Si të lexoni bashkë me fëmijën?

Leximi me fëmijën është një aktivitet që përfshin në mënyrë aktive fëmijën dhe përfaqëson një nga stimulimet më gjithëpërfshirës të zhvillimit. Leximi gjithashtu ofron afërsi me prindin, eksplorimin në formë të lojës, shkëmbim fjalësh, motivim, emërtim, përvojë të fortë emocionale dhe mundësi për eksplorim dhe kuptim të objekteve dhe ngjarjeve që rrethojnë fëmijën.
Body

Si të lexoni me një fëmijë?

Ju mund të lexoni me fëmijën që herët në jetën e tij/saj. Në vijim, janë dhënë disa udhëzime si të lexoni me një fëmijë, pavarësisht nga mosha e tij/saj:

  • libri, koha dhe vendi për lexim zgjidhen nga fëmija. Për këtë arsye, librat që janë në dispozicion të fëmijës në shtëpi duhet të jenë të përshtatshme për interesat dhe aftësitë e fëmijës. Madhësia e tyre duhet të jetë e tillë që fëmija të mundet t’i mbajë në duar, si edhe t’i kalojë nga dora në dorë. Ilustrimet duhet, gjithashtu, të jenë të përshtatshme për fëmijën. Për shembull, librat e foshnjave zakonisht janë bardh’ e zi, me ngjyra që bëjnë kontrast me njëra-tjetrën, ose me një objekt të madh në një sfond të bardhë.
  • libri të jetë i pozicionuar përballë fëmijës, dhe ju me fëmijën të jeni ulur ballë për ballë. Fëmijës, kjo i lejon ta eksplorojë librin, ndërsa prindit të vëzhgojë sjelljen e fëmijës, shprehjet e fytyrës, lëvizjet, vokalizimin (ose shqiptimin) - iniciativat që tregojnë se fëmija dëshiron të eksplorojë ose të marrë pjesë në lexim.
  • leximi është një ftesë për të luajtur. Ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të qëndrojë i fokusuar duke ndryshuar shprehjen tuaj të fytyrës, ritmin e fjalës dhe tonin. Emërtoni atë që sheh fëmija, por sigurohuni që të bëni pyetje të gjera dhe të hapura - kush, çfarë, si, ku...
  • leximi është një bisedë me fëmijën. Pra, jepini fëmijës tuaj një mundësi për të menduar çfarë të thotë. Prisni që fëmija të përgjigjet kur i bëni një pyetje. Ndërkohë, vështroni shprehjen e fytyrës së tij/saj dhe shikojeni me interes. Kur fëmija përgjigjet dhe tregon se ai/ajo është i/e gatshëm/e të marrë pjesë më tej – jepini një shenjë miratimi, që shprehet me një fytyrë të gëzuar, kuriozitet për të gjetur dhe zbuluar se çfarë mendon dhe thotë fëmija si dhe duke parashtruar pyetje.
  • leximi është një mundësi për t’u lidhur me fëmijën. Pra, përpiquni të flisni me një zë të ngrohtë dhe të shfaqni interesim autentik për eksplorimin e përbashkët me fëmijën. Buzëqeshni, kënaquni me fëmijën dhe tregojini se është i pranuar dhe i rëndësishëm.

Ju mund të lexoni me fëmijën tuaj në çdo kohë dhe kudo. Ju mund të lexoni për ndonjë temë, mund të flisni për fotot, të lexoni receta, të analizoni fotografi, të lexoni tregime etj. Pra mund të lexoni me fëmijën tuaj çdo ditë!