Leximi për fëmijën dhe leximi me fëmijën!
Leximi për fëmijën dhe leximi me fëmijën
Tregimet i ofrojnë mundësi fëmijës të kuptojë ose të analizojë diçka që ai/ajo e ka përjetuar, me qëllim që t’i kuptojë sjelljet e personazheve, si dhe shkaqet dhe pasojat e këtyre sjelljeve. Tregimet ofrojnë një mundësi për fëmijën që të reflektojë dhe të krijojë lidhje logjike, të flasë, të imagjinojë - ta ndryshojë rrjedhën ose përfundimin e një historie dhe të tjera si këto.
Kur e përmendim leximin, zakonisht e para gjë që na shkon në mend është rituali i leximit para gjumit. Personi i rritur e merr librin dhe e lexon me zë. Fëmija mund të marrë pjesë ose jo në këtë aktivitet, por kryesisht synohet që ky aktivitet të shërbejë për ta qetësuar fëmijën. Zëri i ngrohtë, afërsia dhe butësia e prindit në këtë aktivitet sigurisht që kontribuojnë për afërsinë me fëmijën.
Leximi me fëmijën është ndryshe
Ai kërkon që fëmija të jetë zgjuar, i/e gatshëm/e për të marrë pjesë aktive, për ta filluar dhe për ta udhëhequr aktivitetin e leximit.
Leximi me fëmijën duhet të bëhet gjatë ditës, kur fëmija e zgjedh atë aktivitet dhe është gati të eksplorojë nëpërmjet tij/saj. Libri zgjidhet nga fëmija dhe, si në çdo lojë, është e rëndësishme t’i mundësohet fëmijës ta drejtojë vetë aktivitetin e leximit. Është e rëndësishme të vlerësoni, t’i njihni, dhe t’i pasuroni mënyrat e pjesëmarrjes së fëmijës, ta zgjeroni interesin e tij/saj, ta ruani vëmendjen dhe të bëni të mundur eksplorimin dhe mësimin e vërtetë nëpërmjet lojës me fjalë dhe imazhe.
Ju mund të lexoni me fëmijën tuaj në çdo kohë dhe kudo
Merrni një libër me vete kur dilni shëtitje ose për një kontroll pediatrik. Mbani librat në dispozicion të fëmijës sa më herët që të jetë e mundur - vendosini diku ku fëmija mund t’i arrijë, lërini në çdo dhomë. Keni parasysh se 15 minuta lexim me fëmijën është një sasi e “ushqimit gjuhësor”, që do ta ndryshojë përvojën dhe zhvillimin e fëmijës tuaj!