Të bëhesh baba: përshtatja me atësinë!

Përvetësimi i përvojës praktike është mënyra më e mirë për të ndërtuar aftësitë dhe besimin tuaj si një baba i ri. Ndryshimet në marrëdhënie janë normale. Biseda me partneren tuaj është mënyra më e mirë për t’i trajtuar këto ndryshime dhe për t’u kujdesur për marrëdhënien tuaj. Puna në ekip e prindërve është e dobishme për ju edhe për foshnjen tuaj. Kjo ka të bëjë me komunikimin, marrjen e vendimeve të përbashkëta dhe zgjidhjen e problemeve në mënyrë pozitive. Ju dhe partnerja juaj mund të keni nevojë t’i shqyrtoni rolet tuaja brenda dhe jashtë shtëpisë.
Body

Baballarët e rinj: angazhimi me foshnjen tuaj të porsalindur

Ju mund të ndiheni të shokuar në fillim, por baballarët e rinj janë të përgatitur plotësisht me rolin e atësisë. Baballarët janë po aq të mirë sa nënat në njohjen dhe përgjigjen ndaj nevojave të foshnjave të tyre të porsalindura. Ata janë po aq të aftë të kujdesen për fëmijët më të rritur.

Në fakt, kur kujdeseni për foshnjen tuaj, ju e bëni këtë në mënyrën që vetëm një baba mund ta bëjë. Mënyra juaj e prindërimit mund të jetë e ndryshme nga partnerja juaj, dhe përshtatja me stilet e ndryshme të prindërimit e ndihmon foshnjen tuaj të mësojë aftësitë shoqërore.

Në vijim gjeni disa këshilla për t’u angazhuar me foshnjën tuaj.

Provoni gjithçka
Veshjen, qetësimin, lojën, larjen dhe ndërrimin e pelenave - të gjitha këto janë mënyra të shkëlqyera për të krijuar lidhje me foshnjen tuaj. Aftësitë e prindërimit janë pjesërisht një çështje praktike - sa më shumë përvojë praktike që përfitoni, aq më të mirë dhe më të sigurt bëheni.

Vazhdoni të provoni
Rezistojini dëshirës për t'ia dorëzuar foshnjën nënës kur gjërat bëhen të vështira. Koha e kaluar vetëm për vetëm me të, do të rrisë besimin dhe aftësitë tuaja.

Kaloni kohë vetëm për vetëm me foshnjën tuaj
Kjo është një pjesë vërtet e rëndësishme e zhvillimit të një lidhjeje të fortë dhe të qëndrueshme. Gjithashtu është mirë për partneren tuaj, e cila do të ketë një mundësi për pushim, për të cilin ka shumë nevojë.

Tregoni dashurinë tuaj
Kur i tregoni dashuri foshnjës tuaj dhe i përgjigjeni sinjaleve të tij/saj, një hormon natyral i quajtur oksitocinë lëshohet në trurin e foshnjës tuaj. Ky hormon e bën atë të ndihet mirë dhe krijon lidhje midis qelizave nervore, duke stimuluar zhvillimin e trurit.

Gjithashtu, ju mund të imitoni shprehjet e fytyrës së foshnjes tuaj - nervozizmin, nxjerrjen e gjuhës, tingujt dhe buzëqeshjet. E gjithë kjo ndihmon në lidhjen dhe afrimitetin me foshnjen tuaj.

Flisni me foshnjen tuaj
Ndërsa kujdeseni për foshnjen tuaj, përpiquni të flisni me të për atë që po bëni. Për shembull, “Le të vishemi tani – këtë do ta veshim sipër”. Përdorimi i një zëri të ngrohtë dhe me intonacion i ndihmon të porsalindurit tuaj të ndihen të kënaqur dhe të mbrojtur.

Biseda është ushqim për trurin e foshnjave. Që nga lindja e tyre i ndihmon ata të ndërtojnë aftësitë gjuhësore dhe komunikuese. Nuk ka nevojë që foshnjat t’i kuptojnë fjalët, për të përfituar nga biseda.

Ndani kohë për lojë
Lojërat me të porsalindurin tuaj nuk kanë të bëjnë me lojërat e zakonshme dhe lodrat - kanë të bëjë me ndërveprimet midis jush dhe foshnjes tuaj. Këtu janë dhënë disa ide:

  • Lëreni foshnjën tuaj të kalojë çdo ditë kohë duke qëndruar në bark. Kjo e ndihmon në zhvillimin e muskujve dhe trurit. Nëse atij/asaj nuk i pëlqen, thjesht provojeni për një kohë të shkurtër (mos harroni se foshnjat duhet të flenë në shpinë, dhe jo në bark).
  • Luani me fjalë, këngë, vjersha dhe tregime për t’i ndërtuar aftësitë gjuhësore dhe të kujtesës. Filloni me disa tregime, që i keni më të preferuara, të cilat i keni dëgjuar kur keni qenë fëmijë.  
  • Provoni lojën kukafshehti. Një lojë e thjeshtë si kjo e ndërton marrëdhënien tuaj dhe gjithashtu hedh themelet për zhvillimin e gjuhës, mendimit, aftësive motorike, zhvillimin shoqëror dhe emocional të foshnjes tuaj.

Nivelet e larta të përfshirjes së babait ndërlidhen me aftësitë më të mira shoqërore dhe akademike të fëmijëve të tyre. Në fakt, kurrë nuk është vonë për t’u përfshirë!

Kujdesi për marrëdhënien tuaj

Shumica e çifteve vërejnë ndryshime në marrëdhënie pas lindjes së foshnjës së tyre. Në fillim, është shumë emocionuese dhe çiftet shpesh ndihen më afër. Por pas rreth një muaji, ata shpesh fillojnë të ndihen më të lodhur, të stresuar dhe të mbingarkuar nga kërkesat për kujdesin e fëmijëve dhe punët e shtëpisë.

Ndonjëherë, ata zbulojnë se kanë ide të ndryshme për jetën familjare ose prindërimin.

Biseda me partneren tuaj është mënyra më e mirë për t’u përballur me këto ndryshime dhe për t’u kujdesur për marrëdhënien tuaj. Lexoni artikuj të tjerë se si ta përballoni stresin dhe si të relaksoheni.

Deri në 15% e femrave dhe 10% e meshkujve zhvillojnë depresion paslindjes/postnatal (DPN). Lexoni më shumë për DPN te femrat, te meshkujt. Nëse mendoni se ju ose partnerja juaj po përjetoni DPN, konsultohuni me një profesionist të shëndetit sa më shpejt të jetë e mundur.  

Kuptimi i ndryshimit në marrëdhënien tuaj intime

Ardhja e foshnjes mund ta ndryshojë marrëdhënien tuaj intime me partneren tuaj. Si ju ashtu edhe partnerja juaj mund të dëshironi të ndiheni përsëri të afërt. Por marrëdhënia intime ndonjëherë mund të jetë e vështirë për shkak të lodhjes, ndryshimeve fizike pas lindjes, ndryshimeve në mënyrën se si partnerja juaj ndihet ose depresionit pas lindjes (DPN).

Shumica e çifteve e kthejnë marrëdhënien e tyre intime në rrugën e duhur. Këtu janë disa këshilla që mund tju ndihmojnë ta kaloni këtë së bashku:

  • Tregoni durim. Ju të dy po kaloni ndryshime të mëdha. Është e rëndësishme të jeni pranë partneres tuaj dhe të përpiqeni t’i kuptoni ndjenjat e saj. Shpesh, çiftet këshillohen të presin deri në kontrollin gjashtë javor pas lindjes, para se të kryejnë marrëdhënie. Të gjithë janë të ndryshëm, megjithatë, disa nëna mund të kenë nevojë të presin më gjatë.
  • Gjeni mënyra të tjera për të qenë të afërt. Provoni ta tregoni dashurinë tuaj me më shumë puthje ose përqafime, duke mbajtur duart, duke bërë masazhe ose duke bërë një banjë së bashku. Qoftë dhe një prekje kur kaloni pranë njëri-tjetrit në kuzhinë ose merrni gjëra nga makina mund t’jua kujtojnë lidhjen tuaj.
  • Ndani ngarkesën. Kur angazhoheni në kujdesin për foshnjen ose bëni disa punë në shtëpi, kjo i jep partneres tuaj më shumë kohë për t’ia kushtuar vetes.

Këto mund të jenë çështje të vështira për të biseduar. Nëse e keni të vështirë, mund të bisedoni së bashku me një këshillues/e për këto çështje.

Prindërimi si ekip

Prindërimi si ekip do të thotë të punoni drejt vlerave të përbashkëta të prindërimit, të merrni vendime së bashku, të zgjidhni problemet në mënyrë konstruktive dhe të përballoni konfliktet me qetësi.

Puna në ekip e prindërve ka disa përfitime:

  • Nëse ju dhe partnerja juaj përballeni së bashku me sfidat dhe shpërblimet e prindërimit, atëherë jeni më të fortë dhe më të guximshëm për të marrë vendime të vështira.
  • Fëmijët mësojnë se si të sillen, duke parë mënyrën se si bashkëveproni me njëri-tjetrin. Kur përballeni me sfida, zgjidhni probleme dhe i trajtoni konfliktet në mënyra pozitive dhe bashkëpunuese, ju në fakt modeloni sjelljen e mirë.
  • Kur foshnja juaj ju sheh ose ndjen se po flisni dhe kuptoheni mirë së bashku, ai/ajo ndihet i/e sigurt dhe rehat. Madje, në këtë mënyrë foshnja juaj mund të qajë më pak.

Në ditët e para, çelësi është të qëndroni pozitivë dhe të mbështesni njëri-tjetrin, ndërsa së bashku mësoni të prindëroni. Disa këshilla që mund t`ju ndihmojnë:

  • Dëgjoni interesat dhe shqetësimet e partneres tuaj. Nënat shpesh thonë se e vlerësojnë mundësinë për të ndarë atë që po ndodh me dikë që vërtet i intereson, të mirat dhe të këqijat.
  • Jini të gatshëm të ndërhyni kur është e nevojshme, në mënyrë që partnerja juaj të bëjë një pushim.
  • Mbështeteni njëri-tjetrin në praninë e fëmijëve tuaj dhe diskutojini mosmarrëveshjet kur fëmijët nuk janë pranë jush.
  • Mbani këshillat e padëshiruara për veten tuaj - ndonjëherë partnerja juaj thjesht do të dëshirojë të lirojë stresin, duke biseduar me një dëgjues të kujdesshëm.
  • Shpenzoni kohë rregullisht për të ndarë idetë në lidhje me trajtimin e problemeve. Koha ideale për ta bërë këtë, është ndërsa të dy së bashku jeni të shplodhur dhe të relaksuar.

Për më shumë informacione, lexoni për rëndësinë e punës në grup, mbështetjen e njëri-tjetrit, menaxhimin e konfliktit dhe zgjidhjen e problemeve së bashku.

Shqyrtimi i roleve të reja si prindër

Është e rëndësishme që çiftet t’i diskutojnë rolet e tyre si brenda ashtu edhe jashtë shtëpisë. Për shembull, nëse një baba dëshiron të përfshihet më tepër në kujdesin e fëmijëve, ai mund të jetë i pakënaqur, pasi punon me orë të gjata çdo ditë të javës. Në të njëjtën mënyrë, nuk është e shëndetshme për një nënë të jetë në shtëpi me orar të plotë, nëse puna e saj është e rëndësishme për të dhe ajo është e pakënaqur pa të.

Këtu janë dhënë disa pika fillestare për të biseduar:

  • Çfarë duhet bërë? Bëni një listë të kërkesave të familjes suaj, qoftë kujdesi për foshnjen, bërja e pazarit dhe larja e rrobave, gatimi, larja e enëve ose fitimi i parave. Kjo do t'ju japë një pikënisje për të planifikuar se kush mund të bëjë çfarë.
  • Sa dëshironi ose keni nevojë të punoni secili prej jush? Mundohuni të shikoni faktet si kush fiton më shumë, si dhe ndjenjat për qëndrimin në shtëpi me foshnjën tuaj.
  • Sa para ju duhen? Hartimi i një buxheti familjar mund t’ju ndihmojë të vendosni nëse njëri prej jush ose të dy mund të përballoni t’i shkurtoni orët e punës për të kaluar më shumë kohë në shtëpi, nëse kjo është ajo që dëshironi të bëni.
  • Puna e cilit është më fleksibël? Ju mund të kuptoni se një punëdhënës është më miqësor ndaj familjes se tjetri. Kjo mund të bëjë një ndryshim të madh kur ktheheni në punë.
  • Çfarë do t’ju bëjë të lumtur? Nuk ka rëndësi se kush i merr rolet në familje, përderisa të dy ndiheni të lumtur dhe të përmbushur.

Lexoni më shumë rreth ekuilibrit punë-familje për baballarët dhe zbuloni se si funksionojnë familjet e forta.