Koha para ekranit: foshnjat dhe fëmijët e vegjël

Rekomandohet që fëmijët nën moshën dyvjeçare nuk duhet të rrinë para ekranit me përjashtim të rasteve kur janë duke zhvilluar video-biseda me njerëzit që njohin. Ju mund ta ndihmoni fëmijën duke i mësuar zakone të shëndetshme në lidhje me shfrytëzimin e ekranit. Duhet të jeni të vëmendshëm për atë çfarë mund të shohë fëmija në ekran, sepse disa prej pamjeve ose kanaleve mund t'i krijojnë probleme fëmijës suaj.
Body

Koha para ekranit për fëmijët e vegjël

Në studimet ndërkombëtare rekomandohet që fëmijët nën moshën dyvjeçare të mos qëndrojnë para ekranit (të televizorit, të celularit, të kompjuterit etj.) përveç çasteve kur shohin ose flasin në ekran me familjarët e tyre.

Fëmijët e vegjël mësojnë më mirë nga përvojat e botës që i rrethon, nga lojërat fizike, lojërat në natyrë, të lexuarit, lojërat krijuese dhe kalimi i kohës së lirë me familjarët dhe miqtë.

Bashkëbisedimi nëpërmjet ekranit nuk është gabim, sepse fëmija komunikon me një person tjetër dhe zhvillohet nga ana gjuhësore dhe sociale. Gjithashtu, edhe për arsye të kufizimit të takimeve për arsye të pandemisë, komunikimi nëpërmjet ekranit mundëson lidhjet me familjarët dhe miqtë.

Nëse fëmija juaj do të ekspozohet ndaj rrjeteve sociale, aplikacionet ose programet televizive (për shkak se fëmijët më të mëdhenj po merren me to), është e rëndësishme të kufizoni rreptësisht kohën dhe të kujdeseni që përmbajtja e tyre të jetë cilësore dhe e përshtatshme për moshën e tij/saj.

Zakone të shëndetshme për kalimin e kohës para ekranit

Edhe nëse ju nuk e ekspozoni para ekranit, fëmija ju sheh se si i përdorni dhe fillon të mësojë të rrijë apo të kalojë kohë para ekranit, njësoj si ju.

Edhe kur fëmija juaj është shumë i vogël, mund të filloni të jepni nje model të shëndetshëm të përdorimit të ekranit për të ardhmen. Për shembull, ju mund:

  • të fikni telefonin gjatë darkës,
  • të fikni televizorin kur të keni mbaruar së pari një program,
  • të mbani në ekuilibër përdorimin e celularit, të tabletit, të kompjuterit, televizorit etj., me veprimtari në natyrë, me lexime librash dhe me aktivitet fizik,
  • t’i kushtoni fëmijës vëmendjen tuaj të plotë dhe të minimizoni kontrollimin e celularit tuaj kur jeni duke luajtur ose duke e ushqyer.

Ekspozimi ndaj ekranit

Familjarët tuaj mund të kenë një numër pajisjesh si celular, televizor, kompjuter dhe tablet. Kjo do të thotë që fëmija juaj mund të shohë imazhe kur të tjerët i përdorin ato.

Eshtë mirë të jeni të vetëdijshëm për atë çka shikon fëmija juaj.  Për shembull, disa imazhe në lajme ose lojëra mund të jenë mjaft të dhunshme dhe shqetësuese, edhe për fëmijët shumë të vegjël që mund të mos e kuptojnë plotësisht atë që po shohin.  Mbrojini fëmijët e vegjël nga këto lloj imazhesh dhe merrni parasysh ndikimin e tyre edhe tek fëmijët më të mëdhenj.