Marrëdhëniet dhe zhvillimi i fëmijës
Pse janë të rëndësishme marrëdhëniet e dashura dhe edukativeMarrëdhëniet e fëmijëve i japin formë mënyrës se si e shohin botën dhe ndikojnë në të gjitha fushat e zhvillimit. Nëpërmjet tyre fëmijët mësojnë për botën që i rrethon. Kjo sepse komunikimi i lejon fëmijët që të shprehin veten - një thirrje, një qeshje, një pyetje - marrja e ndonjë gjëje - një përqafim, një buzëqeshje, një përgjigje. Nga ana tjetër, përgjigjet që marrin u japin informacion shumë të rëndësishme për botën dhe si të veprojnë në të - si të mendojnë, të kuptojnë, të komunikojnë, të sillen, t’i shfaqin emocionet dhe t’i zhvillojnë aftësitë sociale. Për shembull, është e natyrshme mënyra e komunikimit të foshnjës suaj me ju nëpërmjet gugatjes, shprehjeve të fytyrës dhe gjesteve si tundja e kokës, përshëndetja dhe lëvizja e kokës. Është mënyra e duhur t'i përgjigjeni me të njëjtin lloj “bisede” me veprime e gjeste, sepse kjo i tregon ngrohtësi dhe dashuri. Duke iu përgjigjur në mënyrë të ngrohtë, të dashur dhe të butë, ju e ndihmoni fëmijën të mësojë rreth komunikimit, sjelljes dhe emocioneve. Duke ndërtuar një marrëdhënie të fortë me njëri-tjetrin, ju gjithashtu po mundësoni që fëmija të ndihet rehat dhe i sigurt. Kur ndihet i/e sigurt dhe i/e lidhur me ju, ai/ajo ka të ngjarë të ketë besim për të eksploruar botën që e rrethon, sepse fëmija e ndien se ju jeni atje për ta mbështetur, për ta nxitur dhe për të provuar përvoja të reja së bashku. Marrëdhëniet më të rëndësishme të fëmijës suaj janë me prindërit, anëtarët e tjerë të familjes dhe njerëzit e afërm. Eksplorimi i botës i jep fëmijës përvoja të reja. Fëmija ka nevojë për dhënien e këtyre përvojave që të mësojë si të mendojë, të komunikojë, të reagojë dhe të shoqërohet. Sa më shumë përvoja pozitive që të ketë me ju, aq më i shëndetshëm rritet dhe zhvillohet. Marrëdhëniet me të tjerët!Nuk është vetëm marrëdhënia midis jush dhe fëmijës suaj që ndikon në zhvillimin e tij/saj. Janë, gjithashtu, edhe marrëdhëniet tuaja me të tjerët. Fëmija shikon si silleni dhe si komunikoni me njerëzit tjerë në jetën tuaj - për shembull, me partnerin tuaj, anëtarët e familjes, miqtë dhe të afërmit. Mënyra e sjelljes suaj me njerëz të tjerë i jep fëmijës të kuptojë si të sillet me të tjerët dhe se si njerëzit e tjerë do të sillen me të. Nëse fëmija sheh marrëdhënie të mira dhe të respektueshme dhe i kopjon ato, ai/ajo do të mësojë të veprojë në të njejtën mënyrë në marrëdhëniet e veta me të tjerët. Pse është e rëndësishme loja?Në vitet e para të jetës, loja është mënyra kryesore nëpërmjet të cilës fëmija zhvillohet dhe mëson. Për fëmijën, loja është argëtim dhe mundësi për të analizuar, vëzhguar, eksperimentuar, zgjidhur probleme dhe për të mësuar nga gabimet që bën. Fëmija ka nevojë për mbështetjen dhe motivimin tuaj. Por është e rëndësishme të përpiqeni të gjeni ekuilibrin ndërmjet dhënies së ndihmës dhe lejimit të fëmijës që të bëjë gabime, sepse nxjerrja e mësimeve nga ajo që bën, është veprim i rëndësishëm për zhvillimin e tij/saj të mëtejshëm. Kur kaloni shumë kohë duke luajtur, duke folur, duke dëgjuar dhe duke bashkëvepruar së bashku, ju e ndihmoni fëmijën të zhvillojë aftësitë për jetën, si komunikimi, të menduarit, zgjidhja e problemeve, lëvizja dhe qëndrimi me njerëz dhe fëmijë të tjerë. Por më shumë se kaq, loja është ndërtuesja më e madhe e marrëdhënieve. Kalimi i kohës duke luajtur së bashku i dërgon fëmijës mesazhin e thjeshtë “Ti je të rëndësishëm për mua”, por ky mesazh e ndihmon fëmijën të mësojë kush është dhe cili është vendi i tij/saj në botë. Loja dhe marrëdhëniet në veprim: shembulli i lojës 'kukafshehti'Loja e thjeshtë 'kukafshehti' është një shembull i mirë se si marrëdhëniet, loja dhe koha e kaluar së bashku e ndihmojnë fëmijën në të gjitha fushat e zhvillimit. Kur luani kukafshehti me fëmijën, ju fshihni fytyrën prapa duarve tuaja dhe e shfaqni atë përsëri. Fëmija juaj ndoshta i zgjat krahët e tij/saj drejt jush dhe buzëqesh. Ky veprim shpreh mendimin dhe dëshirën e fëmijës për të vazhduar me këtë lojë. Ju vazhdoni dhe fëmija juaj është i lumtur. Por pas një farë kohe, fëmija juaj mund të shikojë larg. Kjo është mënyra e tij/saj për të thënë se ka luajtur mjaftueshëm për momentin dhe është koha për të bërë një pushim. Shembulli i lojës kukafshehti tregon se fëmija juaj dëshiron të luajë me ju, pra është i lidhur me ju. Dhe lidhja është një shenjë e zhvillimit të shëndetshëm social dhe emocional. Gjithashtu, kur foshnja juaj ngre dhe zgjat krahët e tij/saj për të thënë se dëshiron më shumë lojë, ai/ajo zhvillon aftësitë e tij/saj gjuhësore dhe motorike. Kur ju përgjigjeni, fëmija motivohet që të vazhdojë të komunikojë me ju. Loja kukafshehti ndihmon edhe në të menduarit e foshnjës suaj, pasi ai/ajo mëson për atë që vijon, kur largoheni nga shikimi i tij/saj dhe pastaj rishfaqeni. Dhe kur i përgjigjeni sinjaleve të tij/saj për më shumë lojëra ose për pushim, fëmija e kupton se mund t’ju besojë. Kjo e ndihmon të ndihet i/e sigurt, i/e dashur dhe i/e rehatuar. Ndjenja e sigurisë i jep fëmijës besimin për të eksploruar botën. Loja 'kukafshehti' është vetëm një lojë e thjeshtë, por ajo hedh themelet për zhvillimin e komunikimit, të menduarit, aftësive motorike dhe zhvillimin social dhe emocional. E gjithë kjo mundësohet vetëm për shkak të marrëdhënies pozitive dhe edukative që ju dhe fëmija juaj ndërtoni së bashku. Marrëdhëniet: përfitimet për jetënNdërveprimet e ngrohta dhe të dashura mes jush zhvillojnë besimin, fleksibilitetin dhe komunikimin e fëmijës suaj. Ato e përgatisin fëmijën për gjërat, me të cilat do të përballet më vonë gjatë jetës, si zgjidhja e problemeve që kanë të bëjnë me stresin dhe formimin e marrëdhënieve të shëndetshme me njerëzit e tjerë në adoleshencë dhe moshë madhore. Lidhjet e forta dhe marrëdhëniet në fillim të jetës, gjithashtu, nënkuptojnë që fëmija juaj ka më shumë gjasa të ketë shëndet më të mirë mendor dhe më pak probleme të sjelljes. Duke ndërtuar një marrëdhënie të ngrohtë, pozitive dhe të përgjegjshme me fëmijën tuaj, ju po ndihmoni në formësimin e personalitetit, që do të ketë si i rritur dhe do t’i jepni një themel të fortë për pjesën tjetër të jetës që e pret.
|