Muaji 49-60 (4-5 vjeç): Kënaqësia e të nxënit, lidhjes dhe eksperimentimit
Të komunikuarit
Çfarë kemi të re?
Kjo është një periudhë e zhvillimit të shpejtë të të folurit, emocionuese për ju dhe fëmijën tuaj. Në këtë moshë, fëmija juaj mbase do të tregojë histori/tregime dhe do të kënaqet me biseda. Fëmija juaj shpesh mund të flasë për mënyrën se si ndihet, të tregojë për idetë e saj dhe të bëj pyetje.
Në fillim të kësaj moshe, ajo mund të dijë shumë fjalë dhe mund të përdorë fjali me të paktën pesë ose gjashtë fjalë. Zakonisht ju do të kuptoni se çfarë ajo është duke thënë. Kur i mbushë pesë vjet, fjalitë e saj do të jenë më të gjata dhe madje edhe më komplekse, me shumë fjalë të tjera që i ka të përvetësuara.
Dhe çfarë mund të bëni për t'i ndihmuar?
Çdo fëmijë është i ndryshëm - fëmija juaj mund të jetë llafazane ose më e qetë. Cilido qoftë stili i saj, gjithmonë inkurajoni shprehjen e saj verbale. Nëse flisni me të përditë, ajo do të dëshirojë të flasë me ju më shumë. Nëse ajo e sheh se ju gëzoheni duke folur me të, ajo do të fillojë të gëzohet gjithashtu. Jini të durueshëm - fëmija juaj ende nuk do të jetë në gjendje të shprehë veten mirë, kështu që ndonjëherë do t'ju duhet ta ndihmoni pak: “Oh, a është kjo loja që ke luajtur me mikun tënd? Çfarë tjetër keni bërë? A e keni hedhur topin?'' Flisni për gjëra të zakonshme që ndodhin - çfarë bëjmë, ku kemi qenë, çfarë planifikojmë, çfarë na pëlqen dhe çfarë nuk bëjmë. Gjatë leximit të librave ose rrëfimit të tregimeve, mund të bëni pyetje rreth asaj që po ndodh. Vizatimi dhe loja në role janë mënyra të tjera për të komunikuar dhe mund të mbështesin fëmijët që ndonjëherë nuk janë të gatshëm të flasin.
Ndjenjat
Çfarë kemi të re?
Gjatë kësaj periudhe, fëmija juaj fillon të mësojë se si të shprehë ndjenja të ndryshme në një mënyrë të përshtatshme. Ajo mund të gjejë gjithnjë e më shumë mënyra për të shprehur emocionet siç është përmes komunikimit/bisedës, gjesteve, ose lojës. Gjithnjë e më shumë, ajo do të jetë në gjendje të thotë se çfarë e shqetëson dhe të mos bërtas ose godas.
Gjatë kësaj periudhe, fëmijët zakonisht duan të rrethohen nga njerëz të tjerë. Ju mund të shihni fëmijën tuaj duke dashur të kënaqë miqtë e saj dhe duke dashur të jetë ashtu si ata. Miqtë imagjinar mund të jenë ende një pjesë e rëndësishme e rritjes së fëmijës suaj, edhe pse miqtë e vërtetë janë më të rëndësishmit për të. Ajo ka filluar të kalojë mirë e më mirë me të tjerët. Ju ka gjasa të shihni atë të kërkojë falje, të pranojë rregulla, të presë për rendin e saj, dhe të gëzohet kur gjërat të këndshme u ndodhin të tjerëve. Edhe pse ajo ende mund të jetë mjaft kërkuese ose e paduruar, ajo më shpesh bashkëpunon dhe dëshiron të ndihmojë të tjerët. Në të njëjtën kohë, ajo mund të shqetësohet për përvoja të reja, të tilla si fillimi i parafillorit ose loja me fëmijë të tjerë.
Dhe çfarë mund të bëni për t'i ndihmuar?
Inkurajoni fëmijën tuaj që të përfshihet në aktivitete të ndryshme të tilla si rutinat familjare, të luajë, dhe të shoqërohet me fëmijët e tjerë. Ndani gëzimin e saj. Krijoni mundësi në të cilat fëmija do të ndihet e dobishme dhe e rëndësishme - një ndihmë e vogël gjatë kryerjes së punëve shtëpiake, e përcjellur nga lavdërimi, do ta inkurajojë atë të zhvillojë vetëbesim. Shmangni kritikat dhe lavdëroni përpjekjet. Nëse nevojitet ndihmë, jepni udhëzime dhe shpjegime të qarta.
Nëse ajo i shmanget përvojave të reja ose ka frikë nga fillimi i parafillorit, i jipni kohë ta njoh dhe ta kuptoj situatën e re dhe të veproj kur ajo të jetë gati.
Të menduarit
Çfarë kemi të re?
Fëmija juaj në këtë moshë ende mëson përmes lojës për veten dhe për botën që e rrethon. Në këtë moshë fëmija juaj do ta përdorë imagjinatën e saj në vazhdimësi. Ajo ndoshta do të dojë të këndoj, të kërcej dhe të pretendoj. Ajo është në gjendje të kuptoj dallimin në mes të asaj që është e imagjinuar dhe asaj që është e vërtetë. Megjithatë, në të njëjtën kohë ajo mund të fshehë të vërtetën nga prindërit e saj nëse ajo ka bërë diçka që ajo e di se atyre nuk u pëlqen. Në lojën e saj, ajo mund të provojë role dhe sjellje të ndryshme - të tilla si një zjarrfikëse ose një shkencëtare. Gjatë kësaj periudhe ajo mund të bëhet më e vetëdijshëme për gjininë e saj dhe rolet gjinore.
Mësimi i fëmijës suaj gjithashtu përfshin të nxënit rreth trupit të saj dhe trupave të tjerë - duke përfshirë kuriozitetin rreth trupave të djemve dhe vajzave. Interesi dhe kurioziteti rreth trupit vazhdon - si të trupit të saj ashtu edhe të trupave të njerëzve të tjerë. Ju mund të gjeni një fëmijë të kësaj moshe duke shikuar organet gjenitale të saj ose organet gjenitale të fëmijëve të tjerë.
Konceptet zhvillohen me shpejtësi në këtë periudhë dhe janë themelore për edukimin e mëvonshëm. Fëmija juaj është duke i kuptuar më mirë fjalët e kundërta (për shembull, të ulët/të lartë), dhe ajo zakonisht mund të emërojë mjaft shkronja dhe numra, dhe t'i shkruajë disa prej tyre. Ajo mund të numërojë saktë objektet deri në 10. Kujtesa e saj vazhdon të zhvillohet. Ajo mbase mban në mend adresën ose numrin e telefonit. Ajo mund të dijë dallimin në mes të majtës dhe të të djathtës.
Dhe çfarë mund të bëni për t'i ndihmuar?
Në bisedat dhe rutinat e përditshme, flisni për konceptet kohore (mëngjes, mbrëmje, sot etj. dhe ditët e javës), si dhe koncepte të tjera interesante. Përdorni tregime dhe libra për fëmijë për të eksploruar koncepte të reja. Pasurojeni leximin ose rrëfimin e tregimit duke pyetur fëmijën tuaj se çfarë mendon se mund të ndodhë më pas ose të vazhdojë tregimin vetë ajo. Bëni shëtitje rreth lagjes ku jetoni për të eksploruar pamjet dhe tingujt (si për shembull zëra të ndryshme, cicërrima, tinguj të veturave, etj.) që e stimulojnë atë të mendojë. Krijoni mundësi për të përdorur shkronja dhe numra në aktivitetet e përditshme, të tilla si shkrimi i një shënimi apo simboleve për t'ju ndihmuar të mbani mend ushqimet për të blerë në treg.
Të lëvizurit
Çfarë kemi të re?
Fëmija juaj është gjithnjë e më shumë fizikisht e aftë — tani ajo mund të hidhet, të kapet, të lëkundet dhe të ngjitet, dhe të ndërtojë një kullë me disa objekte të vogla. Ajo mbase mund të kërcej dhe ndoshta edhe të kapërcejë. Për të është më e lehtë të vishet tani. Ajo është gjithashtu në gjendje të kujdeset për më shumë për nevojat e saj. Për shembull, ajo mund të ushqejë veten duke përdorur një lugë ose enë të tjera. Ajo mund të përdorë tualetin në mënyrë të pavarur, mund të laj dhëmbët e saj dhe lan veten me pak ndihmë.
Dhe çfarë mund të bëni për të ndihmuar?
Kujtojini rregullat e sigurisë dhe sigurohuni që të mbikëqyrni aktivitetet fizike sipas nevojës. Krijoni mundësi që fëmija juaj të jetë aktive në hapësira të jashtme dhe të mësojë aftësi, përmes të cilave asaj do t'i nxitet dëshira të mësojë aftësi të tjera të reja. Inkurajoni zhvillimin e aftësive motorike duke siguruar materiale të thjeshta për t'i përdorur në lojë, dhe për të vizatuar.
Për të gjetur më shumë mënyra të tjera se si ta mbështesni zhvillimin e fëmijës përmes lojës, shkoni tek sesioni Të Luajmë së Bashku.
Shqetësimet e prindërve për zhvillimin në periudhën nga muaji i 49-të deri në muajin e 60-të (4-5 vjeç)
Meqenëse secili fëmijë zhvillohet në mënyrën e vet të veçantë, është e pamundur të parashikohet saktësisht se kur ose si fëmija juaj do ta përvetësoj një aftësi të caktuar. Aftësitë (hapat zhvillimor) e pritshme dhe të përshkruara më lartë për këtë periudhë ju japin vetëm një ide të përgjithshme për ndryshimet që mund t’i prisni gjersa fëmija juaj rritet. Ju lutemi mos u shqetësoni nëse zhvillimi i saj është pak më ndryshe.
Sidoqoftë, për t’u siguruar, flisni me pediatren/in tuaj (ose mjekun familjar) nëse fëmija juaj shfaq ndonjë nga shenjat e mëposhtme të zhvillimit të vonshëm të mundshëm, nëse fëmija juaj duket se ka humbur disa nga aftësitë që kishte në një moshë më të hershme, ose nëse keni arsye të tjera për tu shqetësuar:
- Nuk mund të ecë, të vrapojë, të ngjitet, të kërcej ose të përdorë shkallët.
- Nuk mund t'i përgjigjet pyetjeve të thjeshta (Si quhesh? Si quhen prindërit e tu? Cila është përralla yte e preferuar?)
- Nuk mund të kryejë aktivitet me dy pjesë (të vendos një filxhan në tryezë (duke e mbajtur atë! ose të merr topin nën shtrat!)
- Nuk mund të kryejë rutinat e përditshme të tilla si të hajë apo të vishet.
- Duket të ketë vështirësi në mbajtjen e lapsit.
- Tregon sjellje ekstreme (të tilla si jashtëzakonisht e frikësuar, agresive, ose e trishtuar).
- Nuk flet për aktivitetet e përditshme.
- Nuk tregon interes për të bashkëvepruar me të rriturit apo fëmijët e tjerë.
Kjo është një periudhë kur mbase mund të shqetësoheni nëse ndonjë nga këto sjelljet e listuara lidhen me faktin që fëmija qëndron gjatë para ekranit. Sigurohuni t'i kufizoni kohën para ekranit në maksimum një orë në ditë, dhe sigurohuni që e shoqëroni fëmijën tuaj gjatë kohës kur qëndron para ekranit.
- https://raisingchildren.net.au/preschoolers/development/development-tracker/4-5-years
- Učenje i odrastanje: 37 do 60 mjeseci – Rast I razvoj djeteta iz mjeseca u mjesec, CEDEN – Centar porodičnih resursa za razvoj, obrazovanje I ishranu
- Dr sci Nirvana Pištoljević (2016), Rani razvoj deteta: šta treba znati, Udruženje pedijatara Srbije, Beograd.
- https://www.cdc.gov/ncbddd/actearly/pdf/checklists/Checklists-with-Tips_Reader_508.pdf