Pse është e rëndësishme loja për fëmijën?
Pse është e rëndësishme loja për një fëmijë?
Mënyra më e mirë që një fëmijë të luajë është loja e pa strukturuar ose e lirë. Kjo lojë ndodh spontanisht dhe varet vetëm nga ajo që fëmija tregon interes për momentin. Ajo i mundëson fëmijës të përdorë imagjinatën dhe ta përshtasë mjedisin me veten, ritmin, interesat dhe mënyrat e eksplorimit që e tërheqin. Kur mendojmë për lojën e lirë, lojërat e imagjinatës dhe të bërit gjoja sikur, zakonisht na vijnë në mendje kur fëmijët vishen si dikush tjetër, ose situatat me “sikur”. Loja e lirë përfshin, gjithashtu, ndërtimin e vendeve të fshehura me batanije ose kuti, ndërtimin e qyteteve me kuti, ose luajtja e muzikës në instrumente të vërteta, të improvizuara ose të imagjinuara. Të rriturit munden ose jo të marrin pjesë në këtë lojë.
Loja e strukturuar ndryshon. Para se të fillojë loja, vendosen rregullat dhe organizimi, që shpesh drejtohet nga të rriturit. Shembuj janë sportet, loja me role, enigmat dhe lojëra të tjera të ngjashme.
Loja ndryshon me moshën e fëmijës: këtu përfshihet zgjedhja e lodrave, lloji i lojës, apo edhe pjesëmarrja e moshatarëve dhe e të rriturve në lojë. Loja do të kërkojë gjithnjë e më shumë hapësirë me rritjen e fëmijës.
Është e rëndësishme që prindërit ta kenë parasysh se nga këndvështrimi i fëmijës, loja nënkupton çdo kërkim, kombinim, mundësi për të ndryshuar mënyrën e përdorimit të gjërave, për të qenë kushdo (p.sh. kuzhinier, astronaut), të paktën për një kohë të shkurtër. Në këtë aspekt, nga këndvështrimi i fëmijës, loja nuk është një aktivitet i planifikuar që zhvillohet në kohën e dakordësuar dhe të caktuar. Fëmija jeton duke luajtur dhe e zotëron botën duke luajtur.