Urinimi i fëmijëve në shtrat
Shkaqet e urinimit në shtrat
Urinimi në shtrat ndodh kur fëmijët nuk zgjohen gjatë natës kur duhet të urinojnë. Fëmijët nuk e lagin shtratin me qëllim.
Ekzistojnë disa shkaqe të ndryshme të urinimit në shtrat te fëmijët.
Disa fëmijë urinojnë në shtrat sepse bëjnë gjumë shumë të thellë, disa prej tyre prodhojnë sasi më të mëdha të urinës gjatë natës sesa zakonisht, ndërsa disa fëmijë kanë fshikëza të vogla, që do të thotë se kanë më shumë gjasa ta lagin shtratin gjatë natës.
Urinimi në shtrat shpesh trashëgohet në familje. Nëse ju keni urinuar në shtrat si fëmijë, edhe vetë fëmijët tuaj mund të kenë më shumë gjasa të urinojnë në shtrat. Megjithatë, nuk do të thotë që është faji juaj, nëse fëmija urinon në shtrat.
Nganjëherë për ju urinimi në shtrat mund të jetë zhgënjyese dhe shqetësuese, prandaj është mirë të dini se ekzistojnë trajtime efektive të urinimit në shtrat, të cilat mund ta ndihmojnë fëmijën.
Simptomat e urinimit në shtrat
Urinimi në shtrat ndodh natën. Disa fëmijë urinojnë në shtrat çdo natë. Të tjerët urinojnë vetëm disa herë në javë, një herë në javë ose një herë në muaj.
Urinimi në shtrat gjatë ditës është veprim aksidental, që ndodh derisa fëmija juaj është i/e zgjuar. Kjo është shumë më pak e zakonshme se urinimi në shtrat. Urinimi gjatë ditës shkaktohet më shpesh nga një gjendje mjekësore ose stresi. Konsultohuni me mjekun nëse fëmija urinon në vete gjatë ditës.
Kur duhet ta vizitoni mjekun në lidhje me urinimin në shtrat
Nëse shqetësoheni për urinimin në shtrat të fëmijës, ose nëse shkakton probleme për fëmijën dhe familjen tuaj, mund të vizitoni mjekun për këshilla në lidhje me trajtimin dhe menaxhimin e rastit.
Për shembull, mund të vizitoni mjekun nëse fëmija edhe në moshën shtatë vjeçare, ende e urinon shtratin rregullisht dhe:
- shqetësoheni për mënyrën se si fëmija do të menaxhoj gjumin tek një shok/shoqe ose kur shkoni diku….me pushime ose mysafir
- urinimi në shtrat ka filluar ta bëj merak ose ta shqetësojë fëmijën.
Është shumë e rëndësishme ta vizitoni mjekun nëse fëmija ka filluar përsëri të urinoj në shtrat pas një kohe kur ai/ajo gati se asnjëherë nuk urinonte natën, pasi që këto mund të jenë simptomat e para të një gjendjeje më serioze, siç janë infeksioni ose diabeti ose mund të lidhet me stresin emocional si lindja e një vëllai ose motre.
Trajtimi i urinimit në shtrat
Ngritja dhe zgjimi:
Ngritja është kur e ngrini fëmijën tuaj nga shtrati kur është akoma në gjumë dhe e çoni në tualet për të urinuar. Zgjimi ndodh kur e zgjoni dhe e dërgoni fëmijën në tualet për të urinuar. Ju mund ta bëni këtë para se vetë të shkoni në shtrat, ose në një orë të caktuar gjatë natës.
Ngritja dhe zgjimi mund të ndihmojë në ndalimin e urinimit në shtrat në një periudhë afatshkurtër, por zakonisht nuk e ndërpret plotësisht urinimin në shtrat. Nuk është një zgjidhje afatgjatë.
Pirja e lëngjeve:
Është e rëndësishme që fëmija juaj të pijë ujë rregullisht gjatë gjithë ditës për të qëndruar i hidratuar, madje edhe nëse urinon në shtrat.
Nëse fëmija juaj pi shumë ujë gjatë ditës, mund të shmangë pirjen e shumë lëngjeve para gjumit. Pirja e shumë lëngjeve para gjumit mund ta rrisë nevojën e fëmijës suaj për të urinuar gjatë natës dhe mund të çojë në urinim në shtrat. Nëse fëmija ka etje para gjumit, kjo mund të jetë një shenjë që atij/asaj nuk i ka mjaftuar ajo që e ka pirë gjatë ditës.
Më së miri për fëmijën tuaj është ta shmangë çdo pije me kafeinë në mbrëmje - për shembull, kola, çaj, kafe ose çokollatë të nxehtë. Këto pije e rrisin sasinë e ujit në trupin e fëmijës.
Alarmet e urinimit në shtrat:
Alarmi i urinimit në shtrat është një pajisje, që bën një zhurmë dhe e zgjon fëmijën tuaj kur urinon në shtrat.
Alarmet e urinimit në shtrat funksionojnë duke e trajnuar fëmijën tuaj që të zgjohet kur fillon të urinojë në shtrat. Alarmet e ndihmojnë fëmijën të fillojë ta kuptojë, kur fshikëza e është e mbushur dhe të mësojë ta mbajë, ose të zgjohet dhe të shkojë në tualet. Ideja është që kur alarmi të bie, fëmija zgjohet para se të zbrazë plotësisht fshikëzën.
Nëse vendosni të përdorni një alarm për urinimin e shtratit, mund të flini në dhomën e fëmijës javën e parë apo më shumë, në mënyrë që ta ndihmoni atë të ngrihet shpejt dhe të shkojë në tualet. Ju mund të keni nevojë ta qetësoni nëse është i/e dëshpëruar ose i/e hutuar nga tingulli i alarmit.
Mjeku do t'ju tregojë nëse alarmi i urinimit në shtrat është opsioni i duhur për fëmijën dhe familjen tuaj.