Kontrolli shëndetësor rutinë: deri në moshën 18 muaj
Fëmija juaj tashmë po ecën dhe ndërsa ecën i tërheq edhe lodrat. Ai/ajo tashmë i kupton direktivat verbale pa ia treguar ato dhe përdor më shumë fjalë në komunikim. Ai/ajo ndoshta imiton gjestet që ju bëni dhe përpiqet t'ju përfshijë në lojë. Ai/ajo fillon të shprehë vullnetin e vet më fuqishëm dhe nganjëherë nuk dëshiron t'u bindet urdhrave tuaja. Ai/ajo ka mësuar shumë, por jo gjithmonë do t’i shfaq ato.
Përgatitja për vizitë te mjeku/mjekja
- Përveç gjërave të zakonshme që mbani për fëmijën, kontrolloni nëse ka ndonjë gjë nga dokumentacioni mjekësor që duhet të dërgohet te mjeku/mjekja.
-
Merrni lodrën ose librin e preferuar dhe një shishe ujë.
-
Përgatitni pyetje për mjekun tuaj..
Përmbajtja e vizitës parandaluese
-
Mund t'ju jepet një pyetësor i vlerësimit të zhvillimit për ta plotësuar ndërsa prisni për kontroll.
-
Monitorimi i rritjes: matjet e gjatësisë së trupit, peshës trupore dhe perimetrit të kokës.
-
Intervistë njoftuese dhe konsultim: Mjeku do të kontrollojë se sa është rritur fëmija në ndërkohë dhe nëse ka ndonjë problem të ngrënies. Do të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar se sa kohë fëmija është fizikisht aktiv dhe sa kohë kalon ulur, sa kohë kalon duke fjetur, si të mbrohet fëmija nga dëmtimi, nëse fëmija vijon nivelin parashkollor. Mjeku/infermierja gjithashtu do të flasë për rëndësinë e leximit për fëmijë, rëndësinë e luajtjes së bashku me anëtarët tjerë të familjes brenda dhe jashtë shtëpisë.
-
Vlerësimi i aftësive të komunikimit (për të përjashtuar shenjat e hershme të çrregullimit të autizmit).
-
Ekzaminimi mjekësor dhe vlerësimi i zhvillimit: Mjeku do të kryejë një ekzaminim të rregullt klinik të fëmijës tuaj, do të flasë me të dhe do të monitorojë sesi ai/ajo sillet.
-
Stili i shëndetshëm i jetës: Ekipi do të flasë me ju për parandalimin e ekspozimit ndaj tymit të duhanit, për parandalimin e ekspozimit ndaj medias, të mos e vendosni fëmijën tuaj në shtrat me një shishe afër, veçanërisht shishe që përmban formulë ose pije të ëmbël, të ketë fëmija ekspozim të sigurtë ndaj rrezeve të diellit, dhe si ta transportoni fëmijën tuaj në mënyrë të sigurt në automjet. Për më tepër, ekipi do të diskutojë avantazhet dhe përfitimet e pjesëmarrjes së fëmijëve në shujtat familjare. Diskutohen gjithashtu çështje të dhëmbëve dhe higjienës orale.
Vaksinimi
-
Mjeku/infermieri/ja do të kontrollojë se cilat vaksina ka marrë fëmija juaj deri më tani. Nëse ai/ajo ka marrë të gjitha vaksinat e nevojshme në përputhje me kalendarin e vlefshëm të imunizimit, personeli mjekësor do të kontrollojë se si ai/ajo ka reaguar ndaj vaksinave të marra dhe ndërkohë nëse ai/ajo ka pasur shenja alergjie ndaj ndonjë ushqimi apo medikamenti.
- Mes moshës 12-18 muaj (në varësi të planit kombëtar të imunizimit të secilit vend) fëmijët marrin vaksinat e mëposhtme:
- Vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (dhe ndoshta edhe kundër lisë së dhenve).
- Rivaksinimi kundër bakterit Streptococcus pneumoniae.
- Doza e katërt e vaksinës së kombinuar kundër difterisë, tetanozit, kollës së mirë, poliomelitit dhe Hemophilus influenza b
Mendimi përfundimtar
-
Bazuar në të gjitha informacionet e marra gjatë vizitës, mjeku do të ndajë me ju mendimin e tij/saj mbi rritjen, zhvillimin dhe shëndetin e fëmijës tuaj.
-
Nëse disa zona zhvillimi kanë nevojë për mbështetje më të fortë dhe më profesionale, fëmija juaj do të referohet në ndonjë qendër tjetër këshilluese për zhvillim ose te ndonjë specialist.
-
Ju do të informoheni kur të planifikoni vizitën tuaj të ardhshme në vitin e tretë, mundësisht rreth muajit të 30-të.
Mbani mend se ju është prezantuar kontrolli shëndetësor rutinë ne qëllim parandalues, që ju të monitoroni shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës tuaj, në një mënyrë të përshtatshme dhe për ta mbështetur atë vazhdimisht. Mos e humbisni këtë mundësi!