Baballarët: lindja e parakohshme dhe foshnjat prematurë
Pas një lindje të parakohshme: ndjenjat e baballarëve
Menjëherë pas një lindje të parakohshme, ju mund të jeni ai që duhet të bisedoni me mjekët, të mësoni për gjendjen e foshnjës suaj prematurë dhe t'i tregoni partneres, familjes dhe miqve tuaj se çfarë po ndodh.
Ju ndjeni se duhet të jeni të fortë, mbështetës dhe të mbani veten dhe të gjithë të tjerët së bashku. Mund të jeni të ngazëllyer për t'u bërë baba, por gjithashtu i ndarë në mes shqetësimeve tuaja për foshnjën (ose foshnjat) dhe shëndetin e partneres suaj. Ju mund të ndjeheni sikur keni humbur kontrollin, nuk mund të mbroni të dashurit tuaj, ose nuk mund të përballoni situatën. Në disa kultura, baballarët ndiejnë stigmë rreth një lindjeje të parakohshme, ose një ndjenjë turpi.
Është gjithashtu normale dhe e kuptueshme që të ndiheni të humbur ose i ndarë në mes të përgjegjësive në shtëpi — duke përfshirë kujdesin për fëmijët e tjerë — spital dhe punë.
Ju mund të dëshironi të filloni menjëherë të kujdeseni për foshnjën dhe të ndiheni i frustruar sepse nuk mundeni. Për disa baballarë, kjo gjë merr më shumë kohë për t'u ndjerë si një baba.
Me kaq shumë gjëra që ndodhin praktikisht dhe emocionalisht, është gjithashtu normale të ndjesh shumë stres pas një lindjeje të parakohshme.
Cilado qoftë situata dhe ndjenjat tuaja ato mund të harrohen, pasi fokusi i familjes dhe i stafit të spitalit është tek foshnja juaj prematurë dhe partnerja tuaj.
Baballarët: menaxhimi i ndjenjave pas një lindjeje të parakohshme
Shumë baballarë mundohen t'i anashkalojnë ndjenjat e tyre, ose kthehen në punë menjëherë si një mënyrë për të përballuar situatën.
Por njohja e emocioneve dhe nevojave tuaja është një gjë e shëndetshme që duhet bërë. Është mirë të marrësh kohë për të menduar për ndjenjat dhe nevojat tuaja. Merrni kohë edhe për veten tuaj — edhe nëse është vetëm një sy gjumë 30-minuta ose një dush i nxehtë.
Gjithashtu është ndihmuese nëse bisedon me dikë që mund ti besosh për mënyrën se si ndjehesh, si p.sh. partnerja, një shok apo anëtar i familjes. Ju gjithashtu mund të bisedoni me punonjësin social ose me një profesionist tjetër shëndetësor në spital.
Dikush më pyeti se si po e përballoja situatën duke patur një fëmijë prematurë në reanimacion. Sytë e mi u mbushën me lot, sepse askush nuk më kishte pyetur për ndjenjat e mia më parë. Stafi i spitalit prirej të bënte kontakt me sy vetëm me gruan time gjatë bisedave me ne. Unë kisha marrë tre muaj leje nga puna për të qenë me gruan dhe fëmijën tim, por kisha filluar të ndihem i tepërt dhe i padukshëm.
— Babai i një foshnje prematurë
Baballarët: lidhja me fëmijën prematurë
Si një baba, ju keni një ndikim të madh në zhvillimin e fëmijës suaj që nga lindja e tij. Të porsalindurit lindin gati për t'u lidhur me të dy prindërit.
Sa më herët të mbani fëmijën tuaj prematur dhe të përfshiheni në kujdesin ndaj tij, aq më shpejt ka shanse të ndjeni afeksion dhe dashuri për fëmijën. Dhe një marrëdhënie e ngushtë mes jush dhe fëmijës mund t'ju ndihmojë të ndiheni më mirë për veten tuaj dhe më të aftë të përballoni situatën.
Kontakti lëkurë-me-lëkurë, i njohur edhe si metoda kangur, mes jush dhe foshnjës është një mënyrë e shkëlqyer për t'u lidhur me foshnjën tuaj prematurë dhe për të filluar të ndjeheni të lidhur. Në fakt, kontakti lëkurë-me-lëkurë mund t'ju bëjë të ndiheni më shumë sikur foshnja ju përket ju. Ju gjithashtu do të filloni të ndiheni sikur doni ta mbroni dhe të kujdeseni për foshnjën tuaj, nëse nuk e keni ndjerë këtë më parë. Stafi i reanimacionit mund t'ju tregojë se si ta prekni dhe mbani fëmijën.
Edhe nëse nuk mund ta mbani fëmijën tuaj, mund të jeni në gjendje ta prekni atë përmes inkubatorit. Ndërsa foshnja juaj rritet, mund të dëshironi të bisedoni me të, t'i lexoni një libër ose t'i këndoni asaj. Kjo mund ti ndihmojë të gjithë në vendosjen e lidhjes.
Mbajtja e shënimeve dhe bërja e fotografive ose videove mund t'ju ndihmojë të ndiheni më të lidhur me foshnjën. Ju mund të mendoni se nuk do ta harroni kurrë këtë kohë në jetën tuaj, por edhe kujtimet më të forta zbehen me kalimin e kohës.
Përfshirja, ndërkohë që foshnja juaj prematurë është në spital
Ndonjëherë baballarët mendojnë se nuk ka ndonjë rol për ta kur fëmijët janë të vegjel. Ju madje mund të ndjeheni sikur jeni 'burri apo partneri', por jo 'babai '.
Të përfshihesh në kujdesin ditor të foshnjës suaj prematurë, aty ku është e mundur, është mënyra më e mirë për të ndërtuar aftësitë dhe besimin tuaj. Për shembull, mund të përfshiheni në ushqyerjen, ndërrimin e pelenave ose mund të mësoni se si t'i bëni banjë fëmijës.
Këto aktivitete krijojnë kohë që i dedikohet drejtpërdrejt fëmijës tuaj, duke përbërë kështu një bllok ndërtues për një marrëdhënie pozitive.
Foshnjat prematurë mund të mbistimulohen dhe stresohen lehtësisht. Ju mund të shihni shenja të lodhjes së foshnjes nëpërmjet gjuhës së trupit dhe shenjat jetësore, si rrahjet e zemrës dhe nivelet e oksigjenit. Është ide e mirë ti kontrolloni këto vlera së bashku me infermieren — veçanërisht në ditët e para.
Dhe nëse ndonjëherë ndiheni të lënë jashtë kujdesit ndaj foshnjës suaj, thjesht bisedoni me infermieren ose mjekun.
Kalimi i kohës me fëmijën tuaj prematur në reanimacion
Sa më shumë kohë të kaloni në reanimacion, aq më mirë është për zhvillimin e fëmijës suaj. Kjo për shkak se ju jeni duke ndërtuar marrëdhënien me fëmijën tuaj për një fillim të mirë.
Nëse mund të qëndroni në reaminacion kjo gjë mund të ndihmojë partneren tuaj të ndihet më e sigurt. Mbështetja juaj mund të rrisë mirëqenien dhe shëndetin e saj mendor, dhe të mbështesë marrëdhëniet e saj me foshnjën dhe me ju.
Nëse duhet të ktheheni në punë, çdo kohë që mund të kaloni në reanimacion është ende e mirë për fëmijën tuaj, partneren dhe ju.
Marrëdhënia juaj me partneren kur keni një fëmijë prematur
Të kesh një fëmijë prematur mund të ndikojë në marrëdhënien tënde me partneren.
Por kjo gjithashtu mund t'ju sjellë më afër partneres suaj ndërsa kaloni këtë përvojë së bashku. Shumë baballarë zbulojnë se marrëdhënia e tyre luan një rol të madh për t'i ndihmuar ato të përballen me përvojën e lindjes së një fëmije prematur.
Nëse partnerja juaj nuk mund të shkojë në reanimacion në ditët e para, ju mund të bëni një foto ose video të foshnjës suaj për t'ia dhënë partneres pas lindjes. Dëgjimi dhe shikimi i foshnjës mund të ndihmojë partneren të ndihet pak më mirë dhe më e lidhur.
Ju gjithashtu mund të ndihmoni përgatitjen e partneres për vizitën e parë, duke e informuar se çfarë e pret në reanimacion.
Edhe baballarët mund të vuajnë nga depresioni pas lindjes. Lexoni më shumë në artikullin tonë mbi depresionin tek burrat gjatë shtatëzanisë dhe pas lindjes.
Menaxhimi i përgjegjësive shtesë kur keni fëmijë prematur në spital
Kur foshnja juaj është në reanimacion, mund të ndjeheni sikur keni më shumë përgjegjësi sesa jeni gati.
Nëse keni fëmijë të tjerë, ju do të ballafaqoheni me nevojat dhe kujdesin ndaj tyre, si dhe do t'i çoni në spital në mënyrë që ata të mund të shohin nënën e tyre dhe foshnjën.
Përveçse do të shkoni në spital, do ju duhet të bëni pazar, të mbani shtëpinë të pastër, të shkoni në punë, të organizoni vizitat në spital, të çoni dhe të merrni fëmijët e tjerë.
Nëse partnerja vjen në shtëpi ndërsa foshnja është ende në spital, ajo do të jetë e zënë me shtrydhjen e qumështit të gjirit për foshnjën ose duke shpenzuar shumë kohë në spital. Kjo do të thotë që ju do të jeni i zënë me menaxhimin e shtëpisë dhe familjes për një kohë të gjatë.
Më poshtë janë disa ide për t'ju ndihmuar me menaxhimin e gjithë kësaj situate:
- Bisedoni hapur dhe sinqerisht me partneren tuaj për atë që po ndodh për të dy. Komunikimi i mirë do të ndihmojë që gjërat të funksionojnë pa probleme.
- Dakortësoni me partneren tuaj se kush bën çfarë — dhe çfarë nuk duhet bërë. Për shembull, mund të mos ketë rëndësi nëse shtëpia nuk pastrohet aq shpesh.
- Kërkojini ndihmë anëtarëve të familjes dhe miqve për kujdesin ndaj fëmijëve tuaj më të rritur.
- Kërkoni mënyra për të kursyer kohë në punët e shtëpisë.
- Shikoni mundësinë pë të marrë leje nga puna në mënyrë që të keni më shumë kohë.
- Thuaj 'Po, të lutem! ' nëse dikush ofrohet për t'ju gatuar një vakt, t'ju bëj pazarin, të marrë fëmijët dhe kështu me radhë.