Të folurit dhe të dëgjuarit e fëmijëve të moshës parashkollore

Pikat kryesore: Parashkollorët duan të përdorin aftësitë e tyre gjuhësore për të kuptuar dhe shpjeguar botën që i rrethon. Fëmijët parashkollorë kanë filluar të përdorin fjalë për të përshkruar ndjenjat. Ata, gjithashtu, nisin të përdorin fjali më të gjata dhe të tregojnë histori më të gjata. Kur fëmija juaj po flet, tregojini që po e dëgjoni. Nxiteni fëmijën t'ju dëgjojë dhe të flasë me radhë në bisedë.
Body

Të folurit dhe dëgjimi i parashkollorëve: çfarë mund të prisni

Në moshën 3-5-vjeçare, mund të dëgjoni shumë biseda dhe pyetje nga fëmija juaj parashkollor. Kjo ndodh se fëmijët e kësaj moshe:

  • duhet t’i praktikojnë fjalët e reja, tingujt e të folurit dhe aftësitë gjuhësore,
  • janë të magjepsur vazhdimisht nga bota që i rrethon,
  • mësojnë duke folur me njerëz që dinë më shumë se ata.

Dëgjimi i fëmijës!

Kur i tregoni fëmijës suaj se jeni duke e dëgjuar, i dërgoni mesazhin se ajo që po mendon dhe po e shpreh është e rëndësishme për ju.

Ja si të dëgjoni dhe t'i tregoni fëmijës tuaj se po e dëgjoni:

  • Ndalojeni atë që jeni duke bërë dhe kushtojini vëmendje fëmijës suaj sa herë që të keni mundësi.
  • Uluni në nivelin e fëmijës tuaj dhe bëni kontakt me sy.
  • Përshtateni gjuhën e trupit me atë të fëmijës suaj. Kjo mund të tregojë shumë. Për shembull, fëmija juaj mund të dridhet nga zemërimi ose të kërcejë lart e poshtë nga kënaqësia.
  • Kur fëmija juaj ju thotë diçka, përmblidheni atë që ka thënë për t’i treguar se e keni kuptuar çfarë po ju tregon.
  • Përdorni fraza që tregojnë se jeni të interesuar. Për shembull, mund t'i thoni, “Vërtet?”, “Vazhdo” ose “Po pastaj çfarë ndodhi?”.
  • Pohoni me kokë, buzëqeshni dhe tregohuni të dashur teksa fëmija flet.
  • Mundohuni të dëgjoni derisa fëmija juaj ta përfundojë tregimin e historisë.

Fëmijët parashkollorë duan të flasin dhe të tregojnë histori! Nëse nuk mund të dëgjoni për momentin, thuajani fëmijës tuaj. Për shembull, “Ne jemi pothuajse pranë kopshtit. A dëshiron, ta përfundosh tregimin shpejt tani ose është më mirë të ma tregosh pjesën tjetër kur të kthehemi në shtëpi?”. Sigurohuni që ta dëgjoni më vonë.

Biseda me fëmijën

Fëmija juaj mund të përdorë dhe të kuptojë shumë fjalë, por sërish ndonjëherë mund të ketë probleme të kuptojë atë që i thoni.

Në vijim, janë dhënë disa ide që mund t’ju ndihmojnë të flisni dhe të komunikoni qartë me fëmijën tuaj në moshën parashkollore.

  • Mundohuni të thoni saktësisht atë që nënkuptoni. Fëmija juaj mund të mos i kuptojë shakatë, ekzagjerimin ose sarkazmën dhe ju mund t’ia lëndoni ndjenjat.
  • Sigurohuni që gjuha e trupit tuaj dhe shprehjet e fytyrës të përputhen me atë që thoni. Për shembull, buzëqeshni dhe bëni kontakt me sy kur i thoni fëmijës tuaj se e doni shumë.
  • Nëse fëmija nuk mund ta kuptojë atë që po i thoni, përsëriteni të njëjtin mesazh në mënyra të ndryshme. Për shembull, “Vendose çantën tënde në varëse” dhe “Merre çantën tënde dhe vare te varësja”.
  • Ndihmojeni fëmijën të kuptojë “pse-të”, duke ia shpjeguar gjërat teksa jeni duke folur. Për shembull, “Ne nuk e ngasim biçikletën në rrugë, sepse mund të na godasë makina”.
  • Tregojini fëmijës të respektojë radhën për të folur. Biseda me radhë përmirëson aftësitë e dëgjimit të fëmijës tuaj. “Ana, është radha ime të flas. Ty do të të vijë radha shumë shpejt”.
  • Jepini fëmijës tuaj shumë lavdërime dhe lavdërim të veçantë për komunikimin e mirë. Për shembull, “Faleminderit që e përfundove tregimin, brenda kohës së drekës”.

Përgjigjjuni pyetjeve të fëmijës

Kur i merrni seriozisht pyetjet e fëmijës tuaj dhe ndani kohë për t’i dhënë një përgjigje të vërtetë, ju e nxisni fëmijën të vazhdojë të bëjë pyetje. Kjo e ndihmon fëmijën të mësojë rreth botës. “Hmmm, as unë nuk e di përgjigjen për këtë. Është një pyetje e vështirë. Le ta pyesim gjyshen, herën tjetër kur të flasim me të”.