Disleksia
Rreth disleksisë
Disleksia është një gjendje që lidhet me vështirësinë e rëndë në leximin dhe drejtshkrimin e fjalëve. Fëmijët me disleksi kanë probleme me leximin dhe drejtshkrimin edhe nëse kanë pasur mundësi të mësojnë dhe janë përpjekur shumë për të mësuar.
Disleksia është një lloj paaftësie në mësimnxënie – domethënë një vështirësi e rëndë në një fushë të caktuar të mësimnxënies. Nganjëherë quhet edhe çrregullim specifik i mësimnxënies.
Disleksia nuk është problem i lidhur me inteligjencën. Njerëzit me disleksi janë po aq të zgjuar sa njerëzit e tjerë, por truri i tyre e përpunon gjuhën ndryshe.
Shkaqet e disleksisë
Nuk dihet se çfarë e shkakton disleksinë. Por e dimë që disleksia priret të shfaqet në familje - mund të jetë një gjendje të cilën njëri ose dy prindërit ua trashëgojnë fëmijëve të tyre përmes gjeneve. Gjenet që transferohen mund të ndikojnë në pjesët e trurit që përfshihen në të folur dhe gjuhë.
Shenjat e disleksisë
Simptomat e disleksisë shpesh vërehen në dy vitet e para të shkollës, zakonisht kur fëmijët fillojnë të mësojnë të lexojnë.
Përpara se fëmijët të fillojnë shkollën, është pak më e vështirë të thuash nëse kanë disleksi. Por ka disa shenja paralajmëruese të hershme tek parashkollorët. Fëmijët parashkollorë mund të kenë disleksi nëse:
- shqiptojnë keq fjalët bile më shumë fjalë sesa fëmijët e tjerë
- nuk mund të luajnë me tinguj në fjalë - për shemull, kanë vështirësi të rimojnë fjalët ‘kupa’, ’kapaku’ dhe ‘kukulla’, ose të thonë fjalë që fillojnë me të njëjtin tingull sikurse ‘kupa me kapak-kupa pa kapak’
- kanë më shumë probleme sesa bashkëmoshatarët për të përsëritur fjalë dhe fjali e gjata
- i lidhin shkonjat dhe tingujt ngadalë.
Pasi fëmijët fillojnë shkollën, ata mund të kenë disleksi nëse:
- kanë vështirësi në shqiptimin e tingullit të fjalëve – për shembull, ata nuk mund ta tingëllojnë fjalën 'mace' si tingujt m-a-c-e
- kanë vështirësi t'i bashkojnë tingujt për të krijuar një fjalë - për shembull nuk mund t'i bashkojnë tingujt t-a-p-ë për të tingëlluar fjalën 'tapë'
- hamendësojnë dhe mësojnë përmendësh fjalët në vend që të shqiptojnë tingujt gjatë leximit
- kanë vështirësi t'i mbajnë mend fjalët pasi t'i lexojnë dhe/ose i shkruajnë shumë herë
- kanë më shumë probleme në lexim dhe drejtshkrim sesa fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë.
Nëse fëmija juaj ka disa nga këto vështirësi, kjo nuk do të thotë automatikisht se ai/ajo ka disleksi.
Nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë vështirësi në mësimnxënie, është e rëndësishme ta kontrolloni atë sa më shpejt. Fëmijët shpesh arrijnë që të kalojnë mjaft mirë problemet me mësimnxënien ndërsa rriten.
Diagnostikimi i disleksisë
Nëse keni në familje histori të vështirësive në të lexuar ose nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj ka probleme në shkollë, veçanërisht me leximin dhe drejtshkrimin e fjalëve, ka disa hapa që mund të ndërmerrni drejt vendosjes të një diagnoze.
1. Bisedoni me mësuesin e fëmijës suaj
Hapi i parë është që të bisedoni me mësuesin e fëmijës suaj. Ju mund të bëni pyetje se si po i shkon fëmija juaj me leximin dhe drejtshkrimin. Mund të filloni duke e pyetur mësuesin për mënyrën se si po ecën fëmija juaj me shkollën, në përgjithësi, dhe më pas se si ndihet fëmija juaj në lidhje me shkollën.
Mësuesi mund t'ju tregoj juve vlerësimet që fëmija juaj ka marrë në shkollë. Kjo gjë mund t'ju ndihmojë ju dhe mësuesin të shihni nëse ka ndonjë problem.
2. Kërkoni vlerësim
Nëse, edhe pasi keni folur me mësuesin e fëmijës ndiheni të shqetësuar, kërkoni nga shkolla nëse munden të organizojnë një vlerësim formal.
Gjithashtu në këtë pikë mund të përfshihet ndonjë patolog i të folurit (logoped) dhe/ose psikolog. Ata do të ndihmojnë për të gjetur shkaktarët e mundshëm që lidhen me vështirësinë në mësimnxënie të fëmijës suaj. Nëse mendoni që vlerësimi i fëmijës tuaj do të vonohet, ose nëse vlerësimi nuk mund të bëhet nëpërmjet shkollës atëherë mund të organizoni vizitën tek logopedi dhe/ose psikologu në rrugë private.
Mjeku juaj mund t'ju ndihmojë me një referim tek një logoped ose psikolog.
Mbështetje e specializuar për fëmijët me disleksi
Fillimi i ndërhyrjes dhe mundësia e mbështetjes nga familja dhe specialistët mund të ndihmojnë shumë fëmijë me disleksi që të përmirësojnë aftësitë e tyre të leximit dhe të drejtshkrimit.
Fëmija juaj mund të përfitojë nga mbështetje të tilla si:
- punë shtesë në grupe të vogla në shkollë
- mësim privat
- kohë shtesë për të përfunduar testet
- softuer kompjuterik i specializuar - për shembull, korrigjues drejtshkrimor, lexues ekrani parashikim i fjalëve ose njohje e zërit.
Është një ide e mirë që të flisni me një profesionist shëndetësor për mundësitë më të mira për fëmijën tuaj.
Sa më herët që fëmijët me disleksi të marrin ndihmën e ekspertëve, aq më të mira janë shanset e tyre për të bërë përparim të mirë.
Nuk ka asnjë ‘ilaç çudibërës’ për disleksinë. Por ka shumë mënyra të thjeshta, mbështetëse dhe produktive për të ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuara në mësimnxënie. Është një ide e mirë të bisedoni me një profesionist për të marrë këshilla të besueshme rreth mundësive që ia vlejnë. Për shembull, mund të flisni me mjekun, pediatrin, mësuesin e fëmijës tuaj ose ndonjë psikolog.
Ndihma ndaj fëmijës me disleksi: gjërat që mund t'i bëni
Ka shumë gjëra që mund t'i bëni për të mbështetur fëmijën tuaj:
- Ndihmoni fëmijën tuaj që të krijojë besim në vete. Për shembull, shpërblejeni dhe lavdëroni përpjekjet dhe sukseset e fëmijës suaj, qoftë në klasë apo në fusha të tjera si sporti, drama apo muzika.
- Ndihmoni fëmijën tuaj që të sfidojë mendimet negative dhe të shmangë pengesat. Për shembull, 'Mos lejo që ajo që ndodhi sot t'ju rrëzojë. Mendoni se sa jeni përmirësuar këtë vit. Thjesht mund t'ju duhet pak më shumë kohë dhe praktikë për ta bërë këtë siç duhet'.
- Mbani kontakte të ngushta me mësuesin e fëmijës tuaj për të gjetur se çfarë mund të bëni në shtëpi për t'i mbështetur detyrat e shkollës dhe sukseset e tjera të fëmijës suaj.
- Lexojini fëmijës tuaj derisa fëmija juaj të ketë mësuar mjaftueshëm aftësi për të lexuar në mënyrë të pavarur.
- Ofroni libra që i përshtaten aftësive të leximit të fëmijës suaj. Zgjidhni libra me modele drejtshkrimore që ka mësuar fëmija juaj dhe shmangni librat me shumë fjalë të vështira.
- Mundohuni ta mësoni fëmijën tuaj që të shqiptojë tinguj për të bërë fjalë në vend që të mësojë përmendësh mënyrën se si shqiptohen ato fjalë.