Lidhja e fortë emocionale me prindërit është vendimtare për zhvillimin e fëmijës

Lidhja e fortë emocionale me prindërit është faktor kryesor në zhvillimin e foshnjës (por edhe më vonë në jetë). Kur fëmija ndihet i sigurt dhe i dashur, është më i gatshëm dhe i guximshëm për ta eksploruar botën rreth vetes. Është mënyra si një fëmijë mëson, zbulon, si dhe zhvillon aftësitë e komunikimit, marrëdhëniet me të tjerët, aftësitë motorike dhe të folurit.
Body
Një lidhje e fortë emocionale me prindërit është thelbësore për zhvillimin e fëmijës!

Nga këndvështrimi i foshnjës, siguria emocionale nënkupton perceptimin dhe përvojën që prindi, para së gjithash, i njeh dhe kupton nevojat e tij/saj, qofshin ato fiziologjike (ushqim, zgjim, gjumë, kujdes), emocionale ose sociale (nevoja për përkatësi, butësi, qetësim, rregullim/menaxhim të emocioneve, inkurajim, mbështetje, emërtimin e një situate të re, hulumtim, mësim etj). Më tej, për fëmijën siguria emocionale nënkupton perceptimin që prindi është i gatshëm dhe në gjendje t’i përgjigjet këtyre nevojave. Kjo është arsyeja pse lidhja emocionale që ndjen foshnja juaj është formuar nga gjërat që bëni së bashku, mënyra se si kaloni kohë me foshnjën tuaj dhe si ndihet ajo me ju.

Siguria emocionale zhvillohet kur ju vazhdimisht, ngrohtësisht dhe butësisht, i përgjigjeni nevojave të foshnjës suaj. Prandaj, për një lidhje të fortë emocionale dhe  një zhvillim të shëndetshëm, themelet duhen hedhur herët në jetë duke filluar me buzëqeshjet, butësinë, bisedat me foshnjën, përqafimet, kohën e veçantë dedikuar lojës dhe kënaqësisë së bashku. Gjatë kohës që fëmija juaj rritet, ju do të njihni edhe mënyra të reja të lidhjes me të.