastfeeding” nga La Leche League International dhe “Mothering Multiples” nga Karen Gromada.
Krijimi i një plani të lindjes me gjinekologun tuaj apo ofruesin e kujdesit shëndetësor është hapi i fundit i cili çdo grua shtatzënë do ta ndihmonte të mbyllte periudhën e shtatzënisë me siguri, vetëbesim dhe e përgatitur për një etapë të re në jetën e saj.
Ditët e para pas lindjes
Është shumë e rëndësishme që nëna të ketë kontakt me fëmijët e saj binjak brenda orës së parë pas lindjes. Nëse arrihet të realizohet kontakti lëkurë më lëkurë në orën e parë pas lindjes, e cila ndryshme quhet edhe ora e artë, gjasat që fëmijët të ushqehen me qumësht gjiri janë shumë më të mëdha. Mirëpo, ndonjëherë edhe vetëm një kontakt i vogël i fëmijëve me nënën në orën e parë, si prekja e dorës apo shikimi i fëmijëve ndikon që të ulet stresi i nënës dhe të fillojë prodhimi dhe rrjedhja e qumështit. Prandaj komunikojani gjinekologut, neonatologut, mamisë dhe infermiereve kërkesën tuaj që fëmijët t’i shihni e t’i prekni, t’i mbani në duar në orën e parë pas lindjes.
Ushqyerja e fëmijëve në orën e parë pas lindjes, ushqyerja shumë e shpeshtë dhe pa orare është mënyra më e mirë për të filluar mbarë gjidhënien. Megjithatë, nëse ju ose foshnjat tuaja përballeni me ndonjë problem shëndetësor pas lindjes, ose nuk mund të qëndroni se bashku gjatë ditëve të para pas lindjes, nuk do të thotë që duhet të hiqni dorë nga ideja e ushqyerjes me qumësht gjiri.
Kontakti lëkurë më lëkurë është hapi më i rëndësishëm i cili mundëson realizimin e suksesshëm të gjidhënies. Edhe nëse e keni humbur mundësinë që të realizoni kontaktin lëkurë më lëkurë menjëherë pas lindjes së fëmijëve, realizojeni atë gjatë ditës së parë, ditës së dytë apo edhe gjatë javës së parë dhe javës së dytë të lindjes. Sa më i shpeshtë kontakti lëkurë më lëkurë më fëmijën – fëmijët tuaj, aq më të mëdha do të jenë gjasat që fëmijët binjak të fillojnë të pinë nga gjiri dhe të ndërtojnë sasinë e prodhimit të qumështit.
Sasia e qumështit rregullohet nga sasia e thithjes (ose pompimit) që stimulon gjinjtë. Kjo është arsyeja pse nënat e binjakëve pothuajse gjithmonë prodhojnë qumësht të mjaftueshëm për të dy foshnjat.
Nëse është e nevojshme të pomponi qumështin tuaj sepse një ose të dy foshnjat kanë problem të puthiten në gji, kulloshtra mund të mblidhet më së miri duke përdorur metodën e mjeljes së gjiut me dorë. Por nëse ju duhet që të vazhdoni të pomponi qumësht, mund të përdorni një pompë gjiri e cila ju përshtatet më se miri dhe e cila do të ju ndihmoje të stimuloni prodhimin e rregullt të qumështit.
Referimi i lindjeve të fëmijëve binjak si “bekim i dyfishtë” shpesh mund t’i bej nënat të kenë emocione të përziera. Këto ndjenja janë një reagim normal ndaj një situate shumë stresuese dhe nuk duhet të injorohen ose të nënvlerësohen. Shpesh për t’i validuar këto ndjenja, për t’i tejkaluar dyshimet ndihmon të flisni me një nënë tjetër të binjakëve dhe të gjeni veten në problematikat e njëjta, e pastaj të mendoni për zgjidhje të tyre.
Burimi: www.beba-ks.org - Action for Mothers and Children AMC