Të ushqyerit optimal për fëmijët nga 3 deri në 5 vjeç

Të ushqyerit e duhur është një nga parakushtet më të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin optimal të fëmijës suaj. Në moshën 3 deri në 5 vjeç, rritja e fëmijës ngadalësohet, por çfarë, kur dhe si ha ai/ajo është ende shumë e rëndësishme për shëndetin e fëmijës suaj. Kjo është gjithashtu periudha që duhet të përdoret për të formuar zakone të shëndetshme të të ngrënit.
Body

Gjatë vitit të dytë të jetës së fëmijës suaj, ju mësuat për nevojat ushqyese të fëmijës, zgjedhjen dhe mënyrën e përgatitjes së ushqimit, u njohët me zakonet e fëmijës suaj dhe kapërcyet vështirësitë më të mëdha që u paraqitën. Rezulton se nga viti i tretë, vëmendja e prindërve përqendrohet më shumë në aktivitete dhe nevoja të tjera të fëmijës. Mos harroni, ushqyerja është ende një nga faktorët kryesorë që ndihmon një fëmijë të rritet dhe të zhvillohet në potencialin e plotë të tij/saj. Ushqyerja e duhur është gjithashtu parandalim i mirë për problemet ushqyese dhe shëndetësore më vonë në jetë, të tilla si mbipesha, diabeti dhe sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut.  

Çfarë dhe sa duhet të hajë një fëmijë  

  • Fëmijët midis moshës dy dhe pesë vjeç zakonisht rriten rreth shtatë centimetra dhe shtojnë rreth dy kilogram në vit. Pas moshës dy vjeç (deri në të katër vjeç), një fëmijë duhet të marrë 1300 kalori në 24 orë për rritje normale dhe shtim në peshë. Sidoqoftë, nevojat kalorike ndryshojnë në varësi të aktivitetit, si dhe strukturës dhe metabolizmit, prandaj mos u shqetësoni nëse fëmija juaj nuk ha aq sa prisni.
      
  • Në këtë moshë, oreksi ndryshon, është më i lartë gjatë disa periudhave, por shpesh zvogëlohet kur fëmija është i lodhur ose i ngazëllyer. Fëmijët pëlqejnë të hanë nga takëmet e tyre dhe gjithashtu do të jetë më e lehtë për ju të përcaktoni një madhësi porcioni që i përshtatet fëmijës kur përdorni pjatën e fëmijëve.  
  • Fëmijës duhet t'i ofrohet një larmi ushqimesh, nga të pesë grupet e ushqimit. Ushqyes të ndryshëm janë të nevojshëm për funksione të ndryshme të trupit, dhe zhvillimin e shëndetshëm të trurit. Baza e dietës në këtë moshë është e ngjashme me dietën e të rriturve, por sasia ndryshon ndjeshëm.  
  • Pas vitit të dytë, në vend të qumështit të plotë mund të ofrohet qumësht me 2% yndyrë/skremuar, sasia duhet të kufizohet në rreth 500 ml. Lëng në 120 ml në ditë.
  • Nëse fëmija juaj ha shumë fruta të freskëta, perime dhe drithëra, një fëmijë i kësaj moshe nuk do të ketë nevojë për vitamina shtesë. Fëmijët më së lehti i marrin vitaminat që vijnë nga ushqimi dhe vijnë natyrshëm në kombinimet më të mira.
  • Zakonet e të ngrënit që duhet të shmangen janë; përdorimi i një shisheje, sasi më të mëdha të ëmbëlsirave, lëngje të trasha, drithëra të ëmbëlsuara, patate të skuqura, karamele.  

  

Kur dhe si duhet të hajë një fëmijë  

  • Menyja ditore duhet të përbëhet nga shujta më të vogla por më të shpeshta (zakonisht tre shujta dhe dy messhujta ndërmjet). Fëmija juaj duhet të ketë tre shujta të barabarta çdo ditë, të cilat nuk duhet të tejkalohen ose të kombinohen. Shujtat duhet të organizohen afërsisht në të njëjtën kohë çdo ditë.  
  • Mëngjesi duhet të hahet në orën e parë pas zgjimit nga gjumi sepse u ofron fëmijëve energjinë e nevojshme për të filluar ditën, dhe kur një fëmijë fiton zakonin për të ngrënë mëngjes në shtëpi, ai/ajo do të jetë më pak i/e tërhequr nga ushqimi që ofruhet në kioska dhe furra buke. Sakrifica e zgjimit herët në mëngjesshumë herë sjellë rezultate pozitive!  
  • Shujtat e tjera janë planifikuar në intervale prej dy deri në tre orë. Shujta e fundit e ditës duhet të jetë së paku një orë para kohës së gjumit.
  • Mundohuni ta pasuroni menynë e fëmijës tuaj me ide dhe mënyra të reja për të përgatitur ushqimin. Fëmijët e duan ushqimin shumëngjyrësh, të shërbyer në mënyrë tërheqëse.  
  • Messhujtat duhet të ofrohen ndërmjet shujtave, sepse është e vështirë për një fëmijë të vogël që, vetëm përmes tre shujtave kryesore, t'i marrë kaloritë dhe lëndët ushqyese që i nevojiten. Ato janë gjithashtu të përshtatshme për futjen e ndonjë ushqimi të ri, dhe shpeshherë fëmija do ta pranojë atë ushqim të ri, me kusht që të ketë së pari një messhujtë.  

Zakonet e duhura të të ushqyerit që krijohen në fëmijëri zgjasin një jetë të tërë  

Zakonet që kemi përfituar në vitet e para na ndjekin gjatë gjithë jetës sonë. Kjo është arsyeja pse është me rëndësi të pamatshme t’i mësoni fëmijës tuaj zakone të të ushqyerit të shëndetshëm, në mënyrë që të eliminohen shumë faktorë negativ që ndikojnë jo vetëm në zhvillimin e shumë sëmundjeve por ndikojnë edhe në rritjen dhe zhvillimin e duhur të fëmijës. Një nga dhuratat më të çmuara që mund t'i bëjmë një fëmije është të mësojë të bëjë zgjedhjet e mira vetë kur bëhet fjalë për ushqimin, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur dhe të gatshëm t'i thonë jo shumë prej alternativave të këqija që janë lehtësisht të disponueshme në ditët e sotme.  

Të ushqyerit është më shumë se sa ushqim  

Jeni ju që përcaktoni:  

  • Çfarë ha fëmija - të gjitha llojet e ushqimeve: drithëra, fruta, perime, mish, peshk, vezë, qumësht dhe produkte qumështi.
  • Kush ushqen fëmijën ose mbikëqyr ushqyerjen (kjo punë nuk mund t'u lihet fëmijëve më të rritur!).
  • Kur ha fëmija - nëse është e mundur, afërsisht në të njëjtën kohë: mëngjes, messhujtë, drekë, messhujtë, darkë. Fëmijës i duhen zakone dhe rutina që krijojnë një ndjenjë sigurie.
  • Ku ha fëmija - në tavolinë, fëmija më i vogël në karrigen e lartë për ngrënie, fëmija më i rritur në karrige normale. Kur është e mundur, mblidhni më shumë anëtarë të familjes në kohën e ngrënies.  

Fëmija përcakton  

  • Nëse ai/ajo do të hajë apo jo atë që i ofrohet. Nëse fëmija juaj thotë jo, ofroni përsëri (deri në dhjetë herë) një pjesë të ushqimit që fëmija nuk e pranon. Ndoshta në ndonjë formë tjetër, të përzier me ndonjë ushqim tjetër që i pëlqen të hajë. Gjithashtu, përgatituni të keni durim dhe mirëkuptim.  
  • Sa do të hajë ai/ajo. Vendosni më pak në pjatë, dhe pastaj shtoni më shumë nëse është e nevojshme. Mos e detyroni fëmijën të hajë gjithçka që vendosni në pjatë. Lëreni fëmijën më të vogël të hajë me gishta dhe mësojeni fëmijën më të rritur të përdor takëmet. Lejohet njollosja e lehtë në pjatë dhe në rroba.  

  

Për rritjen optimale dhe zhvillimin e fëmijës suaj dhe krijimin e zakoneve të mira, është e rëndësishme jo vetëm se çfarë dhe sa ha fëmija, por edhe kur, si dhe ku ha fëmija, kush e ushqen ose mbikëqyr fëmijën gjatë të ushqyerit. Në moshën dy vjeç, fëmija juaj ka zhvilluar aftësi motorike mjaftueshëm të mira për të ngrënë pa ndihmë dhe duhet të lejohet ta bëjë këtë. Duhet të toleroni ndonjëherë 'mungesën e sjelljes' së fëmijëve në tryezë dhe rrëmujën që shkaktohet. Thjesht vazhdoni t'u tregoni sjelljet tuaja të mira, fëmija do të mësojë nga ju. Një fëmijë në këtë moshë duhet të përcaktojë se çfarë i pëlqen ose nuk i pëlqen, gjë që mund të kërkojë përpjekje nga ju, dhe shpeshherë vonon kohën e ngrënies.    

Në moshën tre vjeç, fëmija mund të përdorë lugë dhe pirun. Ai/ajo ka shumë gjasa të kërkojë ushqimin e preferuar (shpesh ëmbëlsirat) dhe ai/ajo mund të kërkojë të njëjtin ushqim për disa ditë me radhë. Fëmijëve u pëlqen të ndihmojnë në kuzhinë dhe të luajnë kinse po gatuajnë. Mësoni fëmijën tuaj që në moshë të vogël të hajë në tryezë, të përtypë çdo kafshatë dhe të mos nxitojë ose të mos flasë kurrë gjersa e ka gojën plotë. Nëse fëmija juaj rritet duke shijuar të ngrënit me pjesën tjetër të familjes, ai/ajo do të mësojë se koha e të ngrënit është një kohë për shoqërim dhe momente të këndshme familjare.  

Bëhuni shembull për fëmijën tuaj! Fëmijët e vegjël shikojnë dhe përvetësojnë zakonet e prindërve dhe familjes së tyre, pavarësisht nga ato që u themi dhe nga ajo që i këshillojmë. Kujdesi për një dietë të shëndetshme për fëmijët është gjithashtu një mundësi që familja të rishikojë zakonet e veta të ngrënies dhe të bëjë disa ndryshime pozitive. Është më lehtë të ndjekim hapa të vegjël dhe t'i përfshijmë në zakonet tona të përditshme. Mund të habiteni se si ndryshimet e vogla mund të çojnë në përparim të madh në shëndetin e familjes suaj.