Trajtimi i zënkave midis vëllezërve dhe motrave

Disa zënka mes vëllezërve dhe motrave janë të pashmangshme. Mbi të gjitha, fëmijët tuaj ende janë duke mësuar se si të kalojnë mirë me njëri-tjetrin. Kur ndodhin zënkat, gjëja kryesore është t'i ndaloni para se dikush të lëndohet. Më pas është koha t'i ndihmoni fëmijët tuaj të merren me çështjet në mënyrë konstruktive.
Body

Zënkat midis vëllezërve dhe motrave: kur të ndërhyjmë

Ndonjëherë funksionon edhe mos përfshirja në zënkën mes vëllezërve e motrave, sepse kjo ua jep fëmijëve mundësinë që ta zgjidhin vetë. Por është e rëndësishme të dini se kur duhet të ndërhyni për të ndërprerë zënkën mes vëllezërve e motrave.

Kur mosmarrëveshja kalon në zënkë fizike, përfshin të bërtitura ose ofendime apo emra fyes, duhet ta ndërprisni para se dikush të lëndohet.

Vëmendja e madhe në fakt mund t'i nxisë zënkat. Kjo sepse fëmijët duan çfarëdo lloj vëmendje, madje edhe vëmendjen për sjellje të keqe. Nëse do t'u kushtoni vëmendje fëmijëve kur ata zihen, përpiquni të shfrytëzoni rastin që t'i ndihmoni të mësojnë aftësitë për shmangien e zënkave dhe zgjidhjen e problemeve në të ardhmen.

Ndërprerja e zënkave mes vëllezërve e motrave: hapat

Ja çfarë të bëni kur të fillojë një zënkë:

  1. Ndaloni zënkën para se të fillojnë të qarat. Kjo mund të kërkojë ndarjen fizike të fëmijëve tuaj, ose dërgimin e tyre në anët e kundërta të dhomës për t'u qetësuar.
  2. Ruani qetësinë. Kjo mund të tingëllojë e pamundur, por ideja është që mos t'i përkeqësojmë gjërat. Mundohuni të kurseni energjinë tuaj për të dhënë reagime pozitive për sjelljen që dëshironi ta inkurajoni.
  3. Tregojuni fëmijëve që do të flisni më vonë për këtë. Fëmijët shpesh janë shumë të mërzitur që ta pranojnë menjëherë atë që po thoni. Prisni derisa gjërat të qetësohen para se të flisni për këtë çështje. Kjo mund të jetë edhe të nesërmen, me fëmijët më të rritur.

Nëse fillon zënka gjersa ju jeni duke vozitur, gjithmonë ndaluni. Nëse e ktheni kokën për të biseduar me fëmijët ose për t'i ndarë, kjo largon vëmendjen tuaj nga rruga.

Trajtimi konstruktiv i zënkave mes vëllezërve e motrave: këshilla

Këto këshilla mund të bëjnë më të lehtë qetësimin e gjërave kur fillojnë zënkat mes vëllezërve e motrave:

  • Trajtoni drejt të gjithë fëmijët. Por mos harroni se trajtimi i drejtë nuk është domosdoshmërish trajtim i njëjtë. Për shembull, mund të mos jetë e mundur të trajtohet një fëmijë gjashtë vjeçar njësoj sikur një fëmijë dy vjeç.
  • Shmangni krahasimet negative. Nëse thoni p.sh.: “Ti është dashur ta dish më mirë sepse je më i rritur se ai” ose “Ti je problematiku”, kjo mund ta bëjë fëmijën të ndihet edhe më i lënduar ose i mëritur.
  • Identifikoni shkakun e zënkës. Kjo ju ndihmon të gjeni zgjidhjen më të mirë. Për shembull, nëse një fëmijë ka marrë lodrën nga i vëllai ose motra, duhet të ndërhyni. Nëse nuk e bëni këtë, fëmija mëson se zënka është mënyrë për të marrë atë që dëshiron. Vëzhgimi i fëmijëve tuaj është sekreti për të ditur arsyen e zënkave – dhe për të vendosur për mënyrën e duhur e trajtimit të tyre.
  • Përdorni rregullat e familjes për t'i bërë të qarta pritëshmëritë për sjelljen. Mund t'ua përkujtoni fëmijëve tuaj rregullin përkatës të familjes dhe ta zbatoni atë në vazhdimësi me çdo pasojë.
  • Krijoni një plan. Kjo do të thotë të mendoni se si do t'i trajtoni mosmarrëveshjet e vogla si dhe zënkat e mëdha. Për shembull, mund t’i ndihmoni fëmijët t'i zgjidhin së bashku mosmarrëveshjet e vogla, por mund të vendosni që të përdorni pasoja për zënkat që përfshijnë dhunë fizike apo për zënka që ndodhin pasi të gjithë jeni dakorduar për një zgjidhje të një problemi.

Zgjidhja e problemeve pas një zënke mes vëllezërve e motrave: hapat

Ajo që bëni pas një zënke mund t'i ndihmojë fëmijët të mësojnë se si t'i zgjidhin vetë problemet e tyre në të ardhmen. Për rezultate më të mira, prisni derisa fëmijët të qetësohen dhe të jenë gati të mendojnë arsyeshëm.

  1. Tregojuni fëmijëve se çfarë planifikoni të bëni. Për shembull, “Kam vendosur që asnjëri prej jush të mos e përdorë kompjuterin derisa të gjejmë një mënyrë për t'i ndalur zënkat. A po kuptoni? A jeni të gatshëm të punoni në zgjidhjen e problemit tani?’
  2. Kërkojuni të dy fëmijëve të thonë se ku mendojnë se qëndron problemi. Nxitini të përpiqen ta shohin atë nga këndvështrimi i tjetrit, si dhe nga këndvështrimi i tyre personal. Mund t'u thoni atyre se dy njerëz mund të mos jenë dakord edhe kur të dy kanë këndvështrime të vlefshme.
  3. Kërkojuni të dy fëmijëve të thonë atë që duan të ndodhë. Gjithashtu mund t'i ndihmoni ata të mendojnë për pritshmëritë e tyre. Për shembull, “Tegan, a është e drejtë që ti të kesh kompjuterin gjatë gjithë kohës?’
  4. Bëni së bashku një “stuhi mendimesh”. Lërini fëmijët të thonë lloj-lloj idesh se si të zgjidhet problemi dhe inkurajojini ata pa gjykuar idetë e tyre. Jepni disa ide tuajat dhe shkruajini të gjitha.
  5. Vlerësoni idetë. Filloni duke u kërkuar fëmijëve të mendojnë se cilat ide nuk do të funksionojnë. Pastaj kërkoni zgjidhjen me më së shumti përfitime dhe më së paku pengesa. Për shembull, “A mendon dikush që kjo mund të funksionojë?” “Çfarë të mirash (ose të këqijash) do të sillte kjo?”
  6. Nëse nuk mund të gjeni një zgjidhje në fillim, kthehuni kësaj çështje më vonë. Mund t'u kërkoni fëmijëve që të mendojnë disa ide së bashku, ose t'i pyesni të tjerët që kanë pasur probleme të ngjashme. Ose mund të kërkoni ide në librat ose uebfaqet për prindër.
  7. Pasi të gjithë të jeni dakorduar për një qasje, provoni zgjidhjen dhe shikoni se si shkon. Filloni përsëri nëse gjërat nuk përmirësohen.

Trajtimi i emocioneve tuaja

Është normale nëse ndiheni të stresuar kur fillojnë zënkat. Gjithashtu, është normale nëse disa çështje ju shqetësojnë më shumë se të tjerat dhe nëse në ndonjë ditë mërziteni më shpejt.

Por, nëse qëndroni i qetë, kjo mund t'ju ndihmojë vërtet. Nëse situata është e sigurt dhe nuk keni nevojë të ndërhyni menjëherë, mund t'ju ndihmojë nëse ndaleni, numëroni deri në 10 dhe më pas veproni.

Ato 10 sekonda shtesë shpesh janë të mjaftueshme për t'i qetësuar emocionet tuaja. Nëse kjo nuk ju ndihmon, ndoshta mund të kërkoni nga një tjetër i rritur që të merret me këtë ndërsa ju pushoni pak.

Për më shumë ide, lexoni artikujt tonë mbi stresin, zvogëlimin e stresit dhe frymëmarrjen për relaksim.

Kur të kërkoni ndihmë për zënkat mes vëllezërve e motrave

Nëse fëmijët tuaj janë shumë agresivë ose ngacmohen me njëri-tjetrit shumicën e kohës, është koha të kërkoni ndihmë.

Kjo lloj zënke mund të jetë shqetësuese për fëmijët dhe mund të çojë në probleme të ardhshme me marrëdhëniet. Pra, nëse shqetësoheni se si sillen fëmijët tuaj kur nuk pajtohen, është më mirë të flisni me një profesionist. Filloni duke biseduar me mjekun e përgjithshëm të fëmijës suaj.

Ndonjëherë zënkat mes fëmijëve shkaktohen nga një gjendje shëndetësore siç është çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes (ADHD), që e bën të vështirë për fëmijët të menaxhojnë sjelljen e tyre. Nëse jeni të shqetësuar për sjelljen e fëmijëve tuaj në përgjithësi, është gjithashtu ide e mirë të flisni me një profesionist.

Dhe nëse ndiheni të mbingarkuar ose të stresuar nga zënkat, ia vlen të merrni mbështetje. Mund të filloni duke biseduar me familjen, miqtë dhe prindërit e tjerë. Nëse keni nevojë për këshillë menjëherë, mund të provoni të thërrisni në një linjë telefonike.