Mosha e korrigjuar: sa është mosha e saktë (e korrigjuar) e foshnjës suaj që ka lindur parakohe?

Pikat kyçe: Mosha e korrigjuar është mosha kronologjike e foshnjës suaj që ka lindur parakohe minus numrin e javëve ose muajve që ka lindur parakohe. Mosha e korrigjuar mund të jetë e dobishme nëse po përpiqeni të kuptoni nëse zhvillimi i foshnjës tuaj që ka lindur parakohe është brenda normës, pra po zhvillohet në mënyrë të zakonshme. Nëse jeni të shqetësuar për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës suaj, konsultohuni me mjekun tuaj.
Body

Mosha e korrigjuar: çfarë është?

Mosha e korrigjuar ose mosha e rregulluar është mosha kronologjike e foshnjes suaj të lindur parakohe minus numrin e javëve ose muajve që ka lindur parakohe.

Për shembull, një fëmijë njëvjeçar që ka lindur tre muaj para kohe do të kishte një moshë të korrigjuar prej nëntë muajsh.

Pse mosha e korrigjuar është e rëndësishme?

Mosha e korrigjuar mund të jetë e dobishme nëse po përpiqeni të kuptoni nëse zhvillimi i foshnjës tuaj të lindur parakohe po kryhet në një mënyrë të zakonshme. Për shembull, nëse dikush e vëren që fëmija juaj është gjashtë muajsh, por nuk po mundet që të qëndrojë ndenjur akoma atëherë mund t'i shpjegoni që ka lindur tre muaj para kohe. Nëse e shikoni moshën e korrigjuar, atëherë duhet të prisni që foshnja juaj që është vetëm tre muaj (sipas moshës së korrigjuar) bën veprime që një foshnjë tre muajshe i bën zakonisht.

Mosha e korrigjuar është e rëndësishme veçanërisht gjatë viteve të hershme të fëmijës, sepse mund të na shpjegojë veprime që duken si vonesa në zhvillim në këto vite.

Nëse i organizoni festë fëmijës për ditëlindjen e parë, duhet ta organizoni saktësisht një vit nga momenti i lindjes së fëmijës, pavarësisht nga mosha e korrigjuar.

Si ndikon mosha e korrigjuar në fusha të ndryshme të rritjes dhe zhvillimit?

Të gjithë fëmijët kanë ndryshime në rritje dhe zhvillim, pavarësisht nëse ata kanë lindur parakohe (prematur) apo kanë lindur në kohë. 

Të lindësh parakohe mund të ndikojë ndryshe në çdo aspekt të rritjes dhe zhvillimit të foshnjës. Disa fusha të zhvillimit mund të mos preken fare, kurse disa të tjera mund të preken më shumë. Përdorimi i moshës së korrigjuar në vlerësimin e rritjes së fëmijës suaj (sidomos kur ka lindur parakohe) është shumë i rëndësishëm.

Kujt duhet që t'i tregoni për moshën e korrigjuar të fëmijës tuaj!

Është ide e mirë që t'u tregoni mësuesve, kujdestarëve të fëmijës, mësuesve të parashkollorit, profesionistëve shëndetësorë dhe kujdo që kujdeset ose punon me fëmijën tuaj për faktin që fëmija ka lindur para kohe. Gjithashtu edhe për ta është e dobishme ta dinë se sa javë ka lindur para kohe fëmija juaj.

Nëse jeni të shqetësuar për problemet në të mësuar ose në zhvillim kur fëmija juaj të fillojë shkollën atëherë do të jetë e dobishme për mësuesit e shkollës që ta dinë se fëmija juaj ka lindur para kohe.

Nuk ka ndonjë moshë të caktuar kur duhet që ta ndaloni korrigjimin e moshës së fëmijës së lindur para kohe. Por shumica e profesionistëve shëndetësorë e  përdorin korrigjimin e moshës të paktën derisa fëmija juaj të jetë dy vjeç.

Si ndikon mosha e korrigjuar në lojën dhe ndërveprimet e fëmijës suaj?

Ju mund të vini re se foshnjat e tjera të së njëjtës moshë kronologjike mund të bëjnë më shumë se fëmija juaj i lindur para kohe. Por nëse mendoni në aspektin e moshës së korrigjuar, mund ta kuptoni që fëmija juaj mund të bëjë aq sa fëmijët e moshës së tij/saj.

Sikurse të gjithë fëmijët, edhe fëmija juaj i lindur para kohe do të mësojë shumë duke pasur shumë gjëra të ndryshme për të luajtur, për të bërë dhe për të parë - për shembull, duke i lexuar dikush diçka, duke dalë në park dhe duke luajtur me fëmijë të tjerë.

Të gjitha këto përvoja të ndryshme stimuluese ndihmojnë trurin e fëmijës suaj që të zhvillohet.

Mosha e korrigjuar dhe fillimi i kujdesit për fëmijën në sistemin parashkollor ose shkollor!

Fëmija juaj mund të fillojë parashkollorin dhe shkollën bazuar në moshën e tij/saj kronologjike, jo në moshën e korrigjuar.

Por megjithatë disa muaj në këtë moshë mund të bëjnë dallimin në atë që një fëmijë mund të bëjë dhe çfarë pritet të bëjë, sidomos në parashkollor. Disa prindër të fëmijëve të lindur para kohe vendosin të shtyjnë shkollën për një vit, nëse mosha e korrigjuar e fëmijës është pak nën moshën e regjistrimit në shkollë. Kjo mund t'i japë fëmijës tuaj kohë shtesë për të arritur rritjen dhe për të zhvilluar aftësitë sociale që i nevojiten për parashkollor dhenë shkollë.

Nëse fëmija juaj vlerësohet që ka ngecje në zhvillim, mund të kërkoni që rezultatet e testit të bëhen edhe në moshën e korrigjuar edhe në atë kronologjike të fëmijës suaj.

Kur duhet bërë imunizimi (vaksinimi)?

Foshnjat me lindje të parakohshme në përgjithësi kryejnë të njëjtin kalendar vaksinimi, pra të njëjtat vaksina dhe në të njëjtën moshë kronologjike sikurse fëmijët që kanë lindur në kohën e duhur. Foshnjat e lindura para kohe duhet të mbrohen me imunizim sepse kanë më shumë rreziqe të marrin infeksione të caktuara.

Nëse foshnja juaj ka lindur shumë para kohe, ai/ajo mund të bëjë vaksinën e parë ndërsa është ende në spital. Gjithashtu fëmija mund të ketë nevojë për dozë shtesë të disa vaksinave kur të rritet.

Është më mirë të flisni me mjekun ose pediatrin e fëmijës tuaj për nevojat shtesë të vaksinave.