Shqetësimet mbi zhvillimin e foshnjës së lindur para kohe (premature)
Foshnjat e lindura para kohe dhe rreziku i problemeve në zhvillim
Shumica e foshnjave të lindura para kohe vazhdojnë të zhvillohen si moshatarët e tyre të lindur në kohë. Por sa më parakohe që të lindë foshnja aq më shumë ka mundësi që të ketë probleme me zhvillimin.
Foshnjat që kanë lindur pak para kohe
Foshnjat që kanë lindur pak para kohe - në javën 34-36, përbëjnë shumicën e fëmijëve të lindur para kohe.
Shumë prej organeve të këtyre foshnjave janë zhvilluar plotësisht, por ende ka shumë ndryshime që ndodhin në trurin e tyre.
Këto foshnja kanë rrezik shumë të vogël për probleme në zhvillim dhe vështirësi në frymëmarrje krahasuar me foshnjat që kanë lindur në kohë. Ndoshta kanë nevojë të qëndrojnë në spital për të shtuar peshë dhe të mësohen të ushqehen duke koordinuar thithjen, frymëmarrjen dhe gëlltitjen e tyre.
Foshnjat e lindura shumë parakohe
Foshnjat e lindura shumë para kohe, në më pak se 28 javë, dhe foshnjat e lindura me peshë jashtëzakonisht të ulët në lindje prej më pak se 1000 g kanë rrezikun më të lartë të problemeve të lidhura me zhvillimin. Ky rrezik rritet nëse ata kanë edhe komplikacione mjekësore gjatë qëndrimit në Repartin e Terapisë Intensive Neonatale (RTIN).
Nëse keni ndonjë shqetësim në lidhje me zhvillimin e foshnjës tuaj, besojini instinktit tuaj dhe flisni sa më herët me mjekun tuaj. Fëmija juaj ndonjëherë mund të ketë nevojë që të vizitohet edhe nga profesionistët e tjerë, si audiologët, optometristët, patologët e të folurit (logopedistët), terapistët profesionistë, fizioterapeutët dhe stomatologët.
Zhvillimi i gjuhës tek foshnjat të lindura para kohe
Shumica e foshnjave të lindura para kohe zhvillojnë gjuhë dhe të folur normale, por zhvillimi i gjuhës tek ta mund të ketë vonesa. Gjithashtu mund të kenë probleme në të folur dhe në të kuptuar, krahasuar me fëmijët me lindje në kohë.
Problemet gjuhësore mundet që ndonjëherë të jenë shenjë e hershme e problemeve të dëgjimit, të të menduarit ose të të mësuarit.
Zhvillimi fizik tek foshnjat e lindura para kohe
Shumica e foshnjave të lindura para kohe kanë një zhvillim normal fizik dhe motorik, megjithëse fëmijët e lindur para kohe priren të jenë më të shkurtër dhe me peshë më të ulët se moshatarët që kanë lindur në kohën e duhur.
Problemet motorike
Rreth 40% e fëmijëve të lindur para kohe kanë vonesa të lehta motorike. Këtu përfshihen problemet që lidhen me:
- aftësi të buta (fine) motorike - për shembull, për të mbajtur një laps
- planifikim motorik – për shembull, në ushtrimet për të ecur rreth pengesave
- koordinimi vizual-motorik - për shembull, kopjimi i formave
- aftësitë sensoro-motore - për shembull, marrja e një gote të plotë pa e derdhur përmbajtjen e saj.
Disa foshnja të lindura para kohe mund të kenë paralizë cerebrale. Rreziku i paralizës cerebrale është më i lartë për foshnjat që kanë lindur shumë parakohe (ekstremisht premature) dhe për foshnjat që janë shumë të sëmura në RTIN.
Dhëmbët
Foshnjat e lindura para kohe kanë më shumë gjasa të kenë probleme me dhëmbët apo dentare sesa foshnjat e lindura në kohën e duhur.
Problemet dentare mund të përfshijnë:
- Smalti jonormal i dhëmbëve: dhëmbi mund të duket gri ose kafe, ose të ketë një sipërfaqe jo të rrafshtë. Kavitetet mund të formohen më lehtë në dhëmbët me smalt të dobët. Larja e rregullt e dhëmbëve ndihmon në këtë aspekt.
- Dhëmbët e vonshëm: dhëmbët e foshnjave të lindura para kohe shpesh zhvillohen disa muaj më vonë se dhëmbët e fëmijëve që lindin në kohën e duhur, por ata do të vazhdojnë të zhvillohen në rendin e zakonshëm.
- Qiellza e thellë ose me ngushtë: kjo mund të ndikojë në të folur dhe kafshim. Shumica e fëmijëve përshtaten me formën e qiellzës së tyre, por disave mund t'ju duhen proteza më vonë.
Është mirë të vizitoni një dentist pediatrik, dhe koha më e mirë është para se fëmija juaj të jetë një vjeç.
Zhvillimi shqisor tek foshnjat e lindura para kohe: dëgjimi, shikimi, vetëdija shqisore
Shumica e foshnjave të lindur para kohe kanë dëgjim, vizion dhe vetëdije shqisore të zakonshme.
Dëgjimi
Foshnjat e lindura para kohe kanë më shumë gjasa se foshnjat e lindura në kohën e duhur që të jenë të shurdhër ose me vështirësi në dëgjim, por shumë pak fëmijë kanë probleme të rënda në të dy veshët që të kenë nevojë për aparat dëgjimi ose implant koklear.
Një ekzaminim për dëgjimin mund të bëhet që në kohën që foshnja është ende në spital. Ky ekzaminim zbulon shumicën e problemeve të dëgjimit, por disa mund të diagnostikohen më vonë. Është e rëndësishme të diagnostikoni dhe të trajtoni shurdhimin, sepse fëmijët duhet të dëgjojnë siç duhet për të zhvilluar aftësitë gjuhësore, sociale dhe komunikuese.
Vizioni
Fëmijët që lindin para kohe kanë më shumë gjasa të kenë dëmtim të shikimit sesa moshatarët e tyre që kanë lindur në kohë. Ata/ato kanë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme të lehta vizuale si ato të lidhura me shikimin afër apo larg, vëngëria, ndjeshmëria ndaj kontrastit ose probleme me perceptimin e thellësisë.
Problemet më të rënda të syve zbulohen shumë herët. Foshnjat e lindura shumë para kohe mund të bëjnë teste të rregullta të syve ndërsa janë në spital, gjë që mund të çojë në një trajtim të hershëm.
Ndjeshmëri shqisore
Disa prindër thonë se fëmijët e tyre të lindur para kohe kanë ndryshime në ndjeshmëritë shqisore, si p.sh ndjeshmëri e shtuar ndaj stimujve si zhurmat ose disa pëlhura të caktuara. Disa foshnja që kanë lindura para kohe nuk u pëlqen që të fusin gjëra në gojë dhe mund të kenë probleme me ushqyerjen, dhe disa foshnja të lindura para kohe mund të kenë prag më të ulët ndaj dhimbjes sesa foshnjat që kanë lindur në kohën e duhur.
Zhvillimi i të menduarit dhe të mësuarit tek foshnjat e lindura para kohe
Shumica e foshnjave të lindura para kohe kanë zhvillim të normal të të menduarit dhe të të mësuarit dhe kanë arritje të mira në shkollë.
Disa fëmijë të lindur para kohe mund të kenë dëmtime në të menduar dhe të mësuar. Për shembull, mund të kenë probleme me leximin, planifikimin dhe fokusimin në detyrë.
Ju mund të mos vini re asnjë problem derisa fëmija juaj i lindur para kohe të fillojë të shkojë në shkollë. Fëmijët të lindur para kohe mund të kenë nevojë për mbështetje shtesë në shkollë.
Zhvillimi social dhe emocional tek foshnjat e lindura para kohe
Shumica e foshnjave të lindura para kohe kanë zhvillim normal social dhe emocional, por ka gjasa që mund të sillen ndryshe nga foshnjat e lindura në kohë.
Për shembull, në vitin e parë të jetës, foshnjat e lindura para kohe kanë më pak gjasa të ndërveprojnë me të tjerët në krahasim me foshnjat e lindura në kohën e duhur. Ata kanë më shumë gjasa t'i heqin sytë (mos të ndërveprojnë) në mënyrë që të mos mbingarkohen, dhe mund të acarohen më shpejt.
Ndërsa fëmija juaj rritet, këto gjëra do të jenë më pak shqetësuese. Në këtë periudhë të mësuarit për të lexuar gjuhën e trupit të foshnjës tuaj të lindur para kohe mund t'ju ndihmojë që të dalloni kur fëmija juaj dëshiron të angazhohet dhe kur dëshiron të ndalojë.
Problemet sociale dhe emocionale
Nëse një fëmijë ka ''probleme sociale dhe emocionale'', kjo do të thotë se fëmija juaj ka probleme në lidhje me përshtatjen me mjedisin përreth, të ndjekë rregullat dhe të shoqërohet me fëmijët dhe të rriturit e tjerë.
Shumica e fëmijëve ndonjëherë kanë zemërime të çastit, mërziten dhe testojnë kufijtë tuaj. Por fëmijët e lindur para kohe kanë më shumë gjasa që të kenë vështirësi në përballimin dhe menaxhimin e ndjenjave të tyre. Mund të kenë vështirësi të qëndrojnë të qetë, të hanë mirë dhe të flenë mirë. Disa mund të kenë vetëbesim më të ulët ose të kenë vështirësi në lidhje me krijimin e miqësive.
Fëmijët e lindur para kohe kanë më shumë gjasa se fëmijët e lindur në kohën e duhur që të shfaqin çrregullime të hiperaktivitetit apo defiçit të vëmendjes, çrregullimi i spektrit të autizmit, ankthi dhe depresioni.
Por këto probleme janë ende të rralla tek fëmijët e lindur para kohe.
Mjediset e dashura, të stabilizuara, stimuluese dhe të sigurta në shtëpi dhe shkollë, ku fëmija juaj mund të krijojë marrëdhënie të ngushta me të tjerët, mbështesin zhvillimin e tij/saj. Këto lloj mjedisesh mund të ndihmojnë për t'i bërë disa probleme në zhvillim më pak të rënda dhe të ndihmojnë fëmijët me vonesa të hershme që të jenë në të njëjtin hap me fëmijët e tjerë në fëmijërinë e mëvonshme ose në vitet e adoleshencës.
Mosha e korrigjuar
Njohja e moshës së korrigjuar të fëmijës suaj mund tju ndihmojë nëse keni shqetësime të lidhura me zhvillimin e tij.
Mosha e korrigjuar është mosha kronologjike e fëmijës suaj minus numrin e javëve ose muajve që ai ka lindur para kohe. Fëmija juaj mund të duket se ka një zhvillim të vonuar nëse e krahasoni me një fëmijë të së njëjtës moshë kronologjike. Por nëse përdorni moshën e korrigjuar të foshnjës tuaj, kjo mund të tregojë se zhvillimi i foshnjës po shkon normalisht..
Binjakët, trinjakët dhe katërnjakët shpesh lindin para kohe. Nëse jeni të shqetësuar për binjakët, trinjakët ose katërnjakët tuaj, mund të jetë e dobishme të dini që rezultatet e foshnjeve të shumta të lindura para kohe janë të ngjashme me ato të vetëm një foshnjeje të lindur para kohe.