Pozicionimi i duhur i foshnjës në gji!
Çelësi i ushqyerjes së suksesshme me gji është pozicionimi i mirë dhe kapja e gjirit!
Një keqkuptim i zakonshëm është se foshnja e merr qumështin thjesht duke thithur thithën, sikur thith pipën. Është e domosdoshme që, jo vetëm thitha, por dhe sa më shumë areolë (pjesa bojë kafe rreth thithës), të jetë futur brenda në gojën e foshnjës - kjo njihet si kapje e thellë, me thithën që drejtohet lart, drejt qiellzës së foshnjës. Thitha do të arrijë në zonën e rehatshme thellë në gojën e foshnjës, në kufirin midis qiellzës së butë dhe të fortë; me thithën futur thellë në gojë, foshnja do të jetë në gjendje të thithë më me sukses, duke stimuluar rrjedhjen e qumështit. Nëse foshnja ka kapur vetëm thithën, ai/ajo do të shtypet përkundër qiellzës së saj të fortë; në këtë mënyrë, foshnja merr shumë pak qumësht, ushqyerja me gji është e dhimbshme dhe rreziku i dëmtimit të thithës është i lartë.
Kapja e gjirit do të bëhet më e lehtë dhe rutinë me kalimin e kohës dhe me praktikë, aq sa nuk do ju duhet të mendoni më për këtë. Pas 4-6 javësh, kur foshnja vendos kontrollin e kokës dhe qafës, ai/ajo do ta arrijë vetë kapjen e mirë të gjirit.
Pozicionimi i foshnjës në gji/kapja e gjirit
- Foshnja është e pozicionuar në mënyrë që tërë trupi i tij/saj të jetë pranë trupit tuaj dhe koka e tij/saj të jetë në nivelin e gjirit tuaj. Koka, qafa dhe trupi i foshnjës janë në të njëjtin plan me fytyrën drejt gjirit.
- Sillni fëmijën më afër jush; trupi i foshnjës është drejtë, veshi, shpatulla dhe të ndenjurat duhet të jenë në një vijë të drejtë, sepse në atë pozicion fëmija gëlltitet më lehtë.
- Mos harroni rregullin: fëmija i afrohet nënës, jo anasjelltas!
- Gjiri është afër gojës së foshnjës dhe foshnja duhet të lejohet të eksplorojë gjoksin.
- Nxisni refleksin e kërkimit, duke prekur butësisht gojën e foshnjës me thithën; mund të shtrydhni një pikë qumështi dhe ta përhapni atë mbi thithë.
- Kur goja e foshnjës të jetë plotësisht e hapur, (ashtu sikur ne kur na hapet goja për gjumë), drejtoni thithën drejt qiellzës; thitha rrëshqet në gojën e hapur të foshnjës poshtë buzës së sipërme dhe gjuha shtrihet nën thithën.
- Mjekra e foshnjës prek gjoksin, buza e poshtme është e përveshur drejt mjekrës, gjuha është nën thithën dhe hunda është pak larg thithës.
- Kur foshnja e kap gjirin, mund ta thelloni kapjen duke tërhequr butësisht trupin e foshnjës drejt jush.
- Gabimi që nënat ndonjëherë bëjnë, është që përpiqen të fusin thithën në gojën e foshnjës, kur goja nuk është e hapur shumë.
- Mbajeni gjoksin me dorën tuaj të lirë në çdo kohë për ta bërë më të lehtë për fëmijën tuaj të thithë. Sigurohuni që gishtat nuk janë shumë afër thithës, në mënyrë që foshnja të ketë hapësirë për ta kapur gjirin mirë.
- Ndonjëherë është e nevojshme që të përgatiten paraprakisht gjinjtë për ushqyerjen me gji (për shembull, në rast të një gjiri të tendosur, të fryrë).
Përgatitja e gjinjve të fryrë:
- Vendosni kompresa të ngrohta në gjinjtë për 10-15 minuta para se të filloni të ushqyerit me gji, për të stimuluar rrjedhjen e qumështit.
- Pastaj butësisht dhe lehtë masazhoni gjinjtë në drejtim të thithës, (sikur jeni “duke luajtur muzikë” në gji).
- Pastaj shtrydhni me dorë disa pika qumështi për të zbutur zonën rreth thithës dhe përhapeni qumështin mbi thith.
Kapja e duhur dhe teknika e mirë e ushqyerjes me gji
- Goja e foshnjës është plotësisht e hapur.
- Buza e sipërme është e pozicionuar mbi thithën dhe areolën.
- Buza e poshtme është e përveshur nga jashtë.
- Mjekra e foshnjës prek gjoksin.
- Thitha është e futur thellë në gojë, ajo nuk prek qiellzën e fortë, por pjesën e butë të qiellzës së foshnjës dhe ka vakum të mirë.
- Foshnja thith ritmikisht, me pushime për gëlltitje, të cilat ju mund t'i shihni ose dëgjoni; faqet janë të rrumbullakosura, jo të thelluara si gropë.
Nëse foshnja juaj thith fuqishëm dhe ritmikisht, zbraz gjoksin dhe ju nuk ndjeni dhimbje gjatë dhënies së gjirit, ju mund të jeni e sigurt se ai/ajo e ka kapur mirë gjirin.
Kapje jo e mirë e gjirit:
- Thitha duket e rrafshuar ose e rrudhur kur del nga goja e foshnjës në fund të gjidhënies.
- Foshnja mban thithën në gojën e tij/saj, nuk thith, ose fle në gji.
- Dëgjohet një tingull i thithjes, si kërcitje.
- Ju ndjeni dhimbje në thithat tuaja gjatë dhe pas ushqyerjes me gji.
Nëse foshnja nuk është e pozicionuar mirë, nëse ndjeni dhimbje, ndaloni dhënien e gjirit, gudulisni buzën e poshtme të foshnjës për ta bërë atë të lëshojë gjoksin; hiqeni foshnjën nga gjiri dhe ri-vendoseni nga e para. Shikojeni të mësuarit e këtij procesi si të mësuarit e makinës: në fillim ju duhet të mendoni për çdo detaj, kontrolloni vazhdimisht veten dhe të fokusoheni; kur mësoni dhe fitoni një rutinë gjithçka vijon pa probleme dhe me lehtësi.
Nëse keni pyetje, dilema ose dyshime rreth ushqyerjes me gji, këshillohuni me mjeket ose infermieret e konsultorit të fëmijës, të cilat do t'ju ofrojnë ndihmë profesionale dhe këshilla dhe do t'ju ndihmojnë të qetësoheni.