Zhvillimi i gjuhës: 4-5 vjeçarët

Fëmija juaj i moshës parashkollore ka aq shumë për t’ju treguar dhe kaq shumë fjalë për të përdorur! Zhvillimi i gjuhës te fëmijët e moshës katër dhe pesë vjeçare përfshin një fjalor vazhdimisht në rritje. Fëmija juaj gjithashtu do të tregojë se i kupton rregullat themelore të gramatikës. Madje do të jeni në gjendje të kuptoni pothuajse gjithçka që fëmija po ju thotë.
Body
Fjalori dhe zhvillimi i gjuhës te fëmijët e moshës 4-5 vjeç

Në këtë moshë, fëmijët do të fillojnë të mësojnë dhe të përdorin më shumë:

  • fjalë lidhëse, si “kur” dhe “por”
  • fjalë që shpjegojnë emocione të komplikuara, si “i/e hutuar ose konfuz”, “i/e trishtuar” dhe “i/e kënaqur”
  • fjalë që shpjegojnë gjërat që kalojnë në trurin e tij/saj, si “nuk e di” dhe “kujtoj”
  • fjalë që shpjegojnë se ku janë gjërat, si “ndërmjet”, “sipër”, “poshtë” dhe “lart”.

Fëmija juaj mëson gjithnjë e më shumë mbiemra që e ndihmojnë atë t’i shpjegojë gjërat më mirë - për shembull, “bosh” dhe “argëtuese”.

Në përgjithësi, fëmijët parashkollorë kuptojnë shumë më tepër fjalë sesa mund të përdorin.

Fjalitë dhe gramatika në zhvillimin e gjuhës

Si pjesë e zhvillimit të gjuhës në këtë moshë, fëmija juaj do të flasë me fjali gjithnjë e më komplekse, duke bashkuar së bashku fjali të shkurtra nëpërmjet përdorimit të fjalëve si “dhe” ose “sepse”.

Në moshën pesë vjeçare, ai/ajo do të fillojë të përdorë lloje të ndryshme të fjalive. Për shembull, do të jetë në gjendje t’i thotë të dyja “Qeni po ndiqte macen” dhe “Macja u ndoq nga qeni” për të nënkuptuar të njëjtën gjë. Madje fëmija juaj do të jetë në gjendje të përdorë fjali të gjata që përmbajnë deri në nëntë fjalë.

Gjithashtu në moshën pesëvjeçare, ai/ajo do t’i njohë të gjitha parashtesat dhe prapashtesat e ndryshme të fjalëve. Për shembull, mund të shtojë “më” në fillim të fjalëve, në mënyrë që fjalët si “i madh” të kthehen në “më i madh”. Megjithatë ata mund të bëjnë ende disa gabime - për shembull, “Ata dëshiron të shkojnë” në vend të “Ata dëshirojnë të shkojnë”.

Fëmijët do të zhvillojnë aftësinë për të folur për gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën ose do të ndodhin në të ardhmen, jo vetëm për gjërat që po ndodhin në moment. Ata do të përmirësohen në përdorimin e kohës së shkuar, numrit shumës të parregullt si “minj” dhe përemrat si “atij”, “e tij” dhe “saj”.

Kuptimi dhe zhvillimi i gjuhës

Në moshën pesëvjeçare, fëmija juaj do t’i kuptojë dhe përdorë fjalët, që shpjegojnë se kur ndodhin gjërat, si “para”, “pas” dhe “javën e ardhshme”. Ai/ajo ende mund të ketë vështirësi në kuptimin e ideve të komplikuara si “në të njëjtën kohë”. Ai/ajo mund të fillojë të bëjë pyetje, nëse nuk e kupton një udhëzim.

Fëmija do të fillojë t’i kuptojë idetë e të folurit tuaj si “Po bën shaka me mua?” dhe “Ti je dembel”.

Dhe do të ndjekë udhëzimet me më shumë se dy hapa, edhe nëse situata është e re. Për shembull, “Jepja biletën tënde zotërisë,  ai do ta kalojë atë, dhe më pas ne mund të shkojmë të shohim filmin”. Por fëmijët mund të bëjnë atë që dëgjojnë së pari dhe të injorojnë fjalët që i tregojnë atë që duhet të bëjnë. Për shembull, ata mund të injorojë fjalën “para” në fjalinë “Para se të shkojmë të shohim filmin, jepini biletat tuaja zotërisë”.

Shqiptimi në zhvillimin e gjuhës

Deri në kohën kur fëmija juaj është 4 vjeç e gjysmë, njerëzit e huaj mund të kuptojnë pothuajse çdo fjalë që ai/ajo thotë.

Fëmija mund të ketë vështirësi në përdorimin e disa tingujve të të folurit - për shembull, duke thënë “xë” për “gjë”, “pataj” për “pastaj” ose “unath” për “unazë”. Ai/ajo herë pas here mund të shqiptojë gabimisht disa fjalë komplekse të cilave i mungojnë disa shkronja - për shembull, thotë “amblancë” në vend të “ambulancë” ose “pageti” në vend të “spageti”.

Zhvillimi i bisedës dhe rrëfimit të tregimeve

Fëmija juaj do të vazhdojë të përmirësohet në rrëfimin e tregimeve, edhe pse ndonjëherë mund të japë shumë ose jo mjaftueshëm informacion. Mundet që gjithashtu të ketë probleme në tregimin e gjërave sipas radhës dhe në shpjegimin se për çfarë ai/ajo po flet. Përfundimet e tregimeve mund të mos kenë kuptim ose mund të duken të papritura.

Por fëmija juaj do të jetë më mirë në të parin e gjërave nga këndvështrimi i njerëzve të tjerë, kështu që ai/ajo mund të shtojë informacion të dobishëm në bisedë. Për shembull, 'Unë shkova në shtëpinë e shokut dhe hëngrëm tortë dhe shoku im është te kopshti im”.

Fëmija juaj do të bëhet më i/e mirë në pritjen e radhës gjatë bisedës me një grup njerëzish. Dhe do të fillojë të flasë në masën e duhur për situatën. Ai/ajo mund të bëjë kërkesa më me edukatë, duke përdorur fjalë si “mund”, “do” dhe “mundet”. Kërkesat e tij/saj mund të jenë më pak të drejtpërdrejta dhe të dukshme. Për shembull, mund të thotë: “Po vjen një aromë e mirë!” kur ai/ajo dëshiron diçka për të ngrënë.

Dhe do të fillojë të përdorë gjuhën për të ngacmuar dhe për të treguar shaka. Ai/ajo mund të qeshë me fjalë pa kuptim ose të sajuara.

Fëmijët rriten dhe zhvillohen me ritme të ndryshme. Informacionet në këtë artikull ofrohen vetëm si udhëzues. Nëse zhvillimi i gjuhës së fëmijës suaj është shumë larg fëmijëve të tjerë të moshës së tij/saj ose jeni të shqetësuar, për çfarëdo arsye tjetër, bisedoni me mjekun, pediatrin ose infermierin/en tuaj. Ju gjithashtu mund të flisni me një specialit/terapist. Nëse profesionisti juaj shëndetësor nuk ka shqetësime për fëmijën tuaj, por ju ende jeni të shqetësuar, është në rregull të merrni një mendim tjetër.