Përfitimet e qumështit të gjirit dhe të gjidhënies

Ushqyerja me gji është nevoja më e vjetër biologjike që rrjedh nga një instinkt i lindur, falë të cilit ne kemi mbijetuar si specie. Është pjesë e procesit të riprodhimit, një parakusht për mbijetesë dhe shëndet, i përbashkët për të gjitha kulturat dhe civilizimet. Nuk ka zëvendësim të qumështit të gjirit dhe asnjë ushqim tjetër për fëmijë nuk mund të krahasohet me të!
Body

Përgatitja për të ushqyerit me gji

Shumë kohë para aktit të lindjes së foshnjës, trupi juaj fillon të përgatitet për ushqyerjen me gji. Gjinjtë tuaj ndryshojnë formën, bëhen më të fortë dhe më të mëdhenj, lëkura në gjinjtë tuaj bëhet më e ndjeshme ndaj prekjes. Thithkat dhe areolat marrin ngjyrë të errët; përveç kësaj, ndryshimet në gjinj shpesh janë shenja e parë e shtatzënisë. Kolostrumi (kulloshtra) fillon të prodhohet midis javës së 16 dhe 22 të shtatzënisë. Menjëherë pas lindjes, vakti i parë për foshnjën tuaj është gati në gjinjtë tuaj, megjithëse shumica e nënave nuk janë as të vetëdijshme se tashmë kanë qumësht.

Gjërat që është mirë të dihen kur merrni një vendim për të ushqyerit me gji

  • Qumështi juaj është gjithnjë në dispozicion, i sigurt higjienikisht, në temperaturë të përshtatshme, pa pagesë.
  • Në gjashtë muajt e parë të jetës, është ushqimi dhe lëngu i vetëm që i nevojiten një fëmije.
  • Qumështi juaj është i përshtatur posaçërisht sipas nevojave të fëmijës suaj dhe ndryshon nga dita në ditë, nga muaji në muaj, nga një ushqyerje me gji tek tjetra, për t'i përmbushur nevojat e fëmijës.
  • Përmes shijes së qumështit të nënës, fëmija njihet me shijen e ushqimit të ngrënë nga familja.
  • Paratë që do të duhet t'i ndani çdo muaj për të blerë formulë të gatshme të qumështit janë barrë e madhe për buxhetin tuaj familjar, prandaj mund t'i përdori ato në ndonjë mënyrë shumë më të mirë dhe më të dobishme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF-i rekomandojnë që fëmija të ushqehet me gji ekskluzivisht deri në moshën 6 muajshe, kurse të vazhdoj të ushqehet me gji deri në moshën dy vjeç por që nga muaji i 6-të të jepet edhe ushqim i ngurtë, I përshtatshëm dhe i sigurt. Në vitin 2006, OBSH-ja prezantoi standarde të reja të rritjes për fëmijët nga lindja deri në moshën 5 vjeç. Në zhvillimin e këtyre standardeve, si normë biologjike vendoset një fëmijë i ushqyer me gji, me të cilin do të krahasohen të gjithë fëmijët e tjerë. 

Përfitimet e fëmijës nga të ushqyerit me qumësht gjiri fillojnë në moshë të hershme dhe zgjasin gjithë jetën. Qumështi i gjirit e përgatit trupin për mbrojtje shëndetësore afatgjatë dhe përshtatje me mjedisin. Derisa fëmija thith, rreziku i shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme zvogëlohet si në vijim:

  • Infeksionet e zorrëve - në vendet e zhvilluara, të ushqyerit me gji e zvogëlon koston e trajtimit për infeksionet e zorrëve, ndërsa në vendet e pazhvilluara, e shpëton jetën e fëmijëve.
  • Infeksionet e rënda të frymëmarrjes – është vërtetuar se redukton shkallën e shtrimit në spital, për shkak të infeksioneve të traktit të frymëmarrjes.
  • Infeksionet e veshit të mesëm.
  • Sindroma e Vdekjes së Papritur të Foshnjave/SVPF.

Më vonë në fëmijëri, rrezikun e:

  • Alergjisë/astmës, dermatitit atopik
  • Leukemisë së fëmijëve
  • Sëmundjes celiake dhe sëmundjes inflamatore të zorrëve te fëmijët
  • Të ushqyerit me gji ndihmon në daljen e dhëmbëve në mënyrë të duhur, zhvillimin e nofullës dhe aparatit të të folurit
  • Sëmundjet kronike jongjitëse janë shkaku kryesor i vdekjeve, sëmundjeve, paaftësisë për punë dhe shpenzimeve të mëdha në vendet e zhvilluara në të gjithë botën.
  • Foshnjat që ushqehen me gji më vonë në jetë do të kenë kolesterol më të ulët dhe rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, mbipeshe dhe diabet.
  • Ushqyerja me gji dhe qumështi i gjirit janë treguar të efektshme në lehtësimin e dhimbjeve procedurale - dhimbje të shkaktuara nga procedurat diagnostike dhe të tjera, të tilla si marrja e mostrave të gjakut kapilar, dhënia e vaksinave, etj.

Ndikimi pozitiv në funksionet njohëse

  • Të ushqyerit me gji përmirëson funksionet më të larta të trurit, të tilla si të menduarit dhe kujtesa;
  • Bebet që ushqehen me gji performojnë më mirë në testet e inteligjencës.
  • Këto efekte janë veçanërisht të rëndësishme për fëmijët në rrezik, siç janë foshnjat e lindura para kohe dhe ato me peshë të ulët.
  • Përmirësimi i funksioneve njohëse lidhet drejtpërdrejt me kohëzgjatjen e të ushqyerit me gji.

Përfitimet e të ushqyerit me gji për nënën

  • Përveç aspektit të shtatzënisë, të ushqyerit me gji e zvogëlon rrezikun e kancerit të gjirit dhe vezoreve para menopauzës, si dhe diabetit të tipit 2.
  • Mineralizimi i kockave është më i mirë dhe rreziku i frakturave të kofshës zvogëlohet në një moshë më të vonshme.
  • Konsumi më i lartë i kalorive dhe yndyrës kontribuon në një kthim më të lehtë të peshës para shtatzënisë.

Efekti kontraceptiv: Të ushqyerit me gji e vonon rikthimin e ciklit menstrual, ovulimin dhe kështu mundësinë e konceptimit (ngjizjes). Megjithatë, ky efekt është i kufizuar dhe varet nga disa faktorë. Mos u mbështetni në mbrojtjen nga shtatzënia e padëshiruar gjatë gjidhënies; ovulimi mund të ndodhë pa menstruacione. Pyeteni gjinekologun se cila metodë kontraceptive është më e mira gjatë periudhës së gjidhënies. Intervali midis dy shtatzënësive duhet të jetë së paku dy vjet, veçanërisht nëse lindja ka përfunduar me prerje cezariane.

Sa më gjatë të ushqeni me gji, aq më mirë! Për fëmijën: është më mirë kur fillon të ushqehet me gji që nga dita e parë dhe kur fëmija ushqehet ekskluzivisht vetëm me gji; efektet pozitive manifestohen pas një periudhe tre mujore të ushqyerjes vetëm me gji, kurse këto efekte pozitive rriten nëse vazhdohet të ushqehet me gji edhe më gjatë. Për nënën: shtohen efektet e muajve të ushqyerjes me gji të secilit fëmijë!

TË USHQYERIT ME GJI është shumë më tepër sesa thjesht ngrënia. Gjatë të ushqyerit me gji, krijohet një lidhje e fortë midis nënës dhe foshnjës dhe nevoja e foshnjës për dashuri, ngrohtësi dhe siguri plotësohet në një mënyrë unike. TË USHQYERIT ME GJI ËSHTË EDHE USHQIM PËR SHPIRTIN!