Gjumi i fëmijëve parashkollorë: çfarë të presësh
Gjumi i fëmijëve parashkollorë: çfarë duhet të dini
Fëmijët e moshës 3-5 vjeç kanë nevojë për rreth 10-13 orë gjumë në natë. Disa mund të kenë nevojë gjithashtu për gjumë të ditës prej 30 minuta deri një orë.
Gjumi është i rëndësishëm për shëndetin, rritjen dhe zhvillimin e fëmijës tuaj parashkollor. Kur fëmijët flenë mirë, ata/ato janë më të qetë dhe më të lumtur gjatë ditës. Sasia e duhur e gjumit gjithashtu forcon sistemin imunitar të fëmijës tuaj dhe zvogëlon rrezikun nga infeksionet dhe sëmundjet.
Ankthet e natës dhe ëndrrat e këqija
Ankthet e natës dhe ëndrrat e këqija janë mjaft të zakonshme tek fëmijët parashkollorë. Ankthet e natës dhe ëndrrat e këqija ndodhin në periudha të ndryshme të natës dhe ato duhet të menaxhohen në mënyra të ndryshme.
Ankthet e natës
Ankthet e natës ndodhin në orët e para të natës, kur fëmijët janë në gjumë të thellë. Nëse fëmija juaj po përjeton një ankth nate, ai/ajo në fakt është në gjumë edhe pse duket sikur është zgjuar. Për shembull, sytë e tij/saj mund të jenë të hapur ose ai/ajo mund të jetë duke lëvizur përreth. Por ai/ajo nuk do t'ju përgjigjet si zakonisht. Ankthet e natës mund të jenë të frikshme për t'u parë, por ato nuk janë të dëmshme për fëmijën tuaj.
Mos e zgjoni fëmijën tuaj gjatë një ankthi të natës, sepse kjo shpesh e bën atë të zgjasë më shumë. Në vend të kësaj, prisni që fëmija juaj të ndalojë së qari dhe së përplasuri. Kthejeni përsëri në shtrat nëse ai/ajo është ngritur nga shtrati. Fëmijët zakonisht qetësohen dhe kthehen shpejt në gjumë pas një ankthi të natës dhe nuk ju bie në mend për të në mëngjes.
Ëndrrat e këqija
Ëndrrat e këqija priren të ndodhin në gjysmën e dytë të natës, kur fëmijët ëndërrojnë më shumë. Ato lidhen me zhvillimin e imagjinatës së fëmijëve parashkollorë. Nëse fëmija juaj po përjeton një ëndërr të keqe, ai/ajo mund të zgjohet i/e mërzitur. Ai/ajo do të jetë në gjendje të kujtojë ëndrrën e keqe dhe të flasë me ju.
Nëse fëmija juaj po përjeton një ëndërr të keqe, ai/ajo do të ketë nevojë për përqafime, rehati dhe siguri - për shembull, ‘Ëndrrat e këqija janë shumë të frikshme, apo jo?’ Fëmijës suaj mund t'i duhet pak kohë që të kthehet në gjumë.
Rutina e kohës së gjumit
Gjumi ndonjëherë mund të vijë më ngadalë për fëmijët parashkollorë, sepse ata janë të zënë duke menduar për atë që ka ndodhur gjatë ditës edhe pasi të shkojnë në shtrat. Një rutinë pozitive e kohës së gjumit mund të ndihmojë me këtë, veçanërisht nëse e ndiqni rutinën në mënyrë të vazhdueshme, si gjatë javës ashtu edhe gjatë fundjavave.
Shumica e fëmijëve parashkollorë janë gati për të fjetur rreth orës 19:00, veçanërisht nëse ata kanë pasur një ditë të mirë në institucionin e tyre parashkollor. Por disa mund të kërkojnë gjithnjë e më shumë storje (përralla) para gjumit si një taktikë vonuese. Ju mund të vendosni një rregull me dy ose tre libra për kohën e gjumit, me premtimin për të lexuar më shumë gjatë ditës.
Nëse fëmija juaj merr një cucëll (biberon) në shtrat, merreni në konsideratë ta inkurajoni atë që ta lëshojë cucllën (biberonin) rreth kësaj kohe.
Ngritja nga shtrati pas kohës së gjumit
Fëmija juaj parashkollor mund të kalojë një fazë të thirrjes nga shtrati ose ngritjes nga shtrati pasi t'i keni thënë natën e mirë. Provoni këto këshilla:
- Shmangni lojërat e zhurmshme, si dhe shikimin e televizorit dhe përdorimin e kompjuterëve, telefonave ose tabletave afër kohës së gjumit. Këto aktivitete mund ta bëjnë më të vështirë që fëmija juaj të qetësohet.
- Vendosni një rutinë konsistente/të qëndrueshme dhe qetësuese para gjumit.
- Sigurohuni që dhoma e fëmijës tuaj të jetë e qetë, me ndriçim të lehtë dhe as shumë e nxehtë e as shumë e ftohtë.
- Para se të dilni nga dhoma, kontrolloni nëse fëmija juaj ka gjithçka që i nevojitet për të fjetur, si lodrën ose batanijen e tij/saj të preferuar përkëdhelëse. Kujtojini atij/asaj që të qëndrojë i/e qetë në shtrat.
- Nëse doni të krijoni një rutinë që nuk përfshin të shkoni tek fëmija juaj sa herë që ai/ajo thërret, përpiquni të jeni konsistent dhe të përgjigjeni vetëm nëse mendoni se ai/ajo vërtet ka nevojë për diçka.
- Nëse fëmija juaj ngrihet nga shtrati, me qetësi kërkojini atij/asaj të kthehet në shtrat. Thuaj atij/asaj që je në dhomën tjetër. Përsëriteni këtë vazhdimisht dhe në heshtje derisa fëmija juaj të mos ngrihet më.
Ndonjëherë fëmija juaj mund të ketë vërtet nevojë për diçka. Nëse fëmija juaj ka frikë nga një përbindësh nën krevat, kontrolloni shpejt dhe tregoni fëmijës tuaj se nuk ka përbindësha aty. Fëmija juaj mund të qetësohet pas kësaj. Nëse fëmija juaj ka frikë nga errësira, mendoni të përdorni një dritë nate.
Nëse fëmija juaj ka probleme me gjumin, shpesh është më mirë t'i trajtoni ato duke përdorur strategji të sjelljes të tilla si rutinat e kohës së gjumit. Ilaçet e gjumit zakonisht nuk janë zgjidhje për problemet e gjumit të fëmijëve.