Të lexuarit me fëmijët 12-18 muajsh

Leximi, tregimi, biseda dhe të kënduarit e ndihmon foshnjën tuaj 12-18 muajshe të mësojë rreth tingujve, fjalëve dhe gjuhës. Është mirë të lexoni çdo ditë së bashku me fëmijën tuaj, ta lini të zgjedhë libra, të ‘lexojë’ ngadalë dhe jepini kohë të shikojë figurat. Fëmijët e vegjël kënaqen me librat me rimë, ritëm dhe përsëritje të vazhdueshme. Gjithashtu, fëmijës mund t'i pëlqejnë librat e mëdhenj dhe librat me prekje. Shih sugjerimet në vijim.
Body

Pse është e rëndësishme të lexoni me fëmijën 12-18 muajshe

Rrëfimi i historive, të folurit dhe të kënduarit çdo ditë e ndihmon zhvillimin e foshnjës suaj në shumë mënyra.

Ju mund të filloni t'i lexoni foshnjës tuaj sa më herët të jetë e mundur – sa më herët aq më mirë. Artikujt tanë për leximin e historive me foshnjat dhe fëmijët e vegjël dhe rubrikat e lexim-shkrimit kanë shumë informacion.

Disa mënyra për të zgjedhur librat që do të lexojmë me fëmijën

Periudha e 12-18 muajve të parë të jetës, është koha më e rëndësishme për zhvillimin e gjuhës tek fëmija.  Aftësia për të thënë dhe për të kuptuar fjalët gjatë kësaj periudhe rritet shumë shpejt. Këto sugjerime do të të ndihmojnë ty dhe foshnjën tënde të argëtoheni me librat, historitë, bisedat, këngët, ndërsa kaloni kohë të mrekullueshme së bashku.

Ja disa këshilla që ju ndihmojnë ju dhe foshnjën tuaj të kaloni sa më shumë kohë duke lexuar:

  • Çdo natë, lexoni një libër 'përralla para gjumit' ose tregoni histori familjare para se fëmija të flejë.
  • Lëreni fëmijën të zgjedhë një libër,  ta mbajë dhe ta shfletojë.
  • Ndiq ritmin e fjalëve të librit duke e mbajtur fëmijën në gjumë ose duke e përkëdhelur në shpinë ndërsa mbani ritmin.
  • Krijoni te fëmija dashurinë për librin e preferuar, duke i kërkuar ta lexojë rregullisht, por duke e pasuruar bibliotekën e shtëpisë edhe me libra të rinj.

Ja disa këshilla të përgjithshme për të lexuar libra me pjesën më të madhe të fëmijëve të vegjël, pavarësisht moshës së tyre:

  • Krijoni një rutinë të përditshme dhe përpiquni të lexoni/tregoni një histori çdo ditë. Kur flasim për rutinë, përfshijmë një hapësirë të veçantë për të lexuar – për shembull, një karrige që është mjaft e madhe dhe e rehatshme për ty dhe fëmijën, me një kuti ose raft librash pranë.
  • Fikni çdo pajisje. Gjeni një hapësirë të qetë për të lexuar, në mënyrë që fëmija të dëgjojë zërin tuaj dhe të përqendrohet në libër.
  • Mbajeni fëmijën pranë ose në gjurin tuaj teksa lexoni, në mënyrë që fëmija t’ju shohë juve në fytyrë dhe njëkohësisht edhe librin.
  • Lexoni ngadalë në mënyrë që t'i jepni kohë fëmijës për të parë figurat.
  • Provoni zhurma dhe tingujt gazmorë dhe përdorni zëra të ndryshëm për karaktere të ndryshme – luani dhe argëtohuni së bashku!

Çfarë të lexoni me fëmijën 12-18 muajsh

Në përgjithësi, fëmijët e vegjël kënaqen me librat që kanë rimë, ritëm dhe përsëritje – dhe kjo rimë dhe përsëritje i ndihmon të mësojnë. Gjithashtu, interesat e vetë fëmijës do t'ju drejtojnë në përzgjedhjen e librave të rinj. Fëmija mëson më së miri kur është i interesuar për atë që lexoni së bashku.

Kur fëmija është rreth 12 muajsh, ju mund të filloni të kërkoni për llojet e mëposhtme të librave-- por mos harroni të ndiqni interesat e vetë fëmijës:

  • libra rreth ushqimit, transportit, kafshëve dhe fëmijëve të tjerë,
  • libra me letër të trashë-karton, të cilat janë më të lehta për t'u shfletuar dhe të qëndrueshme në kohë,
  • libra që kanë piktura ose ilustrime të objekteve të thjeshta,
  • libra që përfshijnë tekstile ose kolazh në ilustrime.

Nëse është e mundur, duke patur parasysh edhe kufizimet nga pandemia, vizitoni bibliotekën më të afërt, në të cilën mund të merrni librat që i pëlqejnë fëmijës suaj.