1 muaj - Njohja e njëri-tjetrit
Zhvillimi i fëmijës në muajin e 1-rë
Të komunikuarit
Çfarë kemi të re?
Gjatë muajit të parë të jetës, fëmija ka një detyrë të madhe dhe të rëndësishme, pra të njihet me mjedisin e ri në të cilin u gjend pas lindjes. Mënyra kryesore që fëmija juaj komunikon me ju gjatë kësaj periudhe është përmes të qarit. Duke qarë, fëmija dërgon mesazhe të ndryshme - se është uritur, lodhur, ka nevojë për t'u ndërruar ose thjesht ka nevojë për prekje qetësuese. Ai fillon t’i njohë tingujt - veçanërisht zërat e atyre që kujdesen për të. Atij veçanërisht i pëlqen të dëgjojë zëra të lartë, për këtë arsye nënat dhe baballarët natyrshëm përdorin një lloj "të foluri si fëmijë" me foshnjën e tyre.
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Është me të vërtetë e rëndësishme që gjithmonë t'i përgjigjeni thirrjeve të fëmijës tuaj gjatë kësaj periudhe të hershme. Ndonjëherë ju mund të mos e dini pse fëmija juaj po qan, por edhe atëherë, është e rëndësishme ta ngushëlloni atë me praninë tuaj, zërin, përqafimin, ledhatimin dhe tundjen e butë. E gjithë kjo e ndihmon atë të ndihet i sigurt. Duke i dëgjuar mënyrat e ndryshme në të cilat fëmija juaj qan, ju gradualisht do ta mësoni se çfarë po përpiqet t'ju thotë. Mos harroni - fëmija juaj nuk përkëdhelet duke e mbajtur atë në krahë, duke e ushqyer, përqafuar ose duke i folur dhe kënduar me zë të butë.
Dëgjojini të qarat e tij dhe përpiquni të kuptoni arsyen e të qarit. Fëmija mund të qajë sepse ai thjesht dëshiron që ta përkëdhelni ose sepse është i uritur, nuk ndihet rehat (pozicion i parehatshëm i trupit ose pelena të lagura), është i përgjumur, ka ngërçe ose sepse diçka tjetër po i shkakton dhimbje. Gjithmonë qetësojeni fëmijën tuaj duke i folur me zë të ngrohtë dhe qetësues duke e marrë në krahë, duke e tundur dhe përqafuar. Mos kini frikë, nuk do ta llastoni atë.
Ndjenjat
Çfarë kemi të re?
Fëmija juaj preferon më shumë se çdo gjë tjetër që të shikojë fytyrën tuaj dhe fytyrat e njerëzve të tjerë. Ju jeni epiqendra e jetës së tij. Ai dëshiron dhe ka nevojë të jetë afër jush. Kjo është marrëdhënia e tij e parë dhe është e fuqishme. Atij i pëlqen të përkëdhelet, por jo në mënyrë të shpejtë ose të vrazhdë.
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Meqenëse fëmija juaj nuk është ende në gjendje të shohë shumë gjëra në distancë, afrohuni pranë tij kur të mundeni - “Ja ku jam! Shiko! ” Mbani kontakt fizik me fëmijën tuaj sa më shpesh të jetë e mundur - mbajeni atë në krahët tuaj dhe përqafojeni atë. Mbani kontakt lëkurë me lëkurë. Flisni me të, shikojeni në sy dhe buzëqeshini teksa e ushqeni, e vishni ose e lani atë. Ndihmojeni të qetësohet duke e trajtuar ëmbël me qetësi dhe duke i folur butë.
Të menduarit
Çfarë kemi të re?
Deri tani, fëmija juaj është zhvilluar brenda hapësirës së sigurt të barkut të nënës së tij. Lindja është ndryshim i madh për të. Tani ai do të mësojë duke parë, dëgjuar dhe prekur. Gjatë kësaj periudhe, fytyrat e njerëzve janë gjëja më interesante për fëmijën tuaj. Deri në fund të muajit të parë, fëmija juaj me shumë mundësi do të jetë në gjendje të ndjekë fytyrën tuaj me sy nëse është mjaftueshëm afër (rreth 20 deri në 30cm). Gjërat që kanë ngjyra të dallueshme, kontraste - e zeza dhe e bardha ose e kuqja dhe e bardha, do të jenë gjithashtu shumë interesante për të. Ai mund ta dëgjojë dhe njohë zërin tuaj, por ndonjëherë mund të trembet nga ndonjë tingull i papritur dhe të reagojë me të gjithë trupin e tij. Në fund të këtij muaji, fëmija juaj do të jetë shumë më vigjilent dhe reagues se sa në kohën e lindjes së tij - ndryshime të mëdha ndodhin për vetëm disa javë!
Dhe çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Koha që ai kalon me ju çdo ditë është çelësi për zhvillimin e tij të përgjithshëm dhe zhvillimin e trurit të tij. Mënyra se si i përgjigjeni nevojave të fëmijës suaj do ta formojë mënyrën si ai e sheh botën dhe njerëzit në të. Është kaq e thjeshtë dhe kaq e rëndësishme.
Të lëvizurit
Çfarë kemi të re?
Edhe pse sistemi nervor i fëmijës suaj është ende duke u zhvilluar, ai do rritet me shpejtësi gjatë muajit të parë të jetës. Deri në fund të muajit të parë, fëmija juaj mund të përpiqet ta ngrejë kokën për pak kohë kur është i shtrirë në bark ose ta kthejë anash kur është shtrirë në shpinë. Kjo e ndihmon atë të shohë se ku jeni dhe që të vëzhgojë botën emocionuese përreth tij. Ndonjëherë ai do ta mbajë gishtin tuaj fort me dorën e tij, por shumicën e kohës ai do t'i mbajë duart në grusht të shtrënguar. Shumicën e kohës, ai do t’i lëvizë krahët dhe këmbët dhe ndonjëherë i afron duart pranë syve dhe gojës.
Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar atë?
Përveç mbajtjes së fëmijës në krah, vendoseni në shpinë për të fjetur më sigurt dhe për një kohë të shkurtër vendoseni me bark në prehrin tuaj kur ai nuk është duke fjetur ose në krahët tuaj. Jepini atij lirinë për t’i përdorur krahët dhe këmbët, por gjithashtu provoni ta mbështillni rehatshëm (me pelena).
Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si të mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek sesioni i Lojërave.
Shqetësimet e prindërve për zhvillimin në muajin e 1-të
Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përsosë një aftësi të caktuar. Aftësitë (gurët kilometrik zhvillimor) e pritshme dhe të listuara për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni teksa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i tij ndjek një rrugë pak më ndryshe.
Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatrin tuaj [ose me ndonjë ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor] nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonuar të mundshëm; nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për tu shqetësuar:
- fëmija juaj qan shumë dhe nuk jeni në gjendje ta qetësoni atë.
- nuk thith mjaftueshëm dhe ushqehet shumë ngadalë.
- fle më shumë seç duhet (më shumë se 16 orë në ditë), ose nuk fle qetë.
- nuk lëviz as krahët dhe as këmbët.
- nuk trembet ndaj zhurmave të forta.
- nuk përpëlit sytë nga dritat e forta.
Reference:
https://raisingchildren.net.au/newborns/development/development-tracker/0-1-month
Laura E. Berk (2006), Child development (7ht edition), Allyn & Bacon
Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd. [Nirvana Pistoljevic, PhD (2016), Early child development: what you need to know, Serbian paediatric association, Belgrade – available in Serbian]