Sjelljet e zakonshme të foshnjës: qarja
Me rritjen ndryshon e qara e foshnjës. Mesatarisht, foshnjat e vogla qajnë deri në tre orë në ditë, 1 në 10 foshnje qajnë edhe më gjatë. Më së tepërmi qajnë foshnjat e moshës 6-8 javë, me rritjen e tyre bie përmasa e qarjes. Para muajit të gjashtë, foshnjat qajnë më intensivisht në orët e vona të pasdites dhe në mbrëmje. Mund të jetë ngushëlluese të dish se kjo lloj e qare zakonisht ndalon deri në muajin e pestë të jetës së foshnjës. Ndërsa foshnja rritet, të qarat do të ndodhin gjatë gjithë ditës, por do të jenë më të shkurtra dhe më pak intensive, kryesisht do të lidhen me diçka që fëmija dëshiron t'ju thotë.
Çfarë duhet të bëni kur foshnja qan? Gjëja e parë që mund të bëni është të kontrolloni nëse është i uritur, lodhur ose parehatuar. Atëherë do të jetë e lehtë t'i përgjigjeni të qarit: do ta ushqeni, do ta vini në gjumë ose do t'ia ndërroni pelenën. Disa gjëra të tjera që mund të bëni:
- Lëkundeni foshnjën butësisht. Lëvizjet e lehta dhe afërsia me prindërit mund të kenë një efekt qetësues.
- Dilni për shëtitje me foshnjën (nëse nuk jeni shumë të lodhur për këtë).
- Lajeni fëmijën ose masazhojeni butësisht. Prekja dhe masazhi mund të jenë qetësues dhe të forcojnë lidhjen mes jush. Pyesni stafin shëndetësor se si ta masazhoni foshnjën në mënyrë të sigurt.
- Flisni me foshnjën me zë të ulët dhe të butë, këndojini ose lëshoni muzikë të qetë, ndërsa e përkëdhelni ose e përqafoni. Ndonjëherë zhurmat dhe tingujt e pajisjeve të tilla si tharëse flokësh ose fshesa elektrike mund ta qetësojnë foshnjën.
- Qetësoni foshnjën duke e reduktuar stimulimin - për shembull zbehni dritat.
E qara e foshnjës mund të jetë shumë shqetësuese për prindërit dhe ata mund të ndjehen të frikësuar, të zemëruar ose të stresuar. Mundohuni të gjeni kohë për të ecur, lexoni libër, bëni ushtrime ose dush - të paktën për kohë të shkurtër. Kur foshnja qan dhe mendoni se nuk mund t’ia dilni, vendoseni foshnjën në vend të sigurt dhe dilni nga dhoma. Asnjëherë mos e shkundni/tundni foshnjën - kjo mund të çojë në lëndime të rrezikshme të trurit.
Kërkoni ndihmë dhe flisni hapur për ndjenjat tuaja. Edhe pse është e rëndësishme të besoni se po bëni gjithçka mundeni dhe se të qarat do të kalojnë, kur foshnjat qajnë për një kohë të gjatë dhe intensivisht, shumë prindër do të ndihen të lodhur dhe nervozë. Prandaj, është e rëndësishme të kërkoni këshilla dhe të flisni për atë që po përjetoni dhe si reagoni.