Si t'i mbroni dhëmbët nga prishja (kariesi)

Dhëmbët mbrohen nga prishja përmes kujdesit të mirë, ushqimit të duhur dhe kontrolleve të rregullta dentare. Kur shfaqet njolla e parë në dhëmbë e cila nuk mund të hiqet me pastrim të rregullt, vizitoni dentistin pediatër.
Body

Çfarë është prishja e dhëmbëve (kariesi)

Prishja e dhëmbëve mund të ndodhë shumë herët si pasojë e higjienës joadekuate orale dhe ushqyerjes së dobët. Shfaqja e hershme e prishjes në një numër të madh dhëmbësh, më së shpeshti në nofullën e sipërme, njihet si karies rrethor dhe quhet ndryshe edhe “sindroma e shishes së biberonit”. Dhëmbi fillon të prishet kur një njollë ngjitëse e quajtur pllakë formohet në sipërfaqen e tij. Në të, mikroorganizmat ushqehen me sheqerna nga ushqimi dhe krijojnë acid që gërryen dhëmbin. Në sipërfaqen e dhëmbit fillojnë të vërehen njolla kafe ose një shirit i bardhë përgjatë vijës së mishrave të dhëmbëve dhe për një periudhë të gjatë kohore shfaqet kaviteti në dhëmb. Mishrat përreth mund të jenë të kuqe dhe të ënjtura, në raste të rënda të mbuluara me flluska. Dhëmbi i tillë i inflamuar kronik mund të shkaktojë dhimbje dhe të përhapë infeksionin, të ndikojë në ushqyerje, të folurit, zhvillimin e nofullës, rritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës.

Sapo të vëreni shenjat e para të prishjes së dhëmbëve është e nevojshme fëmijën ta çoni tek dentisti për fëmijë, për ekzaminim dhe trajtim të nevojshëm. Shtyrja e vizitës mund të çojë në probleme të shumta: dhimbje dhe parehati, rrezik për prishjen e dhëmbëve tjerë, rritje të ankthit gjatë vizitës së ardhshme dentare, çrregullime në të folur, probleme ortodontie etj.

Mbrojtja e dhëmbëve nga kariesi

Për ta parandaluar prishjen e dhëmbëve, rekomandohet të zbatohen masat, si:

  • Larja e rregullt të dhëmbëve me furçë që nga momenti i daljes së dhëmbit të parë;
  • Pastrimi i dhëmbëve me garzë pambuku të lagur ose furçë të përshtatshme për moshën.
  • Dhëmbët pastrohen dy herë në ditë, mundësisht pas vaktit të mëngjesit dhe të darkës, nga mosha 2 vjeçare përdoret pastë dhëmbësh me pak fluor.

Ushqyerja adekuate

  • Siguroni që fëmija të përvetësojë zakone të shëndetshme të të ushqyerit dhe të konsumojë ushqime pa sheqer të shtuar ose me përmbajtje të ulët të sheqernave natyrale.
  • Ushqimi më i mirë në 6 muajt e parë është qumështi i gjirit, i cili vazhdon t’i jepet foshnjës me futjen graduale të ushqimeve të tjera në dietë. Më pas mund t'i jepni fëmijës pak ujë ndërmjet vakteve.
  • Mos e vendosni foshnjën në gjumë me shishe në gojë. Mësojeni se si të përdorë filxhanin për të pirë lëngje; mund të filloni që në vitin e parë, kur zotëron aftësinë e kapjes me dy duar.

Zakonet e të ushqyerit të shëndetshëm

Për të krijuar zakone të të ushqyerit të shëndetshëm tek fëmija, duhet të siguroheni:

  • që fëmija të ketë një vend të përhershëm për të ngrënë në shtëpi, të hajë pothuajse në të njëjtën kohë, të hajë ushqim që përtypet lehtë dhe qëndron në gojë për një kohë të shkurtër, që ushqimi të largohet nga tavolina pas vaktit;
  • kur ka etje, fëmijës t'i jepet ujë, në vend të pijeve të ëmbla; nëse i jepni fëmijës lëng, duhet të jetë si pjesë e vaktit;
  • ushqimet e mira për dhëmbë janë ato që nxisin përtypjen dhe pështymën, si: djathi, perimet e copëtuara - karotat, selino;
  • ta vizitoni rregullisht dentistin: një ose dy herë në vit, edhe atëherë kur të gjithë dhëmbët e fëmijës duken të shëndetshëm;
  • dhëmbë e shëndetshëm ndikojnë shumë në buzëqeshjen dhe vetëbesimin e fëmijës;

Kariesi dentar mund të parandalohet. Sigurohuni që fëmija të përvetësojë zakone të shëndetshme jetësore dhe t'i mbajë dhëmbët e shëndetshëm. Mundohuni të jeni shembull i mirë për t'u ndjekur!