Sjellja e të porsalindurve: një vështrim i përgjithshëm!
Të kuptuarit e sjelljes së foshnjës së porsalindur
Përqafimi, fjetja, të ushqyerit, të qarët - kjo është gjithçka që ka të bëjë me sjelljen e të porsalindurve në muajt e parë.
Edhe pse foshnja juaj mund t’ju japë një kontakt me sy, të qarët është ndoshta gjëja kryesore që do të vini re në sjelljen e tij/saj. Për shembull, ai/ajo do të qajë nëse është i/e uritur, jo i/e qetë, i lagur ose nuk ndjehet rehat.
Foshnjat lindin me temperamente shumë të ndryshme. Disa janë të relaksuar dhe të qetë, ndërsa të tjerët duket se janë më nervozë dhe dramatikë. Disa duket se lëvizin vazhdimisht, ndërsa të tjerët janë më të qetë. Disa janë të gëzuar pjesën më të madhe të kohës dhe të tjerë janë më seriozë.
Të qarët e foshnjave të porsalindura: çfarë mund të presim?
Qarja është mënyra kryesore e komunikimit të një të porsalinduri për të treguar se për çfarë ka nevojë. Pra është një tingull që mund t’ju nxisë të veproni, edhe kur jeni në gjumë. Nëse jeni nënë, që e ushqeni foshnjën me gji, kjo mund ta nxisë refleksin tuaj të prodhimit të qumështit.
Të qarët arrin kulmin kur fëmija mbush gjashtë javë. Kjo periudhë e të qarit intensiv të të sapolindurve është kalimtare.
Foshnjat qajnë mesatarisht për gati tri orë në ditë. Disa qajnë shumë më gjatë se kaq. Pjesa më e madhe e këtyre të qarave dhe e rrëmujës duket se ndodh pasdite vonë dhe në mbrëmje, edhe pse çdo ditë ndoshta mund të jetë pak më ndryshe.
Me kalimin e muajve, do ta keni më të lehtë të kuptoni se çfarë po përpiqet t’ju thotë foshnja nëpërmjet të qarës. Gjithashtu, ka më shumë të ngjarë që të qarët e tij/saj të shtrihet gjatë gjithë ditës.
Kuptimi dhe reagimi ndaj sjelljes së foshnjës së porsalindur
Foshnja juaj e sapolindur synon të mësojë si është bota. Mënyra si reagoni ndaj sjelljes së tij/saj, sidomos ndaj të qarit, i tregon shumë për botën që e rrethon.
Për shembull, fëmija mund të zbulojë se kur qan, dikush vjen t’i japë atë që i nevojitet. Kjo mund të jetë një ndërrim pelene, ushqyerje ose përqafim. Nëse ndodh kjo, ai/ajo do të mësojë se bota është një vend shumë i mirë.
Kur reagoni shpejt për të ngushëlluar të sapolindurin që qan, atëherë ai/ajo në përgjithësi do të qajë më rrallë. Është absolutisht në rregull ta marrësh fëmijën tënd kur qan. Ky veprim i bën me dije atij/asaj se është i/e sigurt, sepse ju jeni një prind i kujdesshëm dhe i ndjeshëm që e doni atë.
Nuk mund ta llastosh një të sapolindur. Nëse i sapolinduri qan, kjo ndodh, sepse ai/ajo ka nevojë për ndihmën tuaj. Nëse reagoni me qetësi dhe në mënyrë të vazhdueshme, kjo e ndihmon foshnjën të mësojë se bota është një vend i sigurt dhe i parashikueshëm.
Të qarat e pandalshme ose mekja
Disa foshnja qajnë shumë për një periudhë të gjatë kohe dhe duket se nuk mund të bëni asgjë për ta qetësuar. Kjo gjë njihet ndryshe si mekja.
Mekja mund të jetë thjesht një sjellje e natyrshme për disa foshnja, veçanërisht në fund të një dite të gjatë dhe pas shumë stimulimeve. Të qarët mund ta ndihmojë një të sapolindur të marrë nën kontroll mjedisin e tij/saj. Është sikur fëmija juaj po thotë: “Mjaft! Do të qaj aq shumë derisa ta tund gjithë botën”.
Nëse foshnja qan kështu, mund ta keni shumë të vështirë ta përballoni. Ja disa ide që mund të të ndihmojnë ty dhe foshnjën:
- Ulni stimulimin rreth foshnjës suaj – për shembull, përpiquni të uleni me foshnjën në një dhomë të qetë dhe me më pak dritë.
- Vendoseni foshnjën në anën e tij/saj të krevatit dhe me ritëm të lehtë përkëdhelini shpinën. Nëse e zë gjumi, kthejeni me kujdes në shpinë.
- Mendoni sikur keni vendosur kufje imagjinare. Lërini tingujt e të qarës së fëmijës të depërtojnë mbi ju dhe kujtojini vetes se çdo gjë është në rregull. Ju jeni duke bërë çdo gjë që keni mundësi për fëmijën tuaj.
- Shëtiteni fëmijën në karrocë ose mbajeni në krah me një çarçaf. Lëvizja ndonjëherë mund të jetë qetësuese për foshnjat.
- Përpiqu të improvizoni “zhurma me frekuenca të larta” si një ventilator, tharëse, apo fshesë me korent. Kjo mund të ndihmojë për ta rehatuar fëmijën.
Për më shumë ide, mund të shihni udhëzuesin e ilustruar që tregon hap pas hapi, si të qetësoni një foshnjë që qan.
Kur të kërkosh ndihmë për sjelljen e të porsalindurve?
Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të jenë të sigurt dhe të mbrojtur. Por të jesh prind mund të jetë një punë e vështirë. Nëse mendoni se nuk mund t'ia dilni mbanë, kërkoni ndihmë. A keni pjesëtarë të familjes ose miq që mund të të ndihmojnë në mbajtjen e fëmijës gjatë kohës që qan? A keni nëna të tjera në lagjen tuaj, që mund të të mbështesin me përvojën e tyre?
Menaxhimi i të qarës bëhet më i lehtë pasi i sapolinduri mëson më shumë për botën dhe bëhet më i/e aftë të tregojë se çfarë i nevojitet. Gjithashtu, ju do të bëheni ekspert në “leximin” e sjelljes së foshnjës suaj. Askush nuk e njeh foshnjën tuaj më mirë se ju, por nëse jeni të shqetësuar për të qarën e foshnjës suaj ose ndiheni se mund ta dëmtoni fëmijën tuaj, bisedoni me mjekun familjar ose me ndonjë profesionist tjetër që mund t’ju ndihmojë.