Vështirësitë në të nxënë: dallimi i shenjave dhe mbështetja e fëmijës suaj

Vështirësitë në të nxënë ose vështirësitë në të mësuar janë probleme e vështirësi që lidhen me leximin, shqiptimin, shkrimin dhe matematikën. Edhe pse  mund të jetë e vështirë, fëmija duhet të mësojë dhe të jetë i suksesshëm.
Body

Çfarë janë vështirësitë në të nxënë?

Vështirësitë në të nxënë ose në të mësuar janë vështirësi serioze dhe të vazhdueshme që shfaqen në një ose në disa prej fushave të të nxënit – në lexim, shqiptim, shkrim dhe matematikë. Një fëmijë me vështirësi në të nxënë, ka një nivel të ulët aftësie në një ose më shumë nga këto fusha, përfshirë këtu edhe mundësitë për të mësuar, moshën dhe aftësi të tjera.

Vështirësitë në të nxënë kanë marrë emërtime të ndryshme, si paaftësi në të mësuar, vështirësi në të mësuar, aftësi të kufizuar intelektuale siç mund të jetë disleksia.

Çdo lloj i vështirësive në të nxënë duhet diagnostikuar dhe vlerësuar nga profesionistë të fushës.

Shkaqet që sjellin vështirësitë në të nxënë

Ende, sot nuk ka një kuptim të plotë për aftësinë e kufizuar. Por dihet që kur një fëmijë ka vështirësi në të nxënë, pjesë të trurit të tij/saj shfaqin vështirësi në zotërimin e informacionit – e quajtur ndryshe 'vështirësi përpunimi të informacionit me bazë neurologjike”.

“Vështirësitë e zakonshme të përpunimit të informacionit” përfshijnë vështirësitë në dallimin e tingujve të fjalëve, ose vështirësi në mbajtjen mend të pjesëve të caktuara të informacionit, renditjen e numrave ose të shkronjave etj.

Llojet e aftësive të kufizuara lidhen me gene të caktura dhe mund të jenë të trashëguara. Nëse njerëz të tjerë në familjen tuaj kanë probleme me leximin ose shqiptimin ose janë diagnostikuar me vështirësi në të mësur, ekziston mundësia që fëmijët e brezit të ardhshëm të kenë vështirësi të tilla.

Shenjat e vështirësisë në të nxënë

Nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë vështirësi në të mësuar duhet të vini re nëse shfaq shenjat e zakonshme. Të paturit e një ose të më shumë prej këtyre shenjave nuk do të thotë se fëmija juaj patjetër ka vështirësi në të nxënë. Por nëse ju shqetësoheni, është ide e mirë të flisni me mësuesin e fëmijës ose me një specialist të fushës.

Nëse fëmija juaj ka vështirësi në të nxënë, mund të shfaqë këto shenja:

  • nuk i pëlqen të lexojë dhe/ose paraqet vështirësi në të lexuar,
  • ka shumë probleme me shqiptimin e fjalëve të zakonshme,
  • e ka të vështirë të dallojë tingujt dhe rrokjet me fjalë,
  • shpreh shumë ide interesante, por ka vështirësi dhe ngadalësi në shkrimin e tyre,
  • ka shkrim shumë të çrregullt
  • nuk ndihet shumë i sigurt për detyrat e kopshtit/shkollës.

Diagnostikimi i Vështirësisë në të Nxënë: hapa të rëndësishëm për t'u ndërmarrë

Flisni me mësuesin e fëmijës

Nëse shqetësoheni se fëmija juaj ka probleme në kopsht/shkollë dhe mund të ketë vështirësi në të nxënë, mund të flisni me mësuesin e fëmijës.

Mund të bëni pyetje rreth përparimit të fëmijës në gjuhë, lexim dhe matematikë. Gjithashtu, mund të jetë e vlefshme të flisni me mësuesin në lidhje me përshtypjet dhe hamendësimet tuaja në lidhje me vetëvlerësimin e fëmijës dhe përfshirjen në detyrat e kopshtit/shkollës.

Mësuesi mund ta testojë fëmijën dhe t'ju bëjë me dijë rezultatet. Kjo mund t'ju ndihmojë të kuptoni nëse ka ndonjë problem.

Kërkoni një vlerësim të specializuar

Nëse jeni ende të shqetësuar, kërkoni një vlerësim zhvillimor nga ana e shkollës.

Në këtë rast, mund të kërkoni takim me një psikolog zhvillimi apo logopedist. Ata do t’ju ndihmojnë për të kontrolluar dhe gjetur të gjitha shkaqet e mundshme. Nëse ka vonesa në kryerjen e vlerësimit formues nga ana e shkollës, ose pamundësi për të gjetur logoped dhe psikolog shtetëror, ju mund t'i drejtoheni edhe klinikave private, por që do t'ju kushtojnë para.

Është e rëndësishme të kontrolloni te mjeku shikimin dhe dëgjimin e fëmijës suaj. Në këtë mënyrë mund t'i përjashtoni problemet dhe të vijoni me gjetjen e shkaqeve të tjera për vështirësitë që paraqet fëmija juaj.

Si t'i tregoni fëmijës rreth vështirësisë në të nxënë

Fëmijët që kanë vështirësi në të nxënë, nuk mund t'i bëjnë gjërat si bashkëmoshatarët e tyre  -  p.sh.: të lexuarit rrjedhshëm. Kjo mund t'i bëjë ata të mendojnë se janë 'memecë' ose “budallenj”.

T'i tregoni fëmijës se mund të ketë një vështirësi në të nxënë, mund ta ndihmojë në kapërcimin e kësaj mënyre të menduari. Ju mund t'i thoni fëmijës se të paturit e një vështirësie në të nxënë, do të thotë që truri i tyre e përpunon ndryshe informacionin dhe ky fakt nuk e bën më pak të  zgjuar sa fëmijët e tjerë.

Psikologu ose logopedisti mund t'ju japë këshilla dhe t'ju ndihmojë t'ia shpjegoni fëmijës suaj këto vështirësi në mënyrë që ai/ajo të mund ta kuptojë.

Gjithashtu, ju mund të evidentoni gjërat pozitive që bën fëmija juaj për të jetuar dhe për t'u mësuar me vështirësitë në të nxënë. Mund të përmendni fakte rreth njerëzve të suksesshëm që janë me vështirësi në të nxënë.

Si ta ndihmoni fëmijën me vështirësi në të nxënë për të rritur vetëbesimin dhe vetë-vlerësimin

Fëmijët me vështirësi në të nxënë, mund të shfaqin vetëvlerësim të ulët. Ata janë, gjithashtu, të predispozuar për të braktisur shkollën nëse vështirësia nuk kuptohet që herët.

Kjo do të thotë, se është e rëndësishme të identifikohet sa më herët vështirësia në të nxënë dhe të punohet me fëmijën për të rritur vetëbesimin. Vetëbesimi është aftësia për t'u përballur me problemet dhe dështimet. Është një aftësi e rëndësishme në jetë për të gjithë fëmijët, veçanërisht për ata me vështirësi në të nxënë.

Për ta ndihmuar fëmijën të rrisë vetëbesimin dhe të jetë pozitiv ndaj aftësisë dhe vështirësive të tij/saj, mund t'ju ndihmojnë sugjerimet e mëposhtme.

Bëhu model për t'u ndjekur

Mund të jeni një shembull për fëmijën tuaj duke qenë pozitiv, i sigurt dhe elastik. Për shembull, nëse keni pjekur një ëmbëlsirë, që nuk ka shije të mirë, mund të thoni: 'Nuk ka rëndësi. Do të provoj një recetë tjetër herës tjetër'. Ose nëse merrni komente negative në punë, mund t'i thoni vetes 'Kjo është e rëndë për mua, por edhe unë mund të mësoj prej tyre'.

Lavdëro dhe motivo

  • Gjithmonë lavdërojeni fëmijën kur merr përsipër të bëjë diçka.
  • Festojini aftësitë dhe arritjet jo akademike, duke theksuar drejtimet në të cilat fëmija juaj po përparon. Mund të jetë sporti, muzika, teatri, gatimi, mirësjellja ose miqësia që ofron.
  • Nxiteni fëmijën tuaj të dallojë gjërat pozitive në jetë dhe të kuptojë se vështirësitë në të nxënë janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që fëmija është dhe bën në jetën e përditshme.
  • Nxiteni fëmijën të gjejë çfarë i duhet për të kapërcyer vështirësitë – për shembull, a e ndihmojnë udhëzimet e shkruara dhe skicat apo i shërbejnë udhëzimet me gojë.
  • Rezervoni kohë për të qëndruar me fëmijën, për ta dëgjuar dhe për t'u argëtuar së bashku. Këto veprime i japin fëmijës mesazhin se ai/ajo është i/e veçantë, i/e rëndësishëm/e dhe është e vyer për ju koha që kaloni së bashku.
  • Nxiteni fëmijën të provojë gjëra të reja. Kur kupton se mund të mësojë me praktikë dhe këmbëngulje, fëmija juaj duhet të vazhdojë të ecë edhe kur ndeshin në vështirësi.

Përgjegjësitë dhe pritshmëria

  • Jepini fëmijës tuaj mundësinë të marrë përsipër përgjegjësi familjare dhe të marrë vendime për zgjedhjet e veta. Marrja e kontrollit rrit fuqishëm vetëvlerësimin.
  • Mbështeteni, por mos mbani në pozita mbrojtëse fëmijën tuaj. Mund ta arrini këtë duke pritur që fëmija juaj të bëjë më të mirën dhe t'u përmbahet detyrave të shtëpisë, pavarësisht nga vështirësitë që ndesh.
  • Jepini fëmijës mundësinë të provojë gjëra të reja si gatimi, shahu ose fotografimi. Nëse i bëni këto aktivitete me fëmijën tuaj, është një mënyrë e mirë për t'i siguruar fëmijës përvoja të suksesshme dhe argëtim teksa ai/ajo po iton aftësi të reja.

Forma të tjera mbështetëse për vështirësitë në të nxënë

Disa forma të tjera mbështetëse mund ta ndihmojnë fëmijën për të përparuar në shkollë. Nëse specialistët e fushës ju rekomandojnë mbështetje të tjera, ju duhet të ndërmerrni një vlerësim profesional dhe të dokumentuar që provon se fëmija ka nevojë për ekzaminime të tjera, trajtime të specializuara ose programe të veçanta.

Ka disa lloje të mbështetjes jashtë shkollës në dispozicion të fëmijëve me vështirësi në të nxënë, përfshirë edhe specialistë të fushës. Llojet, format, qendrat dhe institucionet mbështetëse varen nga vështirësia në të nxënë që ka fëmija juaj. Mund të flisni me mësuesit, ekspertë të fushës dhe mjekët që ndjekin fëmijën tuaj për të bërë më të mirën për të dhe familjen tuaj.

Ndoshta duhet të provoni disa gjëra para se të kuptoni çfarë është e duhura për fëmijën dhe familjen tënde. Gjithashtu, kjo e mëson fëmijën të jetë këmbëngulës dhe të mos dorëzohet.