Stimulimi i zhvillimit socio-emocional: 3 -6 muajsh
Foshnjat duhet të shohin fytyrën tuaj, të dëgjojnë zërin tuaj dhe të ndiejnë afërsinë tuaj
• Shikoni foshnjën, bisedoni duke iu drejtuar asaj, emëroni pjesë të trupit, këndoni, buzëqeshni. Bëni fytyra të ndryshme dhe vini re se si reagon foshnja. Ndonjëherë foshnjat do t'ju imitojnë. Rutinat si ndërrimi i pelenave dhe ushqimi, janë mundësi të përditshme dhe mos i humbni ato.
• Kur i flisni dhe i këndoni foshnjës, dëgjimi i zërit tuaj inkurajon më tej zhvillimin e lidhjeve ndërmjet qelizave të trurit. Zëri juaj do të inkurajojë foshnjën të reagojë - ai mund t'ju shikojë me kujdes, të buzëqeshë, të përgjigjet me zëra ose lëvizje të trupit. Shijojeni atë, fëmija do të ndiejë gëzimin tuaj. Ju mund të lëshoni një muzikë të këndshme, por kjo nuk mund të zëvendësojë zërin tuaj.
• Mbajeni foshnjën në krahë, ledhatojeni dhe përqafojeni atë. Kur foshnja është në krahët tuaj, e ndjenë e dashurinë dhe ndihet e sigurt. Mos kini frikë se nuk do ta llastoni atë. Kur foshnja ndihet e sigurt me ju, atëherë ajo është e qetë dhe kureshtare, më e gatshme për të eksploruar botën dhe përshtypjet e reja.
Vëzhgoni dhe reagoni ndaj ndjenjave të shprehura tek fëmija
• Fëmija njeh ndjenjat dhe reagimet tuaja dhe reagon ndaj tyre. Si gjendja emocionale e fëmijës ashtu edhe reagimi juaj janë një tërësi. Reagimet tuaja e ndihmojnë fëmijën të rregullojë forcën e ndjenjave, të zgjidhë shqetësimin dhe të fitojë besim në raportin me ju.
• Shprehni ndjenjat kur jeni me fëmijën tuaj, butësisht dhe duke vërejtur se si reagon fëmija juaj. Emërtoni ndjenjat që njihni tek fëmija. Tregoni gëzim ndërsa jeni me fëmijën dhe tregojini fëmijës sa e doni atë.
• Vini re kur foshnja juaj po ju shikon ose po përpiqet t'ju arrijë, sepse kjo do të thotë që ai dëshiron kontakt me ju. Përgjigjuni. Reagimet tuaja e ndihmojnë fëmijën të njohë aspiratat e tij dhe të zbulojë se edhe ju jeni të aftë për një gjë të tillë. Kështu ndihet i rëndësishëm, i sigurt dhe i dashur.
• Ndonjëherë fëmija juaj nuk është në humor të mirë ose përjeton ndjenja të pakëndshme. Mbështetja dhe ndihma juaj janë të nevojshme për ta bërë gjendjen më të durueshme ose për të eliminuar shkaqet. Vetëpërmbajtja dhe qetësia juaj, lëvizjet dhe zëri i butë, janë shumë të rëndësishme për foshnjën tuaj.