Përgatitja dhe ndarja e ushqimit: aktivitet për fëmijët 3-6 vjeç
Përgatitja dhe ndarja e ushqimit: pse është mirë për fëmijët!
Përgatitja e një vakti, ushqimi ose pijeje për familjen ose miqtë është një mënyrë argëtuese për fëmijën tuaj që të mësojë të ndajë me të tjerët.
Ndarja e ushqimit ndihmon fëmijën tuaj të mësojë rreth kompromisit, rradhës dhe negocimit. Për shembull, nëpërmjet ndarjes së ushqimit, fëmija juaj mëson se nëse ai/ajo u jep nga pak të tjerëve, ai/ajo mund të marrë disa nga ato që dëshiron gjithashtu.
Të mësuarit për të ndarë është e rëndësishme për të bërë dhe mbajtur miq dhe për të luajtur me fëmijët e tjerë. Por ndarja mund të jetë një sfidë, veçanërisht në fillim. Fëmija juaj do të ketë nevojë për shumë praktikë dhe inkurajim.
Çfarë ju nevojitet për përgatitjen dhe ndarjen e ushqimit me fëmijët!
Zgjidhni një vakt të thjeshtë ose recetë për ta bërë me fëmijën tuaj. Fëmija juaj gjithashtu mund të përgatisë një enë me ujë ose lëng dhe disa gota për një praktikë shtesë të ndarjes.
Këtu janë disa shembuj ushqimesh për t'u përgatitur dhe ndarë:
- Sallatë frutash: zgjidhni fruta të buta si banane, luleshtrydhe dhe shalqinj. Këto janë të lehta për t'u prerë nga fëmija me një thikë të sigurt, jo të mprehtë. Ndihmoni fëmijën tuaj duke i qëruar frutat.
- Blloqe akulli me luleshtrydhe: kjo recetë është shumë e mirë për motin e nxehtë. Dhe mund ta ndryshoni duke përdorur frutat e preferuara të fëmijës suaj.
- Mini-kek me karrota dhe tërshërë: kjo është një zgjedhje e mirë për midis vakteve. Përzierja dhe matja e përbërësve është proces i bukur dhe ndihmon aftësitë e numërimit të fëmijës suaj.
- Pica e thjeshtë: fëmija juaj mund të gëzojë duke ju ndihmuar të vendosni mbushjet mbi bazën e picës dhe duke e shërbyer atë për drekë ose darkë. Ju mund të flisni me fëmijën se kush ka nevojë për racione më të mëdha ose më të vogla.
- Zbukurimi i ushqimeve: fëmija juaj mund t'ju ndihmojë të lyeni me salca të ndryshme shiritat e tosteve ose të organizoni vendosjen e perimeve të freskëta ose të gatuara në një pjatancë.
Kuzhinat mund të jenë vende të rrezikshme për fëmijët. Gjithmonë mbikëqyrni fëmijën tuaj rreth sipërfaqeve të nxehta dhe lëngjeve, pajisjeve elektrike dhe objekteve të mprehta.
Si të përgatitni dhe të ndani ushqimin me fëmijët!?
- Përfshini fëmijën tuaj në zgjedhjen e ushqimit për t'u përgatitur për miqtë ose familjen. Kur zgjidhni, mendoni për aftësitë e fëmijës suaj, si dhe sa kohë keni për të përgatitur ushqimin.
- Përgatitni vaktin ose recetën me fëmijën tuaj. Kujtojeni fëmijën tuaj se ju jeni duke e bërë ushqimin për ta ndarë me të tjerët. Për shembull, “Ka pesë prej nesh. A mendoni se kemi mjaft luleshtrydhe për të gjithë? '
- Kërkojini fëmijës tuaj të numërojë numrin e njerëzve dhe ndihmojeni atë të ndajë ushqimin. Nëse jeni duke shërbyer në tryezë, ri-kujtoni fëmijës tuaj rregullat e familjes suaj për vaktet ushqimore.
- Për shërbimin e ushqimit si biskota, gurabije ose kek të ndryshëm, inkurajoni fëmijën tuaj të ecë përreth dhe t'u ofrojë ushqim njerëzve.
- Inkurajoni fëmijën tuaj për të menduar për drejtësinë. Për shembull, 'Aldo, ka vetëm një copë tortë të mbetur, por edhe Sara, edhe Dea e duan atë. Çfarë duhet të bëjmë?'
Përshtatja e një aktiviteti për ndarjen e ushqimit për fëmijët e moshave të ndryshme!
Bëni ushqime shumë të thjeshta për fëmijën tuaj më të vogël, në mënyrë që ai/ajo të mund të përfshihet në përgatitjen dhe ndarjen e ushqimit. Nëse fëmija juaj është ende duke mësuar për të ndarë, ai/ajo mund të mendojë se ushqimi është 'i tij/saj' sepse ai/ajo e ka bërë atë. Ju mund t'ia kujtoni butësisht se ai/ajo ndihmoi për të bërë ushqimin që ta ndajë me të tjerët.
Fëmija juaj më i madh mund të përqendrohet më gjatë dhe ka koordinim më të mirë sy - dorë, kështu që ndoshta mund të menaxhojë receta më të ndërlikuara. Ai/ajo mund t'ju ndihmojë ndonjëherë edhe të përgatitni një darkë.