Përse janë të rëndësishme marrëdhëniet familjare?
Marrëdhëniet e mira familjare janë të kënaqshme për rëndësinë që ato kanë – thjesht është ndjenjë e mirë të jesh pjesë e një familjeje të ngrohtë dhe të dashur.
Mirëpo, marrëdhëniet e mira familjare janë gjithashtu të rëndësishme edhe për shumë arsye të tjera. Ato:
- i bëjnë fëmijët të ndihen të sigurt dhe të dashur, gjë e cila ndihmon në zhvillimin e trurit të tyre;
- ndihmojnë në kapërcimin e vështirësive me ushqimin, gjumin, mësimin dhe sjelljen e fëmijëve;
- lehtësojnë familjen tuaj në zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve;
- iu ndihmojnë ju dhe fëmijët tuaj të respektoni këndvështrimet e ndryshme, ndërsa fëmija juaj zhvillon më tepër pavarësinë e tij;
- i japin fëmijëve aftësitë e nevojshme për të ndërtuar marrëdhëniet e tyre të shëndetshme.
Për këtë arsye është gjithmonë e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje marrëdhënies që krijoni me fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes dhe të mendoni se si mund t’i përmirësoni ato.
Si prind, ju përpiqeni të bëni më të mirën e mundshme për fëmijën tuaj, ndërkohë që jeni të angazhuar me punën, miqtë, menaxhimin e shtëpisë dhe me gjëra të tjera. Por, edhe për ata prindër që janë shumë të ngarkuar, ka kaq shumë gjëra të thjeshta që mund të bëjnë për të ndërtuar marrëdhënie të mira familjare.
Marrëdhëniet e mira familjare janë një pjesë e rëndësishme e familjeve të forta. Familjet e forta rriten nga dashuria, siguria, komunikimi, lidhja - dhe sigurisht nga disa rregulla dhe rutina familjare.
Koha produktive dhe marrëdhëniet familjare
Gjithmonë dhe kudo mund të kalojmë kohë të bukura me familjen. Kjo ka të bëjë me shfrytëzimin maksimal të kohës që kaloni së bashku. Ja disa mënyra se si mund të kaloni kohë të mirë në familjen tuaj:
- Përdorni çdo kohë të ditës për të biseduar dhe për të qeshur së bashku. Për shembull, darkat familjare dhe udhëtimi me makinë mund të jenë kohë të mrekullueshme për ta përmbushur ditën.
- Bisedoni vetëm për vetëm me çdo pjesëtar të familjes për të forcuar marrëdhëniet individuale. Qoftë dhe vetëm pesë minuta para se secili fëmijë të shkojë në shtrat.
- Kaloni kohë me partnerin tuaj, nëse keni një të tillë. Është mirë t’iu shpjegoni fëmijëve se kjo gjë ndikon pozitivisht në marrëdhënien tuaj me partnerin.
- Bëni rregullisht veprimtari argëtuese së bashku si familje. Kjo mund të jetë thjesht një lojë futbolli në parkun më të afërt në fundjavë, ose një mbrëmje dedikuar lojrave me familjen, çdo javë.
- Merrni së bashku vendime se çfarë duhet të bëni për ngjarje të veçanta si ditëlindjet. Edhe fëmijët e vegjël mund të jenë pjesë e këtyre vendimeve.
Komunikimi i mirë dhe marrëdhëniet familjare
Komunikimi i mirë ka të bëjë me përkushtimin për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të dëgjuar pa gjykim dhe për të qenë të hapur në shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave tuaja. Kur keni komunikim të mirë në familje, i ndihmon gjithësecilit të ndihet i kuptuar, i respektuar dhe i vlerësuar, dhe kjo i forcon marrëdhëniet tuaja.
Provoni këto ide të komunikimit të mirë për t’i forcuar marrëdhëniet tuaja familjare:
- Kur fëmija ose partneri yt dëshiron të flasë, ndërprisni atë që jeni duke bërë dhe dëgjojeni me vëmendje të plotë. Jepuni kohë njerëzve të shprehin pikëpamjet dhe ndjenjat e tyre.
- Jini të hapur për të folur për gjëra të vështira - si pranimin e gabimeve - dhe të gjitha llojet e ndjenjave, duke përfshirë zemërimin, gëzimin, zhgënjimin, frikën dhe ankthin. Mos harroni se të folurit për ndjenjën e zemërimit ndryshon nga të qenit i zemëruar.
- Jini të gatshëm për biseda spontane. Për shembull, fëmijëve më të vegjël shpesh iu pëlqen të flasin për ndjenjat e tyre kur janë në dush ose kur bien në shtrat.
- Inkurajoni fëmijët dhe partnerin tuaj me lëvdata. Për shembull, “Është një ndihmë e madhe kur i sillni shportat brenda pa j'ua kërkuar. Faleminderit!”.
- Tregoni vlerësim, dashuri dhe inkurajim nëpërmjet fjalëve dhe shprehjes së dashurisë. Kjo mund të jetë aq e thjeshtë sa t'iu thoni fëmijëve tuaj “të dua” për çdo natë kur ata shkojnë në shtrat.
Komunikimi i mirë jo-verbal
Jo të gjithë komunikimet bëhen me fjalë, kështu që është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje ndjenjave që fëmijët dhe partneri juaj i shprehin pa fjalë (në mënyrë jo-verbale). Është gjithashtu e rëndësishme të jeni të kujdesshëm për mesazhet jo-verbale që ju përcillni. Për shembull, përqafimet, puthjet dhe kontakti me sy përcjellin mesazhin se dëshironi të jeni afër fëmijës tuaj. Por toni i ashpër i zërit ose fytyra e vrenjtur ndërkohë që ju po bëni diçka së bashku, mund të përcjellë mesazhin se nuk doni të jeni aty.
Puna në grup dhe marrëdhëniet familjare
Kur familja juaj punon si skuadër, të gjithë ndjejnë mbështetje dhe aftësi për të kontribuar. Është më e lehtë të punoni në grup kur të gjithë e kuptojnë vendin e tyre, kjo gjë ndihmon për të pasur të qarta pritshmëritë, limitet dhe kufinjtë.
Mund ta inkurajoni punën në grup në disa nga këto mënyra:
- Ndani punët e shtëpisë. Edhe fëmijët më të vegjël e pëlqejnë ndjenjën e përkatësisë që vjen nga dhënia e një kontributi - të paktën ndonjëherë!
- Përfshini fëmijët në vendime për gjëra të tilla si aktivitetet familjare, rregullat dhe pushimet. Jepini të gjithëve, duke përfshirë edhe fëmijët e vegjël - një shans për të thënë fjalën e tyre. Mbledhjet familjare mund të jenë një mënyrë e mirë për ta bërë këtë.
- Lërini fëmijët të marrin disa nga vendimet e tyre. Vendimet që i lejoni, do të varen nga aftësitë dhe pjekuria e tyre dhe nga kufijtë që keni vendosur. Për shembull, mund ta lësh fëmijën tënd 5-vjeçar të vendosë se çfarë dëshiron të veshë në shkollë, por nuk do ta lejoni të kthehet i vetëm në shtëpi.
- Krijoni rregulla familjare që tregojnë qartë se si dëshironi që familja juaj të kujdeset dhe t'i trajtojë pjesëtarët e saj. Për shembull, 'në familjen tonë i flasim me respekt njëri-tjetrit'. Rregulla të tilla ndihmojnë secilin të shkojë më mire sëbashku dhe e bëjnë jetën familjare më paqësore.
- Punoni së bashku për t’i zgjidhur problemet. Kjo përfshin të dëgjuarit dhe të menduarit me qetësi, të merrni në konsideratë opinionet, të respektoni mendimet e të tjerëve, gjetjen e zgjidhjeve konstruktive dhe arritjen e kompromiseve.
Vlerësimi për njëri-tjetrin dhe për marrëdhëniet familjare
Vlerësimi për njëri-tjetrin është në thelb të marrëdhënieve të mira familjare. Ja disa mënyra se si mund ta bëni këtë:
- Shfaqni interes për jetën e njëri-tjetrit. Për shembull, gjeni kohën për të shkuar në aktivitete sportive, shfaqje teatrale, artistike, e kështu me radhë.
- Përfshini të gjithë në bisedë kur flisni për ngjarjet e ditës. Për shembull, “Cila ishte ngjarja kryesore për ty sot, Sonila?”.
- Ndajini historitë dhe kujtimet familjare. Këto mund t’i ndihmojnë fëmijët t’i vlerësojnë gjërat që nuk janë të dukshme, ose që i kanë harruar - për shembull, arritjet sportive të nënës kur ka qenë më e re, ose mënyra se si motra e madhe ka ndihmuar në kujesin për fëmijën më të vogël pas lindjes së tij.
- Pranoni ndryshimet, talentet dhe aftësitë e njëri-tjetrit dhe përdorni pikat e forta të njëri-tjetrit.
|