Siguria në internet: fëmijët 3-5 vjeç

Ekzistojnë tre lloje të rreziqeve të sigurisë së internetit për fëmijët parashkollorë - përmbajtja, kontakti dhe sjellja. Mënyrat praktike për ta mbajtur të sigurt fëmijën e moshës parashkollore përfshijnë një plan familjar për mediat, shfletuesit miqësorë për fëmijët, rishikimet, rrethanat e privatësisë dhe kontrollet prindërore. Është e rëndësishme të hyni në internet me fëmijën tuaj, krijoni një model që do të ndiqet për përdorim të sigurt të internetit, dhe mësoni fëmijën tuaj rreth përmbajtjes së mirë dhe të keqe në internet.
Body

Pse ka rëndësi siguria në internet?

Fëmijëve të moshës parashkollore u pëlqen të hyjnë në internet për të parë videot ose për të luajtur lojëra. Ata mund ta bëjnë këtë duke përdorur kompjutera, telefona celularë, tableta, televizorë dhe pajisje tjera.

Për fëmijët e moshës parashkollore ekzistojnë rreziqe lidhur me sigurinë në internet, edhe pse fëmijët parashkollorë zakonisht nuk  ekspozohen ndaj aq shumë rreziqeve sa fëmijët më të rritur, sepse ata kanë më pak gjasa të përdorin internetin në mënyrë të pavarur.

Kur merrni disa masa praktike për sigurinë në internet, e mbroni fëmijën nga përmbajtjet dhe aktivitetet e rrezikshme ose të papërshtatshme. Në këtë mënyrë fëmija arrin të nxjerrë më të mirën nga përvoja në internet përmes potencialit të tij/saj për të mësuar, eksploruar, duke u bërë kreativ dhe duke u lidhur me familjen dhe miqtë.

Rreziqet e e lidhura me internetin për fëmijët parashkollorë

Ekzistojnë tre lloje kryesore të rreziqeve të internetit për fëmijët:

  • Rreziqet e përmbajtjes: këto rreziqe përfshijnë përmbajtje që mund t’i bezdisin, t’i neveritin fëmijët ose t’i bëjnë të mos ndihen rehat. Shembuj të tillë janë pornografia, dhuna, imazhet e mizorisë ndaj kafshëve ose programet dedikuar për fëmijët më të rritur.
  • Rreziqet e kontaktit: këto rreziqe i përfshijnë fëmijët të kontaktojnë njerëz që nuk i njohin. Për shembull, një fëmijë mund të përdorë një aplikacion komunikimi dhe të flasë me një të panjohur.
  • Rreziqet e sjelljes: këto rreziqe i përfshijnë fëmijët të veprojnë në mënyra që mund t’i lëndojnë të tjerët. Për shembull, një fëmijë mund ta shkatërrojë një lojë, të cilën e ka krijuar shoku ose vëllai/motra e tij. Kryerja aksidentalisht e blerjeve në aplikacione interneti është një rrezik tjetër sjelljeje.

Mbrojtja e fëmijës nga rreziqet e internetit: këshilla

Ju luani një rol kyç në zvogëlimin e rreziqeve, në të cilat fëmija juaj është i ekspozuar në internet. Ka shumë gjëra praktike që mund të bëni për ta ndihmuar fëmijën e moshës parashkollore, që të jetë i sigurt për sa kohë është në internet.

Ja disa ide:

  • Përdorni së bashku me fëmijën mediat digjitale dhe internetin ose sigurohuni që të jeni afër dhe të vetëdijshëm për atë që fëmija juaj po bën në internet. Në këtë mënyrë ju mund të veproni shpejt nëse fëmija është i shqetësuar ose i mërzitur nga diçka që ka parë.
  • Krijo një plan të medias familjare. Plani juaj mund të mbulojë gjëra të tilla si hapësira pa pajisje digjitale në shtëpinë tuaj, rregullat e sigurisë në internet si mosdhënia e informacioneve personale, si dhe programet, lojërat dhe aplikacionet që janë në rregull për fëmijën tuaj për t’i përdorur.
  • Përdorni faqe miqësore për fëmijë si Kiddle, ose ofruesit e përmbajtjeve si ABC Kids, CBeebies, YouTube Kids ose KIDOZ.
  • Kontrolloni që lojërat, faqet e internetit dhe programet televizive janë të përshtatshme për fëmijën tuaj. Për shembull, mund të lexoni opinionet (review) për mediat e ndryshme.
  • Sigurohuni që vëllezërit e motrat më të mëdhenj t’i ndjekin rregullat e sigurisë  kur të hyjnë në internet me fëmijën tuaj të moshës parashkollore. Rregullat mund të përfshijnë vetëm shikimin e programeve të përshtatshme për moshën.
  • Vendosni një kartelë (dosje) me shenja për aplikacionet ose websitet e preferuara të fëmijës tuaj, në mënyrë që ai/ajo t’i gjejë lehtësisht. Mund të vendosni kartela dhe shënjues në të gjitha pajisjet që i përdor fëmija juaj.
  • Kontrolloni në pajisjet tuaja rregullimet e privatësisë, përdorni kontrollet prindërore, bllokoni blerjet në aplikacione dhe ç'aktivizoni opsionet e pagesës me një klikim si dhe shërbimet e vendndodhjes.
  • Zbuloni se si të bëni ankesa në lidhje me përmbajtje ofenduese në internet.

Me rritjen e fëmijës, kur ai fillon të përdorë internetin në mënyrë të pavarur, do ju duhet t’i rishikoni strategjitë tuaja. Artikulli ynë për sigurinë në internet për fëmijët e moshës 6-8 vjeçare përmban këshilla përkatëse.

Mësimi i sjelljes së sigurt dhe të përgjegjshme në internet

Ju mund ta ndihmoni fëmijën të mësojë si t’i përdorë mediat digjitale dhe internetin në mënyrë të sigurt, të përgjegjshme dhe të kënaqshme. Nëse e mësoni fëmijën se si t’i menaxhojë rreziqet e sigurisë në internet dhe përvojat shqetësuese për veten e tij, atëherë ai/ajo do të ndërtojë rezistencë digjitale. Kjo është aftësia për të marrë dhe për t’iu përgjigjur pozitivisht çdo rreziku që has në internet.

Këtë mund ta bëni:

  • duke hyrë online me fëmijën 
  • duke qenë një model i mirë
  • duke i mësuar fëmijës për përmbajtjen e mirë dhe të keqe
  • duke i mësuar fëmijës për blerjet e aplikacioneve.

Hyrja në internet së bashku me fëmijën

Fëmija do të përfitojë më shumë kur është online, në qoftë se ju shikoni ose luani me të. Ju mund:

  • ta nxisni t’ua tregojë faqet e internetit që janë argëtuese apo interesante
  • t’i kërkoni t’u tregojë se si të luani në aplikacionin ose lojën, që ai/ajo po luan
  • të bisedoni për videot që ai/ajo po shikon.

Nëse mendoni se aplikacioni ose videoja nuk është e përshtatshme, mund të thoni: “Kjo është pak për më të rritur. Le të gjejmë diçka tjetër.” Pastaj ndihmoje fëmijën të gjejë diçka më të përshtatshme.

Të jesh një model i mirë

Fëmija juaj mëson nga ju. Kjo do të thotë se ju mund ta modeloni përdorimin e sigurt dhe të shëndetshëm të internetit, duke përdorur mediat digjitale në mënyrën që dëshironi, që fëmija juaj ta përdorë atë tani dhe në të ardhmen. Për shembull, ju mund t’i mbani pajisjet e lidhura me internet jashtë dhomave të gjumit.

Është gjithashtu një ide e mirë për të gjetur se si gjyshërit dhe njerëzit e tjerë në jetën e fëmijës tuaj e përdorin internetin dhe përpiqen të bien dakord mbi një qasje të përbashkët.

Mësoji fëmijës për përmbajtjen e mirë dhe të keqe

Ju mund t’i shpjegoni fëmijës se në internet ka përmbajtje të mira dhe të këqija, duke përfshirë përmbajtjet që nuk janë në vërteta. Nxiteni fëmijën të flasë me ju nëse sheh diçka shqetësuese, të frikshme ose brengosëse. Për shembull, mund të thoni: “Disa video në internet mund të jenë shqetësuese ose të frikshme. Më thuaj nëse sheh diçka që të frikëson apo të bën të palumtur.”

Mësoje fëmijën për blerjet e aplikacioneve

Shumë lojëra dhe aplikacione kanë opsione për blerje si psh. kostumet e personazheve apo për kalimin në nivelet e reja të lojërave. Mund t’ia bëni me dije fëmijës tuaj për këto duke thënë diçka: “Njerëzit e përdorin internetin për të fituar para dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ua japim paratë tona gabimisht. Nëse në ekran del diçka mos e kliko. Eja dhe më trego.”

Është OK nëse rregullat tuaja janë të ndryshme nga ato të familjeve të tjera. Nëse i keni menduar gjatë dhe jeni të kënaqur me mënyrën se si ata veprojnë, ju po ndihmmoni për ta mbajtur fëmijën tuaj të sigurt në internet.