Temperamenti: çfarë është ai dhe pse ka rëndësi!?
Temperamenti: çfarë është ai?
Temperamenti është mënyra se si fëmijët i përgjigjen botës.
Ju mund ta dalloni temperamentin e fëmijës në bazë të nivelit të shfaqjes së veprimeve të mëposhtme:
- Reagimi: lidhet me nivelin e reagimit të fëmijës ndaj gjërave të reja, siç janë ngjarjet emocionuese ose kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç do apo i pëlqen atij/asaj. Fëmijët me nivel të lartë reagimi kanë tendencën t’i përjetojnë gjërat më fort se fëmijët me nivel të ulët reagimi.
- Vetë-rregullimi: lidhet me aftësinë e fëmijës për të kontrolluar sjelljen, duke përfshirë këtu edhe mënyrën se si i shfaq ndjenjat. Vetë-rregullimi lidhet, gjithashtu, me nivelin e këmbënguljes së fëmijëve, si dhe me aftësinë e tyre për të qenë të vëmendshëm.
- Shoqërimi: lidhet me faktin se si ndihet fëmija kur takon njerëz të rinj ose kur përjeton përvoja të reja.
Çdo fëmijë lind me një temperament të vetin. Ndoshta ju mund të keni qenë në gjendje ta përshkruani temperamentin e fëmijës suaj që kur ka qenë foshnjë. Për shembull, “Djali im është shumë i qetë dhe përshtatet me ndryshimet” ose “Vajzës time i pëlqejnë veprimet rutinë”.
Dallimet në temperament shpjegojnë arsyen pse fëmijët tuaj mund të jenë krejt ndryshe nga fëmijët e tjerë. Për shembull, fëmijët tuaj mund të kenë nivel më të lartë ose më të ulët reagimi ndaj ngjarjeve të caktuara, mund t’i kontrollojnë më shumë ose më pak ndjenjat dhe sjelljet e tyre, si dhe mund të jenë më shumë ose më pak të shoqërueshëm me të tjerët.
Përshtatja e stilit të prindërimit me temperamentin e fëmijës suaj
Ju nuk mund ta ndryshoni temperamentin e fëmijës suaj - ai/ajo është ai/ajo që është dhe kjo është krejt normale.
Ajo që mund të bëni është të përshtatni stilin e prindërimit me temperamentin individual të fëmijës suaj në mënyrë që të stimuloni zhvillimin e mëtejshëm. Ju mund ta ndihmoni fëmijën të zhvillojë anët pozitive të temperamentit. Gjithashtu, ju si prind mund të kuptoni situatat e vështira për fëmijën tuaj, për shkak të temperamentit dhe ta ndihmoni të mësojë si t’i përballojë ato.
Në vijim, jepen disa ide për përshtatjen e stilit tuaj të prindërimit me temperamentin e fëmijës suaj.
Prindërimi ndaj fëmijës me temperament me nivel të lartë dhe me nivel të ulët të reagimit
Fëmijët me nivel të lartë reagimi
Nëse keni një fëmijë që ka një nivel të lartë të reagimit, ndoshta është një fëmijë shumë i hareshëm, kur i ndodh diçka e mirë. Por ai/ajo, gjithashtu, mund të zemërohet shumë, mund të qajë ose të bërtasë kur është i/e pakënaqur ndaj diçkaje që nuk ka ndodhur siç ka dashur ai/ajo. Ju mund ta ndihmoni fëmijën të mësojë si të reagojë më me qetësi, për shembull, duke e qetësuar dhe duke i përshkruar me fjalë ndjenjat e zemërimit.
Fëmijët me nivel të lartë reagimi janë, shpeshherë, shumë aktivë edhe nga ana fizike dhe mund të kenë nevojë për shumë kohë qëndrimi jashtë shtëpisë. Për shembull, ju mund ta ndihmoni fëmijën të zhvillohet duke e nxitur të provojë aktivitete të reja sportive. Edhe koha e relaksimit të fëmijës para gjumit mund të jetë një ide e mirë për ta qetësuar atë.
Fëmijët me nivel i ulët reagimi
Fëmijët me nivel të ulët reagimi, zakonisht, janë më të qetë, më miqësorë, por nga ana tjetër mund ndihen të pasigurt. Nëse fëmija juaj është i tillë, ju duhet ta mësoni si t’i dalë për zot vetes. Për shembull, nëse vëreni situata në të cilat fëmija juaj ndihet i/e sigurt, ju mund të punoni së bashku për të gjetur mënyra të tilla reagimi ndaj situatave të tjera.
Është, gjithashtu, e rëndësishme të siguroheni që fëmijët me nivel më të ulët të reagimit të mos mbeten jashtë diskutimeve familjare. Për shembull, “Fatjon, ti nuk fole shumë. A je i kënaqur me zgjedhjen e filmit që do të shohësh?”
Fëmijët të cilët kanë nivel të ulët reagimi mund të jenë më pak aktivë nga ana fizike. Duke qenë pak aktiv, fëmija mund të ndihet i/e kënaqur duke ndenjur në shtëpi, duke zhvilluar aftësitë e motorikës fine, duke vizatuar ose duke u marrë me krafte. Pavarësisht kësaj, ju duhet ta nxisni fëmijën të merret me aktivitet fizik. Për shembull, provoni një shëtitje në park për të mbledhur gjethe për një kolazh që mund të bëjë më vonë në shtëpi ose shkoni në këmbë në bibliotekë, në vend që të shkoni me makinë.
Prindërimi ndaj fëmijëve me temperament vetërregullues të lartë ose të ulët
Fëmijët me aftësi të larta vetërregulluese
Fëmijët që kanë aftësi të larta vetërregulluese, e kanë më të lehtë t’i menaxhojnë reagimet e tyre ndaj emocioneve si irritimi ose zemërimi. Ata mund të qetësohen më shpejt pas ndonjë ngjarjeje emocionuese ose tronditëse dhe të jenë më pak impulsivë.
Fëmija, i cili ka aftësi të larta vetërregulluese mund të ketë më shumë mundësi që ta menaxhojë përqendrimin. Me shumë gjasa, ky fëmijë do të përpiqet të merret me një veprimtari derisa ta arrijë rezultatin që dëshiron. Gjithashtu, fëmija mund të jetë i mirë në kapërcimin e pengesave dhe në kryerjen e detyrave, pa patur nevojë për shumë mbikëqyrje. Por, nga ana tjetër, fëmija mund të dëshirojë t’i kryejë gjërat në mënyrë të përsosur, prandaj sigurohuni që të kuptojë se është në rregull edhe po bëri gabime.
Fëmijët me aftësi të ulta vetërregulluese
Nëse ka vështirësi në përqendrim, fëmija juaj ka më shumë nevojë për nxitje që të vazhdojë me detyra më të vështira. Fëmijë të tillë mund të hidhen lehtë nga njëri aktivitet në tjetrin, pa u përqendruar dhe pa e përfunduar atë që kanë nisur. Ata, gjithashtu, mund të jenë shumë krijues. Për ta ndihmuar fëmijën të jetë i/e përqendruar, mund të provoni ta shpërbleni ose t’ia bëni gjërat argëtuese, duke përdorur lojëra dhe veprimtari krijuese.
Prindërimi i fëmijëve me temperament më pak ose më shumë shoqërues
Fëmijë i shoqërueshëm
Nëse është i shoqërueshëm, fëmija juaj do të dëshirojë të jetë mes njerëzve të tjerë, të lërë takime me fëmijët e tjerë, të marrë pjesë në lojëra dhe në aktivitete grupi. Është mirë që fëmija të mësohet të organizohet vetë, por nën mbikëqyrjen tuaj.
Fëmijët e shoqërueshëm, zakonisht, përshtaten lehtë dhe mund t’i përballojnë ndryshimet e rutinës mjaft lehtë. Do të ishte mirë, nëse i jepni fëmijës tuaj mundësinë të provojë vazhdimisht përvoja të reja, por duke ia mundësuar njëra pas tjetrës.
Fëmijë më pak i shoqërueshëm
Nëse nuk është shumë i/e shoqërueshëm, fëmija juaj mund të jetë i/e mirë në lojërat individuale dhe nuk mund të ketë nevojë për shumë ndihmë në gjetjen e aktivitetit me të cilin do të merret. Por ju mund ta ndihmoni të krijojë shoqëri. Për shembull, nëse ai/ajo nuk ndihet rehat në grupe ose në festa, mund të provoni të ftoni vetëm atë/ata fëmijë për një takim loje në shtëpinë tuaj ose në një kënd lojërash.
Nëse fëmija juaj nuk përshtatet lehtë, rutina e përditshme duhet të jetë e rregullt, sepse ai/ajo nuk mundet t’i përballojë lehtë ndryshimet e menjëhershme. Për këtë ju si prind mund t’i planifikoni gradualisht veprimet e rutinës së re, në mënyrë që fëmija juaj t’i përballojë ndryshimet ose fazat e tranzicionit.
Temperamenti i fëmijës mund të jetë i ndryshëm nga temperamenti i prindërve. Disa prindër zbulojnë se është më e lehtë ta kuptojnë dhe të kujdesen për një fëmijë, temperamenti i të cilit është i ngjashëm me të tyrin. Për shembull, nëse juve ju pëlqen organizimi dhe planifikimi i ditës, mund ta keni të lehtë të kujdeseni për një fëmijë që ka nevojë për gjumë të rregullt. Por nëse juve ju pëlqen të bëni gjëra të paplanifikuara, atëherë mund t’ju duhet pak kohë që të mësoheni me përshtatjen e kësaj rutine për fëmijën tuaj.
Si mund të ndryshojë temperamenti?
Ju mund të vini re ndryshime në temperamentin e fëmijës tuaj, me rritjen në moshë. Kjo ndodh pasi përvojat e fëmijës suaj ndikojnë në mënyrën se si sillet në situata të ndryshme.
Për shembull, një fëmijë i cili ka qenë i papërqendruar në shkollë mund të jetë bërë një i rritur mjaft i përqendruar në takimet e biznesit. Ky fëmijë gjatë rritjes ka punuar me veten, ka mësuar strategji dhe është përjekur për të rritur nivelin e përqendrimit në punë.