Qumështi i gjirit dhe ushqyerja me gji: përfitimet
Përfitimet e qumështit të gjirit dhe të ushqyerjes me gji: çfarë thonë ekspertët!?
Qumështi i gjirit të nënës është i shëndetshëm, i sigurt dhe praktik, është në dispozicion në çdo moment dhe në çdo vend, është në temperaturën dhe me përmbajtjen e duhur, dhe është falas!
Shumica e nënave mund të ushqejnë me gji nëse kanë informacionin, mbështetjen dhe kujdesin e duhur.
Përfitimet shëndetësore për foshnjat
Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për të porsalindurit dhe për foshnjat. Ai i jep foshnjave të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të cilat ata kanë nevojë për një zhvillim të shëndetshëm. Qumështi i gjirit është i sigurt, përmban antitrupa dhe mbron foshnjat nga sëmundjet e zakonshme të fëmijërisë siç janë diarreja dhe pneumonia, të cilat janë dy shkaktarët kryesore të vdekshmërisë foshnjore në mbarë botën. Qumështi i gjirit është i arritshëm dhe i përballueshëm, ç’ka ndihmon për të siguruar që foshnja të marrë ushqim të mjaftueshëm.
Përfitimet shëndetësore për nënat
Nga ushqyerja me gji e fëmijës përfitime shëndetësore kanë edhe nënat. Ushqyerja ekskluzivisht me gji e fëmijës shkakton tek nëna mungesë të ciklit menstrual, duke e bërë atë një metodë natyrore të kontrollit të shtatzanive (lindjeve). Ajo redukton gjithashtu rrezikun e kancerit të gjirit dhe të vezoreve më vonë në jetë, ndihmon femrat të kthehen në peshën e tyre të parashtatzënisë më shpejt, dhe ul obezitetin.
Përfitimet afatgjata në shëndetin e fëmijëve
Ushqyerja me gji tek fëmijët përveç përfitimeve shëndetësore të menjëhershme jep edhe përfitime shëndetësore përgjatë jetës. Të rriturit të cilët janë ushqyer me gji shpesh kanë presionin e gjakut të ulët dhe kolesterol më të ulët, gjithashtu kanë dhe nivele të ulëta të mbipeshës, obezitetit dhe diabetit të tipit 2, krahasuar me ata të cilët nuk janë ushqyer me qumësht gjiri. Studime të ndryshme kanë treguar se njerëzit të cilët janë ushqyer me gji ka dhënë rezultate më të mira në testet e inteligjencës.
Ushqyerja me gji: zgjedhja juaj
Në fund të fundit, kjo është një zgjedhje individuale – por duhet të jetë një zgjedhje e informuar.
Nëse vendosni të mos ushqeni me gji, duhet të dini se formulat i japin fëmijës tuaj ushqimin e duhur. Dhe nëse duhet të plotësoni qumështin e gjirit me formulë, kjo nuk do të thotë që ushqyerja me gji duhet të ndalet plotësisht.
Sa kohë duhet ta ushqeni fëmijën tuaj me qumësht gjiri?
Rekomandohet që të ushqeni fëmijën ekskluzivisht me gji, derisa të futni ushqime të ngurta kur ai/ajo të tregojë shenja se është gati, gjë që zakonisht ndodh rreth gjashtë muajsh. Është rreth kësaj kohe që foshnjat fillojnë të kenë nevojë për lëndë ushqyese shtesë për rritje dhe zhvillim.
Fëmija juaj ka nevojë për vetëm sasi të vogla ushqimi për muajt e parë të ushqimit të ngurtë dhe qumështi i gjirit është ende burimi kryesor i ushqyerjes së foshnjës. Vazhdoni ta ushqeni fëmijën me gji deri sa të jetë të paktën 12 muajsh dhe në mënyrë ideale deri në ditëlindjen e tij të dytë ose më gjatë.
Pas kësaj, varet vërtet nga ju dhe fëmija juaj se sa kohë do të vazhdoni. Nëse vendosni të ushqeni me gji për më gjatë, fëmija juaj do të ketë përfitime shtesë si mbrojtja kundër infeksioneve në vitet e mëvonshme.