Zhvillimi i foshnjave të lindura parakohe: 26-36 javë

Zhvillimi i një foshnje të lindur parakohe ndodh në të njëjtën mënyrë siç do të kishte ndodhur në barkun e nënës. Sa më parakohe që të lindin foshnjat kjo mund të ndikojë në shpejtësinë e rritjes dhe sjelljen e tyre me kalimin e kohës. Kur fëmija juaj arrin pjekurinë dhe normat e caktuara të shëndetit, rritjes dhe zhvillimit, ju do të jeni në gjendje ta çoni atë në shtëpi.
Body

Zhvillimi i foshnjave të lindura parakohe: bazat

Zhvillimi i një foshnje të lindur parakohe zakonisht ndjek të njëjtin zhvillim siç do të ndodhte në barkun e nënës.

Gjenet e foshnjës tuaj që ka lindur parakohe janë të programuara për të bërë që zhvillimi të ndodhë në një mënyrë të veçantë dhe kjo vazhdon edhe nëse fëmija juaj ka lindur më herët. Por foshnja juaj e lindur parakohe mund të ketë disa probleme shëndetësore pas lindjes dhe nëse ka qënë sëmurë kjo mund të bëjë që këto foshnja të kenë vonesa në rritje dhe zhvillim.

Të gjitha foshnjat janë të ndryshëm dhe sjellja e zhvillimi i tyre janë gjithashtu të ndryshëm. Tek foshnjat e lindura parakohe dallimet gjithashtu ndikohen nga koha e lindjes së tyre.

Për shembull, një foshnjë e lindur parakohe në moshën 32 javëshe do të sillet ndryshe nga një foshnjë e lindur në moshën 26 javëshe, e cila ka pasur shumë sfida mjekësore deri sa të arrijë në moshën 32 javëshe. Foshnjës së lindur në moshën 26 javëshe mund t’i duhet kohë shtesë për të shtuar në peshë, për të mësuar të ushqehet dhe për të zhvilluar pjesën emocionale.

Këtu janë ndryshimet që mund të prisni dhe të shikoni tek foshnja juaj e lindur parakohe gjatë kohës së qëndrimit në spital.

26 javë

Në moshën 26 javëshe, një foshnjë në barkun e nënës është e gjatë rreth 35 cm dhe peshon rreth 760 gr. Por foshnjat e lindura parakohe janë shpesh më të vogla për moshën e tyre. Një foshnjë e lindur në javën e 26 -të ndoshta do të jetë në përmasa aq sa është dora e babait të saj/tij.

Në këtë moshë, puna kryesore e foshnjës tuaj të lindur parakohe është që të rritet, të flejë dhe të jetë stabël nga ana shëndetësore dhe mjekësore.

Foshnja juaj mund të hapë sytë herë pas here, por ai nuk mund të përqëndrohet. Drita ose stimuj të tjerë vizualë mund të stresojnë organet dhe sistemet e tjera të trupit të tij. Infermierja e foshnjës suaj normalisht do të mbulojë inkubatorin me një pelenë dhe ka disa njësi të kujdesit intensiv neonatal që ulin ndricimin gjatë natës.

Lëvizjet e foshnjës tuaj shpesh janë si dridhje, shtrëngime ose si trembje. Ajo ende nuk ka ton të mirë të muskujve dhe nuk mund të mbajë kokën. Stafi i spitalit do ta vendosë foshnjën tuaj në një pozicion ku duart dhe këmbët janë të mbledhura, njëlloj sikur ishte në barkun e nënës, ja mbështet trupin e saj tek shtrati dhe do ta mbajë të ngrohtë. Kjo e ndihmon foshnjën që të rruajë energjinë e saj.

Fëmija juaj gjithashtu mund të ketë apnoe ose ndryshe ndalim të frymëmarrjes. Kjo është e zakonshme tek foshnjat e lindura parakohe sepse ajo pjesë e trurit që kontrollon dhe rregullon frymëmarrjen e foshnjës tuaj nuk është zhvilluar ende plotësisht, kështu që ndërprerjet apo pauzat midis frymëmarrjeve janë të zakonshme. Me rritjen foshnja juaj do të kontrollojë ritmikisht frymëmarrjen.

Veshët dhe strukturat e dëgjimit të foshnjës tuaj tashmë janë formuar plotësisht, por ai mund të jetë më i ndjeshëm ndaj tingujve të jashtëm. Foshnja juaj mund të njohë zërin tuaj, por ajo ende nuk mund t'ju përgjigjet.

Foshnja juaj nuk do të jetë ende në gjendje të ushqehet në gji por i jepet qumësht gjiri i shtrydhur nëpërmjet sondës që është vendosur në stomak.

Lëkura e foshnjës tuaj është e brishtë dhe e ndjeshme, dhe ajo mund të skuqet kur e masazhojmë ose e prekim. Infermierët ndoshta do t'ju inkurajojnë ta mbani fëmijën tuaj por kjo duhet të kryhet me delikatesë.

26-28 javë

Në javën 26-28, foshnjat në mitër vazhdojnë të shtojnë në peshë dhe të rriten në gjatësi. Por nëse foshnja juaj e lindur parakohe është e sëmurë, shtimi i tij në peshë mund të mos vazhdojë më me të njëjtin ritëm si në barkun e nënës. Gjithashtu, në maternitete ka protokolle të kujdesshme të të ushqyerit të foshnjës për të mbrojtur zorrën e papjekur nga infeksionet, por kjo nga ana tjetër mund të ngadalësojë shtimin në peshë.

Në këtë moshë, foshnjat fillojnë të rritin qerpikët dhe vetullat e tyre.

Foshnja juaj e lindur parakohe ka ende tonus të ulët të muskujve dhe ka të ngjarë të ketë tike dhe dridhje.

Ciklet e gjumit dhe zgjimit të foshnjës tuaj nuk janë ende të vendosura, por ajo mund të ketë periudha aktive të alteruara me periudha të qeta, por edhe periudha shumë të shkurtra axhitimi. Foshnja juaj mund të hapë sytë, por ajo me siguri ende nuk mund të përqëndrohet ose t'i kordinojë sytë e saj që të lëvizin së bashku.

Në këtë moshë, përgjigjet e foshnjës tuaj ndaj tingujve mund të ndryshojnë nga ora në orë ose nga dita në ditë. Ai mund t'i përgjigjet me tinguj apo veprime zërit tuaj, por mund të stresohet nga zhurmat e tjera dhe do të fillojnë t'ju japin disa të dhëna për atë që i pëlqen dhe nuk i pëlqen.

Foshnja juaj mund të fillojë të thithë, por ajo ende nuk mund të ushqehet me gji. Për tu ushqyer me gji, ajo duhet të dijë si të thithë, të gëlltitë dhe të marrë frymë në mënyrë të kordinuar.

Lëkura e foshnjës tuaj është ende e brishtë dhe e ndjeshme. Por nëse foshnja juaj është stabël nga ana mjekësore, ju mund të jeni në gjendje të filloni kontaktin lëkurë me lëkurë duke bërë sipas metodës ´´nëna-kangur´´.

28-30 javë

Në barkun e nënës një foshnjë në këtë moshë barre bëhet gjithnjë e më e rëndë, fillon të lëvizë më shpesh, e di ndryshimin midis disa tingujve - p.sh, zërave dhe muzikës - fillon të kapet me duart e tij dhe hap dhe mbyll sytë.

Në këtë moshë, foshnja juaj e lindur parakohe do të pozicionohet më mirë në shtrat, por ajo mund të lëvizë dhe të shtrihet më aktivisht pasi tonusi i muskujve të saj do të përmirësohet.

Gjumi i thellë, i qetë i foshnjës tuaj (kur ai nuk lëviz) dhe gjumi i lehtë (kur lëviz gjymtyrët dhe sytë) rriten rreth moshës 30 javëshe. Ju gjithashtu do të filloni të shihni periudha të shkurtra të axhitimit dhe hapjes së syve, por kjo mund të ndikohet nga shëndeti i foshnjës tuaj, mjedisi ose momentet e ditës.

Foshnja juaj po fillon të mbyllë qepallat e saj fort nëse ka shumë dritë rreth e rrotull ose direkt tek sytë e saj, por ajo ende nuk mund t'i kordinojë sytë së bashku për shumë kohë. Sytë e saj normalisht nuk do të marrin shumë stimulim në këtë moshë, kështu që kjo mund të ndihmojë në kufizimin e asaj që ajo sheh.

Fëmija juaj vazhdon t'i përgjigjet tingujve të këndshëm dhe është akoma i ndjeshëm ndaj tingujve të tjerë. Ai mund të jetë i qetë dhe i vëmendshëm ndaj zërit tuaj dhe madje mund të duket se ‘‘zgjohet‘’ kur hyni brenda. Ju mund të filloni t'i flisni ose këndoni fëmijës tuaj gjatë kohës së zgjimit edhe pse mund të jetë e shkurtër por stimuloni vetëm me një veprim në të njëjtën kohë - p.sh, kontaktin sy me sy ose ti flisni, por jo të dyja në të njëjtën kohë.

Refleksi i ‘‘katër pikave kardinale‘‘ apo ndryshe nëse ngacmohet foshnja tek këndet e buzëve dhe tek mjekra atëherë rrotullon kokën nga ajo anë, nxjerr gjuhën dhe kërkon të pijë - mund të fillojë të shfaqet në këtë moshë. Kjo do të thotë se ajo po përgatitet për ushqyerjen me gji. Ajo madje mund të fillojë të thithë, por ende nuk mund të ushqehet në gji.

Foshnja juaj mund të jetë akoma e ndjeshme ndaj prekjes, por atij i pëlqen prekja e qëndrueshme, e butë, e duarve ose kontakti lëkurë me lëkurë. Ju mund të jeni në gjendje të përfshiheni në kujdesin për fëmijën tuaj duke filluar nga ky moment. 

30-33 javë

Në këtë moshë, të gjitha organet e foshnjës po piqen. Një foshnjë e lindur në këtë moshë barre mund të mos ketë nevojë për shumë ndihmë mjekësore.

Lëvizja e foshnjës tuaj të lindur parakohe është më e qetë dhe më e kontrolluar dhe ajo do të fillojë të përkulë krahët dhe këmbët vetë.

Koha kur foshnja bën gjumë të thellë fillon të rritet vecanërisht nëse dhoma është e errët. Periudhat e tij të zgjimit  janë më të shpeshta,  por ai mbyll sytë fort nëse është dhomë e ndritshme. Kur është vigjilent, fëmija juaj mund të përqëndrohet në fytyrën tuaj ose në një objekt tjetër interesant dhe ai mund të tregojë një përgjigje të qartë ndaj zërit tuaj.

Foshnja juaj mund të pëlqejë kontaktin me sy, përqafimin ose bisedën gjatë kësaj moshe - por është akoma një ide e mirë ta mbani atë të fokusuar në një stimulim në kohën që jeni duke komunikuar me foshnjën, p.sh të mbani kontaktin me sy. Dhe gjithashtu mund të shikoni dhe të mësoheni të kuptoni gjuhën e trupit të foshnjës tuaj për shenja stresi.

Fëmija juaj mund të fillojë të thithë në mënyrë ritmike dhe të tregojë se është gati të thithë gjirin apo biberonin për tu ushqyer. Duke lejuar që fëmija juaj të nuhasë dhe të shijojë qumështin e gjirit i ngacmojmë dhe i përgatitim shqisat e tij që të jenë gati për ushqyerjen me gji. Fërkimi i butë rreth buzëve dhe brenda gojës para ushqimit e ndihmon atë që të bëhet gati për ndjesinë që të jep ushqyerja direkt nga gjiri. 

Nëse e shihni foshnjën tuaj duke vënë dorën në gojë, kjo do të thotë që ai ka filluar të qetësojë veten.

Fëmija juaj mund të jetë akoma shumë i ndjeshëm ndaj prekjes dhe kur mbahet në dorë. Ёshtë e dobishme nëse i tregoni foshnjës se çfarë jeni duke bërë - për shembull, "Ne do të ndryshojmë pelenën tuaj tani". Ajo mund të fillojë ta shoqërojë zërin tuaj me atë që po bëni.

33-36 javë

Foshnja juaj tani po i afrohet datës kur do të lindte. Por edhe kur ka mbushur 37 javë, ai nuk është domosdoshmërisht si një foshnjë e cila ka lindur në kohën e plotë të shtatzanisë.

Fëmija juaj tani mund të lëvizë më mirë dhe të përkulë krahët dhe këmbët. Ajo gjithashtu mund të lëvizë kokën nga njëra anë në tjetrën, dhe toni i muskujve është më i fortë.

Fëmija juaj do të ketë ka shumë më pak gjasa që të shfaqë apnoet apo ndërprerjet e frymëmarrjes.

Ciklet ditore të foshnjës tuaj janë të qarta - gjumë i qetë, gjumë aktiv, i përgjumur, i qetë, vigjilent, i zgjuar, i shqetësuar, ose duke qarë. Gjendjet e tij të zgjimit janë ende mjaft të shkurtra, por ato po bëhen më të gjata dhe po ndodhin më shpesh. Ai mund të ketë kohë më të gjata që qëndron i zgjuar dhe është bashkëpunues kur ju komunikoni me të dhe tani ai mund të mbyllë sytë dhe fle vetë.

Fëmija juaj ka më shumë gjasa t'i përgjigjet tingujve dhe zhurmave në të njëjtën mënyrë nga dita në ditë. Ju madje mund ta dini se si do të reagojë kur i thoni diçka.

Foshnja juaj ndoshta ende nuk qan shumë. Por ndërsa i afrohet moshës së plotë, ai do të qajë më shpesh për t’ju bërë të ditur se çfarë dëshiron. Eshtë e rëndësishme që ta dini se e qara është gjuhë komunikimi, përpiquni ta kuptoni se çfarë ju komunikon foshnja juaj nëpërmjet llojeve të ndryshme të të qarës.

Fëmija juaj zakonisht mund të fillojë të ushqehet direkt duke e vendosur në gji në këtë kohë.

Foshnja mund të jetë akoma e ndjeshme ndaj prekjes por duke folur me foshnjën e t’i tregoni se çfarë po bëni do ta ndihmojë atë që të qetësohet me kalimin e kohës.

37 javë e më tej

Fëmija juaj mund të jetë gati për të shkuar në shtëpi para datës së tij të pritshme të lindjes. Por mund të zgjasë më shumë nëse fëmija juaj është i  operuar ose është i sëmurë.

Spitali ka protokoll që vlerëson gjendjen e shëndetit, rritjen dhe zhvillimin që fëmija juaj të përmbushë para se ta çoni në shtëpi. Këto mund të përfshijnë shtimin e vazhdueshëm të peshës, ushqyerjen me gji ose ushqyerjen shtesë dhe që nuk ka probleme me apnoet apo frymëmarrjen.