Balanca/ekuilibri ndërmjet punës dhe jetës: këshilla për familjen tuaj

Ia vlen të mendoni për balancën ndërmjet punës dhe gjërave të tjera të rëndësishme në jetë, sidomos fëmijëve dhe familjes. Vendosja e një ekuilibri ndërmjet punës dhe jetës është i mirë si për fëmijët tuaj, po ashtu edhe për ju.
Body

Çfarë është ekuilibri ndërmjet punës dhe jetës?

Ekuilibri ndërmjet punës dhe jetës është marrëdhënia midis punës suaj dhe gjërave të tjera të rëndësishme në jetën tuaj, si familja, sporti dhe jeta shoqërore, punët e shtëpisë, angazhimet vullnetare e kështu me radhë. Nëse ndiheni sikur keni kohë të mjaftueshme për të gjitha këto gjëra në jetën tuaj, ndoshta keni një ekuilibër të mirë të punës dhe jetës.

Nuk ka formulë universale për ekuilibrin punë-jetë. Për secilin është ndryshe, sepse çdo situatë familjare është e ndryshme dhe unike. Gjithashtu, ato ndryshojnë pasi puna, familja dhe përgjegjësitë e tjera janë të ndryshme.

Me pritshmëri realiste dhe me disa sprova e gabime, do të arrini të gjeni një mënyrë për t`ju ndihmuar ju dhe familjen tuaj të arrini ekuilibrin ndërmjet jetës dhe punës për një kohë të gjatë.

Balanca punë-jetë: përse është e mirë

E mirë për ju
Me gjetjen e ekuilibrit mes punës dhe jetës me shumë mundësi do të ndiheni:

  • më pak të stresuar dhe të lodhur
  • më nën kontroll të kohës tuaj
  • më të aftë për të marrë vendime dhe për t’i përmbushur angazhimet
  • më të shëndetshëm.

Gjithashtu, një jetë familjare e ekuilibruar mirë mund të ndihmojë në parandalimin e shpenzimit të energjisë suaj edhe në punë.

E mirë për fëmijët
Për t’u zhvilluar dhe për të mësuar, fëmijët kanë nevojë për ngrohtësi, vëmendje, dashuri dhe të kalojnë kohë të mirë me ju. Koha e duhur është atëherë kur jeni të pranishëm fizikisht dhe emocionalisht me fëmijën. Balanca mes punës dhe jetës mund t’ju ndihmojë ta krijoni këtë kohë për fëmijën tuaj.

E mirë për marrëdhëniet tuaja
Koha cilësore e kaluar së bashku është themeli i ndërtimit të të gjitha marrëdhënieve, kështu që një ekuilibër i mirë punë-jetë ju jep kohë dhe energji për të zhvilluar marrëdhënie më të mira me fëmijën tuaj dhe partnerin tuaj.

Si mund të dalin nga balanca puna dhe jeta familjare?

Puna mund ta pengojë kalimin e kohës së mjaftueshme – dhe kohën e mjaftueshme cilësore – me fëmijën tuaj.

Është e qartë se koha që kaloni duke punuar është koha që nuk e kaloni me fëmijët. Të punuarit me orë të zgjatura nënkupton kthimin në shtëpi pasi fëmijët kanë fjetur ose largimin para se të zgjohen. Nuk mund t’i shohësh gjatë javës. Dhe nëse sillni punën në shtëpi, kjo mund të ndikojë edhe në kohën që keni në dispozicion për fëmijët.

Puna mund të ndikojë negativisht edhe në kohën që kaloni me fëmijët. Ndoshta jeni në shtëpi, por mendja juaj mund të jetë ende në punë. Për shembull, mund të mendoni për diçka që ka ndodhur gjatë ditës ose të përqendroheni ende tek një problem.

Përse fëmijët kanë nevojë që çdo ditë të shkëputeni nga puna?

Shpesh fëmijët janë ata që kanë më shumë nevojë për vëmendjen tuaj në fund të ditës, pikërisht atëherë kur mund ta keni vërtet të vështirë t’ia kushtoni. Ata mund të duan t’jua tregojnë të gjitha lajmet e ditës ose të kërkojnë ndihmën tuaj për diçka.

Gjithashtu, edhe fëmijët mund të kenë ditë të këqija, ndoshta në kopësht ose në shkollë. Ata mund të kenë nevojë për përkrahjen ose këshillën tuaj, ose ata thjesht duan që ju t`i dëgjoni ndërsa ata po nxjerrin diçka “nga shpirti i tyre”. Fëmijët më të vegjël shpesh janë të lodhur, të mërzitur ose të uritur kur jeni të gjithë në shtëpi. Ata thjesht mund të kenë nevojë vetëm për përqafime.

Mund të jetë e vështirë, kur përgatisni darkën dhe përgatiteni për të nesërmen. Por mund t’ia vlejë të ndani kohë për të ndalur, për të dëgjuar dhe për t’u lidhur me fëmijën tuaj. Kjo i siguron fëmijët të ndjehen se janë të dashur, të sigurt dhe të mbrojtur – dhe kjo mund t’ju ndihmojë të gjithëve të qetësoheni dhe të ndjeheni më mirë.

Kur jeni i/e zënë, i/e stresuar ose keni kaluar limitet, fare lehtë mund të mendoni se t’i kushtoni vëmendje fëmijës është një tjetër punë ose përgjegjësi. Në vend të kësaj, mund t`ju ndihmojë të mendoni se sa e mrekullueshme është të keni një fëmijë që ju pret në shtëpi dhe  ndani botën me të.

Marrëveshje të reja pune për një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës

Kur jeni prind që punoni, mund t'ju pëlqejë të merrni në konsideratë marrëveshje të punës që janë të favorshme për familjen. Përpiquni të zbuloni se çfarë politikash të tilla ka punëdhënësi juaj, duke parë marrëveshjen ose duke biseduar me kolegët e punës. Më pas bisedoni me shefin tuaj për këtë çështje.

Mundësitë mund të përfshijnë:

  • punë me orar fleksibël – për shembull, ju mund të mbërrini vonë dhe të punoni vonë ose anasjelltas, gjë që mund t’i bëjë më të lehta largimin nga shkolla ose darkat familjare.
  • punë nga shtëpia.
  • punë me më pak orë – për shembull, duke punuar me kohë të pjesshme ose duke e ndarë punën.

Nuk ka rëndësi se çfarë bëjnë miqtë tuaj, apo çfarë mendojnë të tjerët se duhet të bëni – zgjidhni opsionin më të mirë për familjen tuaj.

Ndryshimi i zakoneve të punës

Kur keni fëmijë, mund t`ju ndihmojë rishikimi i zakoneve tuaja të punës që gjithçka të funksionojë. Ja disa ide:

  • Rishikoni ditën e punës në mendjen tuaj para se të largoheni nga puna. Kjo mund t'ju ndihmojë të kaloni gradualisht në të menduarit për shtëpinë dhe familjen.
  • Nëse këtë e lejojnë familja dhe masat e kujdesit, mund të qëndroni pak më gjatë në punë për të përfunduar një detyrë, në vend që ta merrni punën në shtëpi. Megjithatë, orët e zgjatura mund të mos jenë alternativa më e mirë për në vazhdimësi.
  • Përpiquni ta rregulloni punën që detyrat më të vështira t’i merrni përsipër në fillim të ditës,dhe jo në fund të ditës.
  • Ndani një moment në ditën e punës që të ndiheni të lidhur me fëmijën tuaj. Mundet thjesht të shikoni një foto ose të mendoni për një gjë të veçantë që keni kaluar së bashku kohët e fundit. Kjo mund t`ju ndihmojë të kujtoni arsyen përse po përpiqeni të arrini një ekuilibër ndërmjet punës dhe jetës.
  • Përpiquni të vendosni disa kufinj rreth masës së punës që do të bëni në shtëpi, duke përfshirë edhe kufizimet për të kontrolluar dhe për t’iu përgjigjur email-eve ose telefonatave.

Kalimi i përditshëm nga puna në shtëpi

Mund të ndiheni më të gatshëm të lidheni me fëmijët kur  ktheheni në shtëpi, nëse në mendjen tuaj ndërmjet punës dhe shtëpisë “e vendosni punën në pauzë”. Provoni disa nga këto ide rrugës për në shtëpi:

  • Fikni telefonin e punës dhe lëreni anash dëgjimin e muzikës, radios ose ndonjë podcast, leximin ose ushtrimin – nëse mundeni provoni të ecni ose të ngisni një biçikletë rrugës për në shtëpi.
  • Mendoni për mënyra se si ta bëni kohën e udhëtimit më shplodhës. Për shembull, përdorni një transport të përbashkët, përdorni transportin publik ose ecni nëse keni mundësi.
  • Mendoni për fëmijën tuaj ndërsa shkoni nga puna në shtëpi.
  • Bëni një ushtrim të thjeshtë të mendjes, ndoshta para se të largoheni nga puna ose në makinën tuaj të parkuar.

Dhe rehatimi në mbrëmje mund të jetë më i lehtë me këto ide:

  • Bëni një ritual ose rutinë për të shënuar lëvizjen fizike, mendore dhe emocionale nga puna në shtëpi. Mund të jetë diçka aq e thjeshtë, siç është ndërrimi i rrobave të punës.
  • Flisni me familjen tuaj, duke përfshirë edhe fëmijët më të mëdhenj, për sfidat e kalimit, sidomos gjatë periudhave stresuese në punë. Ndihmojini t’i shohin gjërat nga këndvështrimi juaj, përpiquni t’i shihni gjërat nga këndvështrimi i tyre dhe të kenë pritshmëri të arsyeshme për kohën personale dhe kohën familjare.
  • Nëse punoni nga shtëpia, përpiquni ta ruani vendin e punës të ndarë nga hapësira familjare. Vendosni kufinj në lidhje me kohën e fillimit dhe përfundimit, dhe jini të qartë me kolegët dhe klientët për kohët që nuk jeni në dispozicion.
  • Kërkojini partnerit/es ose atij/asaj që është kujdesur për fëmijën tuaj, t’ju tregojë për ditën e tij/saj ose për çdo gjë që ka ndodhur të cilat mund të ndikojnë në humorin e fëmijës tuaj. Kjo mund t’ju ndihmojë të përgatiteni për t’i kushtuar fëmijës vëmendjen që i nevojitet.

Prindërit në rrethana të veçanta – si prindërit e vetëm, apo prindërit e fëmijëve me paaftësi – mund të përballen me sfida që e bëjnë kalimin nga puna në shtëpi edhe më të vështirë.