Veprimtaritë në bibliotekë: fëmijët 3-6 vjeç
Bibliotekat: pse janë vende të mira për fëmijët
Vizita në një bibliotekë publike me fëmijën tuaj është një mënyrë e shkëlqyer për të nxitur dashurinë për librat dhe leximin.
Ju mund të merrni libra të mrekullueshëm për fëmijë, falas, nga biblioteka e lagjes apo e qytetit. Bibliotekat shpesh kanë libra me audio, libra në dy gjuhë, libra elektronikë dhe revista për fëmijë. Pra, ju mund të keni shumë libra që t’i lexoni me fëmijën tuaj, pa qenë nevoja për të shpenzuar para për blerjen e tyre.
Fëmija juaj do të kënaqet duke zgjedhur librat në bibliotekë. Personeli i bibliotekës mund t'ju rekomandojë libra që ju dhe fëmija juaj mund t'i shijoni.
Bibliotekat ofrojnë, gjithashtu, lexim të tregimeve, aktivitete dhe programe verore për fëmijët.
Çfarë ju duhet për të vizituar një bibliotekë
Thjesht duhet të zbuloni se ku është biblioteka e lagjes apo qytetit. Telefonojini bashkisë suaj, njësisë suaj administrative ose kontrollini në faqen zyrtare të internetit.
Nëse jeton në një zonë rurale ose të largët nga qendra e qytetit, pyesni për të gjetur qendrën më të afërt.
Nëse keni qasje në më shumë se një bibliotekë, mund të kërkoni rreth e rrotull për të gjetur se cila prej tyre ka shumëllojshmëri librash për fëmijë. Disa biblioteka mund të jenë më miqësore për fëmijët se të tjerat.
Kur t'i bashkoheni një biblioteke, stafi i bibliotekës do t'ju tregojë se sa libra mund të merrni hua dhe kur duhet t'i ktheni ato.
Si ta vizitoni në mënyrë të dobishme bibliotekën së bashku me fëmijën tuaj
- Flisni me fëmijën për bibliotekën përpara se të shkoni. Për shembull, 'Është një vend ku mund të zgjedhim disa libra, t’i lexojmë dhe t’i kthejmë prapë që t’i lexojë një fmëijë tjetër. Bibliotekat janë vende të qeta. Nuk mund të vrapojmë ose të bërtasim’.
- Praktikohuni në shtëpi duke folur me zë të ulët si në bibliotekë.
- Në bibliotekë, shkoni te pjesa ku gjenden librat për fëmijë dhe nxiteni fëmijën t’i shfletojë ato. Jepini fëmijës kohën e nevojshme për t’i parë librat.
- Kuptoni se cilët janë librat për të cilët shfaq interes fëmija dhe flisni rreth tyre. Për shembull, 'Ky duket si libër interesant – për çfarë mendon se mund të jetë?'
- Uluni pranë fëmijës suaj dhe lexoni disa libra së bashku. Vendosni së bashku për librat që do të merrni t’i lexoni në shtëpi.
Leximi i librave të ndryshëm është pjesë e të mësuarit. Nuk ka rëndësi nëse disa nga librat që zgjedh fëmija mund të jenë shumë të vështirë ose nuk janë aq interesantë sa mendonte se do të ishin. Mund t'i ktheni në bibliotekë dhe të merrni libra të tjerë herën tjetër kur të shkoni.
Përshtatja e vizitave në bibliotekë për fëmijët e moshave të ndryshme
Pjesa më e madhe e bibliotekave kalojnë kohë me lexime librash ku një anëtar i personelit ose një vullnetar zgjedh një libër dhe i lexon një grupi fëmijësh të vegjël. Pak zhurmë dhe biseda zakonisht janë të natyrshme në kohën e leximit, kështu që këto seanca mund të jenë të mira për fëmijët më të vegjël.
Fëmijët më të rritur mund të kënaqen duke kërkuar libra në fushat e tyre të interesit – për shembull, libra për kafshë, shkencë, art etj. Mund ta mësoni fëmijën si ta përdorë katalogun për të kërkuar një temë ose një autor të preferuar.