Ndërtimi i marrëdhënieve të mira prind-fëmijë!
Marrëdhëniet e mira prind-fëmijë: pse janë të rëndësishme?
Marrëdhëniet e hershme më të rëndësishme të fëmijëve janë ato me prindërit e tyre.
Marrëdhëniet pozitive prind-fëmijë i ndihmojnë fëmijët të mësojnë për botën - nëse bota është e sigurt, a janë të mbrojtur, a janë të dashur, kush i do, çfarë ndodh kur qajnë ose kur qeshin dhe shumë më tepër.
Këto marrëdhënie ndikojnë në të gjitha fushat e zhvillimit të fëmijëve.
Ju mund të krijoni një marrëdhënie pozitive prind-fëmijë:
- duke qenë i pranishëm në jetën e fëmijës tuaj,
- duke kaluar kohë cilësore me fëmijën tuaj,
- duke krijuar një mjedis të kujdesshëm besimi dhe respekti.
Nuk ka asnjë formulë për të krijuar marrëdhënien tuaj prind-fëmijë, dhe do të ketë raste kur është e vështirë të lidheni me fëmijën tuaj ashtu siç dëshironi. Mirëpo nëse vazhdoni të punoni në përmirësimin e marrëdhënies tuaj, me kalimin e kohës fëmija juaj do të ndihet i/e dashur dhe i/e sigurtë.
Si ndihmon prezenca juaj në marrëdhënien prind-fëmijë?
Të qenit aty në momentin e duhur, ju ndihmon të kuptoni për mendimet dhe përjetimet e fëmijës suaj. Kjo i tregon atij/asaj se ju kujdeseni për gjërat që kanë rëndësi për të, gjë që është baza për një marrëdhënie të fortë.
Në vijim, jepen dhënë disa ide për të qenë në momentin e duhur me fëmijën tuaj:
- Shfaqni pranim, lëreni fëmijën tuaj të lirë dhe përpiquni të mos jepni udhëzime gjatë gjithë kohës. Nëse fëmija juaj dëshiron të pretendojë se blloqet e ndërtimit janë njerëz, kjo është në rregull. Ju nuk keni pse ta detyroni që t’i përdorë ato në mënyrën “e duhur”.
- Vini re se çfarë po bën fëmija juaj dhe komentojeni ose stimulojeni. Për shembull, “A është ky kubi blu shitësi? Blloku i vogël i kuq po bën pazar? Çfarë po blen ai?”.
- Dëgjojeni fëmijën tuaj dhe përpiquni të përshtateni me atë që është duke thënë. Për shembull, nëse ai/ajo po ju tregon një histori të gjatë për shumë gjëra që kanë ndodhur gjatë ditës, kjo gjë mund të tregojë se atij/asaj me të vërtetë i pëlqen mësuesi i ri ose se është në humor të mirë.
- Mendoni se çfarë po ju thotë sjellja e fëmijës suaj, e cila do t’ju japë të dhëna për atë që ai/ajo me të vërtetë ka nevojë. Për shembull, nëse fëmija juaj adoleshent qëndron në kuzhinë dhe nuk flet shumë, ai/ajo thjesht mund të dëshirojë të jetë pranë jush. Mund ta përqafoni ose ta lini t’ju ndihmojë në gatim, pa pasur nevojë të flisni.
Pjesë e të qenit në momentin e duhur me fëmijën tuaj është t’ia jepni atij mundësinë për të marrë ndonjëherë drejtimin. Për shembull:
- Kur jeni duke luajtur me fëmijën tuaj më të vogël, luani me atë që ai/ajo dëshiron të luajë, bëni si bën ai/ajo dhe vërtet argëtohuni së bashku.
- Mbështetini idetë e një fëmije më të madh duke e lënë atë të marrë vetë drejtimin - për shembull, thoni “Po” nëse ai/ajo vendos të planifikojë një drekë familjare.
- Kur fëmija juaj shpreh një opinion, shfrytëzoni bisedën si një mënyrë për të mësuar më shumë rreth asaj që ai/ajo mendon dhe ndjen.
Përsëritja ose ri-formulimi i fjalëve të fëmijës suaj, buzëqeshja dhe kontakti me sy do t’i bëjë të ditur se ju po i kushtoni vëmendje kur flisni ose kaloni kohë së bashku. Këto shprehje ngrohtësie dhe interesi e ndihmojnë fëmijën tuaj të ndihet i/e sigurt dhe të zhvillojë vetëbesimin.
Kalimi i “kohës cilësore” për të ndërtuar marrëdhënien prind-fëmijë
Marrëdhëniet pozitive prind-fëmijë ndërtohen nga koha cilësore. Koha e përbashkët është mënyra se si njiheni me përvojat, mendimet, ndjenjat dhe ndryshimin e interesave të njëri-tjetrit. Kjo është fantastike për marrëdhënien me fëmijën tuaj.
Koha cilësore mund të ndodhë në çdo kohë dhe kudo, në mes të ditëve dhe situatave të zakonshme. Mund të qeshni së bashku kur jeni duke i bërë fëmijës një dush.
Kur kaloni kohë cilësore me fëmijën tuaj, ju në fakt i tregoni atij/asaj se e vlerësoni dhe e çmoni. Ju mund të përfitoni nga koha cilësore për të komunikuar mesazhe të fuqishme pozitive me buzëqeshjet tuaja, të qeshurat, kontaktin me sy, përqafimet dhe përkëdheljet.
Përpiquni të planifikoni kohë të rregullt të veçantë për secilin nga fëmijët tuaj. Fëmijët kanë personalitete të ndryshme dhe disa fëmijë mund të kenë nevojë për më pak kohë se të tjerët - por të gjithë duhet të përfitojnë nga koha e veçantë me ju. Në ditët e ngarkuara të punës, mund të mos keni shumë mundësi për të kaluar kohë të veçantë me secilin fëmijë, por është mirë të keni ndërveprime më të gjata kur të keni mundësi.
Koha që kaloni me fëmijën tuaj, gjithashtu sjell ndryshime në mënyrën se si mëson fëmija. Për shembull, koha që kaloni duke folur me fëmijën tuaj në tre vitet e para të jetës e ndihmon atë të përvetësojë më mirë gjuhën.
Besimi, kujdesi dhe respekti në marrëdhëniet pozitive prind-fëmijë
Besimi dhe respekti janë thelbësore për një marrëdhënie pozitive prind-fëmijë.
Edhe në vitet e para me fëmijën tuaj, zhvillimi i besimit dhe i respektit është i rëndësishëm. Foshnja juaj do të ndihet e sigurt kur të mësojë se mund t’i besojë kujdestarëve të saj kryesorë për t’i përmbushur nevojat. Teksa fëmija juaj rritet, besimi dhe respekti bëhen të dyanshëm.
Ju mund ta ushqeni besimin dhe respektin në marrëdhënien tuaj. Për shembull:
- Jini gati kur fëmija juaj ka nevojë për mbështetje, kujdes ose ndihmë, qoftë ngritja e foshnjës kur rrëzohet ose marrja e fëmijës adoleshent kur ju thërret pas mbarimit të një feste. Kjo e ndihmon fëmijën të mësojë të besojë se do të jeni atje kur të ketë nevojë për ju.
- Njiheni fëmijën tuaj dhe vlerësojeni për atë që është. Nëse fëmija juaj do futbollin, motivojeni atë ose pyeteni për lojtarët e preferuar. Kjo tregon respekt për ndjenjat dhe opinionet e fëmijës dhe, gjithashtu, ia bën të ditur se mund t’ju besojë atyre.
- Lejoni që marrëdhënia të përparojë teksa fëmija juaj zhvillohet dhe nevojat, apo interesat e tij/saj ndryshojnë. Për shembull, fëmija juaj i moshës para adoleshencës mund të mos e dëshirojë më praninë tuaj kur të shkojë në park me miqtë e tij/saj, edhe pse më parë i pëlqente të luante atje me ju.
- Vendosni disa rregulla të forta dhe të drejta familjare. Rregullat janë deklarata të qarta se si familja juaj dëshiron të kujdeset dhe t’i trajtojë anëtarët e saj. Ato mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj të besojë se do të jeni i qëndrueshëm në mënyrën si e trajtoni fëmijën.