Trajtimi i zënkave mes vëllezërve e motrave
Zënkat mes vëllezërve e motrave: kur të ndërhyjmë
Ndonjëherë funksionon të qëndroni larg një zënke mes vëllezërve e motrave, sepse kjo ua jep fëmijëve mundësinë që ta zgjidhin vetë. Por është e rëndësishme të dini se kur duhet të ndërhyni për ta ndërprerë një zënkë mes vëllezërve e motrave.
Kur një mosmarrëveshje shndërrohet në zënkë fizike ose përfshin të bërtitura apo ofendim ose emra fyes, duhet ta ndërprisni para se dikush të lëndohet.
Vëmendja e madhe në fakt mund t'i nxisë zënkat. Kjo sepse fëmijët duan çdo lloj vëmendje, madje edhe vëmendjen për sjellje të keqe. Nëse do t'u kushtoni vëmendje fëmijëve kur ata zihen, përpiquni ta shfrytëzoni rastin për t'i ndihmuar ata të mësojnë aftësi për shmangien e zënkave dhe zgjidhjen e problemeve në të ardhmen.
Ndërprerja e zënkave mes vëllezërve e motrave: hapat
Ja çfarë të bëni kur të fillojë një zënkë:
- Ndaloni zënkën para se të fillojë e qara. Kjo mund të kërkojë ndarjen fizike të fëmijëve tuaj, ose dërgimin e tyre në anët e kundërta të dhomës për t'u qetësuar.
- Ruani qetësinë. Kjo mund të tingëllojë e pamundur, por ideja është që mos t'i përkeqësojmë gjërat. Mundohuni të kurseni energjinë tuaj për të dhënë reagime pozitive për sjelljen që dëshironi të inkurajoni.
- Tregojuni fëmijëve që do të flisni më vonë për këtë. Fëmijët shpesh janë shumë të mërzitur për ta pranuar menjëherë atë që po thoni. Prisni derisa gjërat të qetësohen përpara se të flisni për këtë çështje. Kjo mund të jetë edhe të nesërmen, me fëmijët më të rritur.
Nëse fillon një zënkë ndërsa jeni duke vozitur, gjithmonë ndaluni. Nëse ktheni kokën për të biseduar me fëmijët ose për t'i ndarë, kjo largon vëmendjen tuaj nga rruga.
Trajtimi i zënkave mes vëllezërve e motrave në mënyrë konstruktive: këshilla
Këto këshilla mund të bëjnë më të lehtë qetësimin e gjërave kur fillojnë zënkat mes vëllezërve e motrave:
- Trajtoni drejtë të gjithë fëmijët. Por mos harroni se trajtimi i drejtë nuk është domosdoshmërisht trajtim i njëjtë. Për shembull, mund të mos jetë e mundur të trajtohet një fëmijë gjashtë vjeç njëjtë sikur një fëmijë dy vjeç.
- Shmangni krahasimet negative. Nëse thoni p.sh.: “Ti është dashur ta dish më mirë sepse je më i rritur se ai” ose “Ti je ai problematiku”, kjo mund ta bëjë fëmijën të ndihet edhe më i lënduar ose i inatosur.
- Identifikoni shkakun e zënkës. Kjo ju ndihmon ta gjeni zgjidhjen më të mirë. Për shembull, nëse një fëmijë ka marrë një lodër nga vëllai ose motra, duhet të ndërhyni. Nëse nuk e bëni këtë, fëmija mëson se zënka është mënyrë për të marrë atë që dëshironi. Vëzhgimi i fëmijëve tuaj është sekreti për ta ditur arsyen e zënkave – dhe për të vendosur për mënyrën e duhur për ta trajtuar atë.
- Përdorni rregullat e familjes për t'i bërë të qarta pritjet për sjelljen. Mund t'ua përkujtoni fëmijëve tuaj rregullin përkatës të familjes dhe ta zbatoni vazhdimisht, me çdo pasojë.
- Krijoni një plan. Kjo do të thotë të mendoni se si do t'i trajtoni mosmarrëveshjet e vogla, si dhe zënkat e mëdha. Për shembull, mund t’i ndihmoni fëmijët t'i zgjidhin së bashku mosmarrëveshjet e vogla, por mund të vendosni të përdorni pasoja për zënka që përfshijnë dhunë fizike ose për zënka që ndodhin pasi të gjithë keni rënë dakord për një zgjidhje të një problemi.
Zgjidhja e problemeve pas një zënke mes vëllezërve e motrave: hapat
Ajo që bëni pas një zënke mund t'i ndihmojë fëmijët të mësojnë se si t'i zgjidhin vetë problemet e tyre në të ardhmen. Për rezultate më të mira, prisni derisa të “ftohen gjakrat” dhe fëmijët të jenë gati të mendojnë arsyeshëm përsëri.
- Tregojuni fëmijëve se çfarë planifikoni të bëni. Për shembull: “Kam vendosur që asnjëri prej jush të mos e përdorë kompjuterin derisa të gjejmë një mënyrë për t'i ndalur zënkat. A po kuptoni? A jeni të gatshëm të punoni në zgjidhjen e problemit tani?”
- Kërkojuni të dy fëmijëve të thonë se ku mendojnë se qëndron problemi. Nxitini të përpiqen ta shohin atë nga këndvështrimi i tjetrit, si dhe nga këndvështrimi i tyre personal. Mund t'u thoni atyre se dy njerëz mund të mos jenë dakord edhe kur të dy kanë këndvështrime të vlefshme.
- Kërkojuni të dy fëmijëve të thonë atë që duan të ndodhë. Ju gjithashtu mund t'i ndihmoni ata të mendojnë për pritjet e tyre. Për shembull, “Rron, a është e drejtë që ti të kesh kompjuterin gjatë gjithë kohës?”
- Bëni së bashku një “stuhi mendimesh”. Lërini fëmijët të thonë lloj-lloj idesh se si të zgjidhet problemi dhe inkurajojini ata pa gjykuar idetë e tyre. Jepni disa ide tuaja dhe shkruajini të gjitha.
- Vlerësoni idetë. Filloni duke u kërkuar fëmijëve të mendojnë se cilat ide nuk do të funksionojnë. Pastaj kërkoni zgjidhjen me më shumë përfitime dhe më pak pengesa. Për shembull: “A mendon dikush që kjo mund të funksionojë?” “Çfarë të mirash (ose të këqijash) do të sillte kjo?”
- Nëse nuk mund të gjeni një zgjidhje në fillim, kthehuni më vonë. Mund t'u kërkoni fëmijëve të largohen dhe të mendojnë disa ide së bashku, ose t'i pyesni të tjerët që kanë pasur probleme të ngjashme. Ose mund të kërkoni ide në librat ose uebfaqet për prindër.
- Pasi të keni rënë dakord të gjithë për një qasje, provoni zgjidhjen dhe shikoni se si shkon. Filloni përsëri nëse gjërat nuk përmirësohen.
Trajtimi i emocioneve tuaja
Është normale nëse ndiheni të stresuar kur fillojnë zënkat. Është gjithashtu normale nëse disa çështje ju shqetësojnë më shumë se të tjerat, dhe nëse ndonjë ditë mërziteni më shpejt.
Por, nëse qëndroni i qetë, kjo mund t'ju ndihmojë vërtet. Nëse situata është e sigurt dhe nuk keni nevojë të ndërhyni menjëherë, mund t'ju ndihmojë nëse ndaleni, numëroni deri në 10 dhe më pas veproni.
Ato 10 sekonda shtesë shpesh janë të mjaftueshme për t'i qetësuar emocionet tuaja. Nëse kjo nuk ju ndihmon, ndoshta mund të kërkoni nga një tjetër i rritur që të merret me këto gjëra, ndërsa ju kaloni pak kohë jashtë.
Për më shumë ide, lexoni artikujt tonë mbi stresin, zvogëlimin e stresit dhe frymëmarrjen për relaksim.
Kur të kërkoni ndihmë për zënkat mes vëllezërve e motrave
Nëse fëmijët tuaj janë shumë agresivë ose të pasjellshëm ndaj njëri-tjetrit për një kohë të gjatë, është koha të kërkoni ndihmë.
Kjo lloj zënke mund të jetë shqetësuese për fëmijët dhe mund të çojë në probleme të ardhshme me marrëdhëniet. Pra, nëse shqetësoheni se si sillen fëmijët tuaj kur nuk pajtohen, është më mirë të flisni me një profesionist. Filloni duke biseduar me mjekun e përgjithshëm të fëmijës suaj.
Ndonjëherë zënkat mes fëmijëve shkaktohen nga një gjendje shëndetësore siç është çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes (ADHD), që e bën të vështirë për fëmijët të menaxhojnë sjelljen e tyre. Nëse jeni të shqetësuar për sjelljen e fëmijëve tuaj në përgjithësi, është gjithashtu ide e mirë të flisni me një profesionist.
Dhe nëse ndiheni të mbingarkuar ose të stresuar nga zënkat, ia vlen të merrni mbështetje. Mund të filloni duke biseduar me familjen, miqtë dhe prindërit e tjerë. Nëse keni nevojë për këshillë menjëherë, mund të provoni të thërrisni në linjë telefonike të dedikuar për këtë çështje.