Zhvillimi i gjuhës tek fëmijët: 0-8 vjeç
Zhvillimi i gjuhës tek fëmijët: çfarë duhet të dini
Zhvillimi i gjuhës është një pjesë kritike e zhvillimit të fëmijëve.
Ajo mbështet aftësinë e fëmijës për të komunikuar, për të shprehur e për të kuptuar ndjenjat. Ajo gjithashtu mbështet të menduarit dhe zgjidhjen e problemeve, dhe krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me të tjerët. Të mësosh të kuptosh, të përdorësh dhe të shijosh të folurën është hapi i parë kritik i shkrim-leximit dhe baza për të mësuar të lexosh e të shkruash.
Në 12 muajt e parë, foshnjat zhvillojnë shumë nga aftësitë që mbështetin të folurin dhe zhvillimin e gjuhës. Gjithashtu, në tre vitet e para të jetës, ata vazhdojnë të zhvillojnë aftësi gjuhësore me një ritëm mahnitës.
Si të stimulohet zhvillimi i hershëm i gjuhës tek fëmijët
Mënyra më e mirë për t'i dhënë zemër fëmijës për të folur dhe për të zhvilluar gjuhën është që të flisni shumë bashkë për gjëra që i interesojnë fëmijës. Është më e lehtë sesa duket por duhet vetëm të ndjekësh fëmijën i cili të drejton ndërsa të tregon se për çfarë interesohet duke u tundur, duke treguar me gisht, duke llomotitur ose duke përdorur fjalë.
Fol me fëmijën tënd
Flitni me fëmijën tuaj dhe trajtojeni si një bashkëbisedues, duke filluar që nga 12 muajt e parë të jetës. Kur të mbarosh së foluri, jepi një stimul fëmijës dhe prit që ai të përgjigjet. Dhe kur fëmija yt fillon të llomotisë, kopjo fëmijën tënd dhe llomotit. Ndoshta do të shohësh se fëmija yt do të të përgjigjet përsëri dhe kjo e bën bisedën të vazhdojë dhe është argëtim i madh.
T'i përgjigjesh fëmijës
Ndërsa fëmija rritet dhe fillon të përdorë gjeste, mund t'u përgjigjesh përpjekjeve të fëmijës për të komunikuar. Për shembull, nëse fëmija tund kokën, përgjigju sikur fëmija të thotë ''Jo''. Nëse fëmija tregon një lodër me gisht, përgjigju sikur fëmija po thotë: ''A mund ta kem këtë?'' ose ''Më pëlqen kjo''.
Kur fëmija fillon të përdorë fjalë, mund të përsëritësh dhe të ndërtosh atë që thotë fëmija. Për shembull, nëse fëmija të thotë ''Mollë'', mund të thuash: ''Do një mollë të kuqe?''
Kur i bisedon me fëmijën dhe i përgjigjesh, kjo e nxit fëmijën që të komunikojë. Do të habiteni se sa shumë ka për të thënë fëmija juaj edhe para se të flasë me fjalë.
Të folurit e përditshëm
Të flasësh për atë që po ndodh në jetën tënde të përditshme së bashku me fëmijën është një mënyrë e shkëlqyer për të rritur numrin e fjalëve që dëgjon fëmija juaj. Ju mund të flisni për gjëra që kanë kuptim për fëmijën tuaj, si ajo që ju jeni duke parë ose duke bërë së bashku – çelësi është të përdorni shumë fjalë të ndryshme dhe në kontekste të ndryshme. Për shembull, mund t'i flasësh fëmijës për një kokër portokalli dhe për prerjen e një portokalli për drekë. Kjo e ndihmon fëmijën që të mësojë domethënien dhe funksionin e fjalëve në botën fëminore.
Nuk ka rëndësi nëse fëmija juaj nuk kupton (ose juve ju duket kështu), sepse kuptueshmëria do të rritet ndërsa fëmija juaj zhvillohet.
Nga momenti kur fëmija juaj fillon të tregojë histori, inkurajoje fëmijën që të flasë për gjëra të të kaluarës dhe të të ardhmes. Për shembull, në fund të ditës, mund të flasësh për planet për ditën tjetër, duke bërë një listë blerjesh së bashku ose duke vendosur se çfarë të bësh për t'i bërë një vizitë gjyshes. Ose kur të kthehesh në shtëpi nga një festë së bashku, mund të flasësh për këtë.
Leximi së bashku me fëmijën tuaj
Lexo dhe ndaj me fëmijën shumë libra dhe lexo libra më të ndërlikuar ndërsa fëmija rritet. Leximi e lejon fëmijën që të dëgjojë fjalë me kuptime të ndryshme, gjë që ndihmon në mësimin e kuptimit dhe të funksionit të fjalëve.
Lidhja e asaj që gjendet në libër me atë që po ndodh në jetën e fëmijës suaj është një mënyrë e mirë për ta bërë fëmijën tuaj të flasë. Gjithashtu, mund ta inkurajosh që të flasë duke biseduar për piktura interesante në librat që lexon me fëmijën.
Kur lexon me zë të të lartë me fëmijën, mund t'u drejtohesh fjalëve siç i thua. Kjo i tregon fëmijës lidhjen mes fjalëve të shkruara dhe të folura dhe e ndihmon fëmijën të mësojë se fjalët janë pjesë të ndryshme të gjuhës. Këto janë koncepte të rëndësishme për zhvillimin e shkrim-leximit.
Biblioteka në lagjen tuaj është një burim i madh librash të rinj.
Nëse familja juaj flet dy gjuhë, ju mund të inkurajoni zhvillimin e gjuhës së fëmijës tuaj në të dyja gjuhët – për shembull, shqip dhe anglisht. Fëmijët dygjuhësh mund të arrijnë piketa të zhvillimit të gjuhës me një ritëm të ngjashëm me fëmijët që flasin një gjuhë.
Zhvillimi i gjuhës: tetë vitet e para
Këtu janë vetëm disa nga gjërat e rëndësishme që fëmija yt mund të arrijë në zhvillimin e gjuhës nga tre muaj deri në moshën tetë vjeçare.
3-12 muaj
Në këtë periudhë, ka shumë të ngjarë që fëmija të gugasë, të qeshë, të luajë me tingujt dhe të fillojë të komunikojë me gjeste si p.sh të lëkundet. Llomotitja apo gugatja është një fazë e rëndësishme e zhvillimit gjatë vitit të parë të jetës.
Llomotitja apo gugatja shpesh pasohet nga ''faza e zhargoneve'' ku fëmija juaj mund të duket sikur është duke folur me ju ose duke bërë një bisedë, megjithëse në këtë fazë, ky ''fjalim'' nuk do të thotë asgjë për ju, ju duket sikur nuk kuptoni ato që po flet. Fjalët e para, me kuptim, shpesh fillojnë rreth moshës12 muajshe.
Mund të dëgjosh gugatje, llomotitje, zhargon dhe fjalë të reja së bashku, ndërsa fëmija i afrohet më shumë fjalëve të para me kuptim.
Nëse foshnja juaj nuk po llomotit apo gugat dhe nuk i përdor gjestet rreth moshës 12 muajshe apo më pas duhet të flisni me mjekun, infermieren ose me një profesionist tjetër shëndetësor.
Mësoni më shumë rreth zhvillimit të gjuhës nga mosha 3-12 muaj.
12-18 muaj
Në këtë moshë shumica e fëmijëve thonë fjalët e para me kuptim. Për shembull, kur fëmija yt thotë ''baba'', në të vërtetë fëmija po kërkon babanë. Në muajt e ardhshëm, fëmija do të vazhdojë t'i shtojë më shumë fjalë fjalorit të tij. Fëmija mund të kuptojë më shumë sesa mundet të thotë dhe mund të ndjekë edhe udhëzime të thjeshta. Për shembull, fëmija juaj mund t'ju kuptojë kur thoni ''Jo'' – edhe pse ai nuk do të bindet gjithmonë!
18 muaj deri në 2 vjeç
Në vitin e dytë të jetës fjalori i fëmijës tuaj është rritur dhe ai do të fillojë që të bashkojë dy fjalë në ''fjali'' të shkurtra. Fëmija juaj do të kuptojë shumë nga ato që i thoni, dhe ju mund të kuptoni se çfarë ju thotë fëmija juaj (shumicën e kohës!).
Zhvillimi i gjuhës ndryshon shumë, por nëse fëmija juaj nuk thotë disa fjalë rreth 18 muajsh, flisni me mjekun, infermieren ose me një profesionist tjetër shëndetësor.
Mësoni më shumë rreth zhvillimit të gjuhës në moshën rreth 1-2 vjeç.
2-3 vjeç
Fëmija mund të flasë me fjali më të gjata e më komplekse tani dhe po bëhet më i kuptueshëm duke i thënë fjalët siç duhet. Fëmija yt mund të luajë dhe të flasë në të njëjtën kohë. Të panjohurit ndoshta mund ta kuptojnë pjesën më të madhe të asaj që thotë fëmija juaj sidomos kur fëmija juaj është afërsisht tre vjeç.
Mësoni më shumë rreth zhvillimit të gjuhës nga mosha 2-3 vjeç.
3-5 vjeç
Tani mund të prisni biseda më të gjata, më abstrakte dhe më komplekse. Për shembull, fëmija yt mund të thotë gjëra si: ''A do të bëhem shalqi, sepse gëlltita farën e shalqiut?''
Ka të ngjarë që fëmija të flasë edhe për një sërë temash të tjera dhe fjalori do të vazhdojë të rritet. Fëmija mund të tregojë kuptueshmëri për gramatikën bazë, pasi eksperimenton me fjali më komplekse që kanë fjalë si ''sepse'', ''nëse'', ''kështu'' ose ''kur'' dhe mund të presim që të tregojë edhe disa histori zbavitëse.
Mësoni më shumë rreth zhvillimit të gjuhës për moshën 3-4 vjeçare dhe për moshën 4-5 vjeçare.
5-8 vjeç
Gjatë viteve të para të shkollës, fëmija do të mësojë më shumë fjalë dhe do të fillojë të kuptojë se si tingujt brenda gjuhës punojnë së bashku. Fëmija juaj do të bëhet gjithashtu një tregimtar më i mirë, pasi ai mëson t'i bashkojë fjalët në mënyra të ndryshme dhe të ndërtojë lloje të ndryshme fjalish. Këto aftësi, gjithashtu, e lënë fëmijën të ndajë ide dhe opinione. Rreth moshës 8- vjeçare fëmija do të jetë në gjendje të bëjë biseda si të rriturit.
Mësoni më shumë rreth zhvillimit të gjuhës nga mosha 5-8 vjeçare.
Fëmijët rriten dhe zhvillohen me ritme të ndryshme dhe ka një diapazon të madh të asaj që quhet ''normale'' në zhvillimin e një fëmije. Por ti e njeh më mirë fëmijën tënd dhe nëse ke ndonjë shqetësim për zhvillimin e gjuhës fol me mjekun, infermieren ose me një profesionist tjetër shëndetësor ose konsultohuni me një logopedist (terapisti i të folurës).