Hepatiti A
Rreth hepatitit A
Hepatiti A shkaktohet nga një virus. Nëse infektoheni me këtë virus, ai shkakton inflamacion të mëlçisë.
Virusi i hepatit A jeton në jashtëqitje. Ai përhapet kur fëmijët ose të rriturit bien në kontakt me objekte, ushqim ose ujë që është kontaminuar nga jashtëqitje e një personi të infektuar.
Hepatiti A është shumë i zakonshëm në vendet më pak të zhvilluara, veçanërisht në zonat ku nuk ka sisteme të mira të kanalizimeve. Kjo do të thotë se është një rrezik i veçantë nëse jetoni ose udhëtoni në ato zona.
Simptomat e hepatitit A
Virusi i hepatitit A infekton një person 1-2 muaj para se të shfaqen simptoma - kjo quhet "periudha e inkubacionit". Kjo periudhë e gjatë inkubacioni mund ta bëjë të vështirë të dihet saktësisht kur ose ku ka ndodhur infeksioni.
Fëmijët me hepatit A zakonisht kanë simptoma më të buta se të rriturit. Në fakt, shumica e fëmijëve me hepatit A, veçanërisht fëmijët shumë të vegjël, nuk kanë shumë simptoma. Është e mundur që ata të kenë hepatit A pa e kuptuar ju. Fëmijë të tjerë me hepatit A mund të jenë shumë të sëmurë dhe do të duhet të shkojnë në spital, por kjo nuk është e zakonshme.
Kur shfaqen simptomat e hepatitit A, ato mund të ndodhin krejt papritur. Ato përfshijnë simptoma të përgjithshme si lodhje, ethe, të përziera, humbje të oreksit, të vjella dhe diarre.
Më vonë, lëkura e fëmijës mund të ndihet shumë kruajtëse dhe barku mund të jetë pak i fryrë dhe i lënduar, veçanërisht në anën e sipërme të djathtë ku ndodhet mëlçia. Pas disa ditësh, jashtëqitja e fëmijës suaj mund të kthehet në të verdhë ose kafe të errët dhe lëkura dhe sytë e tij/saj mund të marrin një ngjyrë të verdhë. Kjo quhet janudicë (verdhëzim).
Fëmijët me hepatit A zakonisht përmirësohen plotësisht pas një ose dy javësh, por herë pas here mund të zgjasë më shumë se kaq. Infeksioni i hepatitit A zakonisht nuk zgjat shumë, ndryshe nga infeksionet e hepatitit B dhe hepatitit C. Në raste të rralla, virusi i hepatitit A mund të shkaktojë shkatërrim të mëlçisë që ka nevojë për kujdes urgjent dhe kritik.
A ka nevojë fëmija juaj për të vizituar mjekun për hepatitin A?
Ju duhet ta çoni fëmijën tuaj tek mjeku nëse fëmija:
- zhvillon lëkurë ose sy të verdhë
- ka jashtëqitje kafe shumë të errët
- ka dhimbje stomaku që vazhdon më gjatë se disa ditë
- ka skuqje të pashpjegueshme.
Nëse fëmija juaj ka ndonjë nga simptomat e mësipërme, ose nëse mendoni se ju ose fëmija juaj mund të keni ardhur në kontakt me virusin e hepatitit A, vizitoni mjekun.
Testet për hepatitin A
Nëse mjeku mendon se fëmija juaj mund të ketë infeksion të hepatitit A, mjeku do të kërkojë teste gjaku për të konfirmuar diagnozën.
Trajtimi i hepatitit A
Nuk ka trajtim specifik për hepatitin A, kështu që trajtimi synon të lehtësojë simptomat.
Nëse fëmija juaj ka diarre ose ka të vjella, është e rëndësishme të siguroheni që ai/ajo pi lëngje të mjaftueshme për të shmangur dehidratimin.
Nëse simptomat e fëmijës suaj janë të rënda, mund të ketë nevojë të shkojë në spital. Kjo është mjaft e pazakontë.
Mos i jepni fëmijës tuaj paracetamol pa u kontrolluar më parë me mjekun. Nëse mëlçia e fëmijës tuaj nuk funksionon siç duhet për shkak të infeksionit të hepatitit A, mund të dëmtohet nga doza normale të paracetamolit.
Parandalimi i hepatitit A
Në çdo pjesë të botës, por veçanërisht në vende pa sisteme të mira kanalizimesh, gjëja kryesore për parandalimin e hepatitit A është higjiena e mirë. Kjo përfshin larjen e duarve pas shkuarjes në tualet dhe para ngrënies.
Imunizimi kundër hepatitit A rekomandohet për fëmijët mbi moshën 12 muaj nëse jetoni ose udhëtoni në vende ku mund të ketë një rrezik të lartë për të ardhur në kontakt me hepatitin A.