Përfshirja e ushqimeve të ngurta: pse, kur, çfarë dhe si?

Filloni të përfshini ushqime të ngurta kur fëmija juaj jep shenja të gatishmërisë. Kjo ndodhë rreth moshës gjashtë muajshe, por jo para moshës katër muajshe. Ushqimet e para mund të jenë në formë pure, të grira ose në copa të buta. Prezantoni fëmijës suaj ushqime të ndryshme sipas çfarëdo rendi, për sa kohë që përfshini ushqime të pasura me hekur. Ekzistojnë disa ushqime që duhen shmangur. Vazhdoni ta ushqeni me qumësht gjiri deri 24 muaj dhe më tej, kurse nëse përdorni formula për foshnjat derisa fëmija juaj të mbushë 12 muaj. Nga koha kur i mbush rreth gjashtë muaj, të gjitha foshnjat duhet të hanë ushqime që mund të shkaktojnë alergji.
Body

Përfshirja e ushqimeve të ngurta: pse foshnjat kanë nevojë për to?

Derisa foshnjat rriten, ato fillojnë të kenë nevojë për ushqime të ngurta në mënyrë që të marrin mjaftueshëm hekur dhe lëndë ushqyese të tjera thelbësore për rritje dhe zhvillim.

Për gjashtë muajt e parë të jetës, foshnjat përdorin hekurin e depozituar në trupin e tyre që kur kanë qenë në mitër. Ata/ato gjithashtu marrin më pak hekur nga qumështi i gjirit dhe/ose formula për foshnjat. Por rezervat e hekurit të foshnjave ulen përderisa foshnjat rriten. Dhe rreth moshës gjashtë muajshe, foshnjat nuk mund të marrin hekurin që u nevojitet vetëm nga qumështi i gjirit ose formula për foshnjat.

Përfshirja e ushqimeve të ngurta është gjithashtu e rëndësishëm për të ndihmuar foshnjat të mësojnë të hanë, duke u dhënë atyre përvojë të shijeve dhe teksturave të reja nga një sërë ushqimesh. Këto ushqime u zhvillojnë dhëmbët dhe nofullat e tyre dhe ndërtojnë aftësi të tjera që do t'u duhen më vonë për zhvillimin e gjuhës.

Cilat janë shenjat që tregojnë se është koha për të përfshirë ushqime të ngurta?

Zhvillimi dhe sjellja individuale e foshnjës suaj do t'ju orientojë kur jeni duke u përpjekur të përcaktoni se kur të filloni të njoftoni fëmijën me ushqime të ngurta.

Shenjat që tregojnë se foshnja juaj është gati për ushqime të ngurta përfshijnë periudhën kur foshnja juaj:

  • ka kontroll të mirë të kokës dhe qafës dhe mund të ulet drejtë vet apo duke e mbajtur dikush;
  • tregon interes për ushqimin – për shembull, sheh me interes se çfarë ka në pjatën tuaj;
  • zgjatet tek ushqimi juaj;
  • hap gojën e tij\ saj kur u ofroni ushqim në lugë.

Shumica e foshnjave fillojnë t'i shfaqin këto shenja rreth moshës gjashtë muajshe, por shenjat ndodhin në kohë të ndryshme për foshnja të ndryshme.

Nuk rekomandohet përfshirja e ushqimeve të ngurta para se foshnjat t'i mbushin gashtë muaj.

Nëse foshnja juaj është gati për t'i mbushur shtatë muaj dhe ende nuk ka filluar njoftimin me ushqime të ngurta, kërkoni këshilla nga infermierja e shëndetit të fëmijës dhe familjes ose nga mjeku i përgjithshëm për këtë proces.

Planifikimi i kohës së duhur kur të përfshini ushqime të ngurta

Kur përfshini për herë të parë ushqime të ngurta, është ide e mirë të ofroni ushqime të ngurta kur ju dhe foshnja juaj jeni, të dy jeni të lumtur dhe të relaksuar.

Foshnja juaj ka më shumë gjasa të provojë ushqime të ngurta pas ushqyerjes me qumësht gjiri ose formulë. Kjo është për shkak se kur foshnjat janë vërtet të uritur, ata/ato thjesht duan qumështin e gjirit ose formulën që ata e dinë se ua plotëson urinë. Ata/ato do të kenë ende hapësirë ​​në bark për ushqime të reja pasi të jenë ushqyer me qumësht gjiri ose formulë.

Me kalimin e kohës, do të mësoni kur foshnja juaj është i/e uritur ose i/e ngopur, nuk është i/e interesuar apo i/e lodhur.

Shenjat e urisë te foshnja juaj janë, kur:

  • emocionohet kur ju sheh duke u bërë gati ushqimin e tyre;
  • përkulet drejt jush ndërsa ata janë ulur në karrigen e lartë;
  • hapin gojën e tyre ndërsa jeni gati t'i ushqeni.

Shenjat që foshnja juaj nuk është më e interesuar përfshijnë:

  • kthen kokën anash;
  • humb interesimin ose shpërqendrohet;
  • e shtynë lugën;
  • e mbyllë gojën.

Kur përfshini ushqimet e ngurta, sa ushqim duhet t'i jepni foshnjës tuaj?

Provoni 1-2 lugë çaji ushqim për fillim dhe rriteni sasinë sipas oreksit të foshnjës suaj. Në muajin e 12-të, foshnja juaj duhet të hajë rreth tre vakte në ditë dhe dy messhujta, plus qumështin e gjirit ose formulën e foshnjës.

Tekstura e ushqimit gjatë përfshirjes së ushqimeve të ngurta

Kur foshnja juaj është gati për ushqime të ngurta, ushqimet e para mund të jenë në formë të pures, të shtypura ose në copa të buta, në varësi të asaj që i pëlqen foshnjës. Foshnja juaj mund të kalojë shpejt në ushqime të grira dhe më pas ushqime të copëtuara.

Foshnja juaj ka nevojë për një shumëllojshmëri teksturash ushqimore. Kjo e ndihmon foshnjën tuaj të mësojë se si të përtypë dhe përtypja ndihmon në zhvillimin e të folurit. Ndihmon gjithashtu në inkurajimin e vetëushqyerjes dhe parandalimin e vështirësive të të ushqyerit ndërsa foshnja juaj zhvillohet.

Në kohën kur foshnja juaj mbushë 12 muaj, ai/ajo duhet të hajë të njëjtat ushqime që ha pjesa tjetër e familjes. Por mund t'ju duhet ende t’i copëtoni disa ushqime në copa më të vogla dhe t’i zieni perimet derisa të zbuten.

Për të parandaluar ngufatjen, gjithmonë mbikëqyrni foshnjat dhe fëmijët e vegjël ndërsa ata hanë ushqim të ngurtë. Tregoni kujdes të veçantë me ushqimet e forta si frutat arrore dhe mishin me kocka të vogla, sepse këto paraqesin rrezik për ngufatje. Dhe nëse foshnja juaj mund të lëvizë përreth, sigurohuni që fëmija të jetë ulur ndërsa është duke ngrënë. Nëse uleni me foshnjën tuaj ndërsa ai/ajo është duke ngrënë, fëmija ka më pak gjasa të lëvizë përreth.

Llojet e ushqimit me rastin e përfshirjes së ushqimeve të ngurta

Të gjitha ushqimet e reja janë emocionuese për foshnjën tuaj – nuk ka nevojë të gatuani ushqime 'të veçanta'.

Ju gjithashtu mund të futni ushqime të ngurta në çfarëdo mënyre, për sa kohë që përfshini ushqime të pasura me hekur dhe ushqimi është me teksturë të duhur.

Ushqimet e pasura me hekur përfshijnë:

  • drithëra e fortifikuara me hekur për foshnja;
  • mish i grirë, mish i shpezëve dhe peshk;
  • tofu dhe bishtajore të gatuar;
  • vezë e zier shume apo vezë e fërguar mirë në pure (mos i jepni vezë të papërpunuara ose të lëngshme).

Në këto ushqime të pasura me hekur, ju mund të shtoni ushqime të tjera të shëndetshme si:

  • perime – për shembull, patate, karota ose perime jeshile të ziera si brokoli;
  • fruta – për shembull, banane, mollë, pjepër ose avokado;
  • drithëra - për shembull, tërshërë, bukë, oriz dhe makarona;
  • ushqime qumështi - për shembull, kos dhe djathë me yndyrë të plotë.

Ju mund t'i përzieni ushqimet e para së bashku - nuk ka nevojë të futni një ushqim të vetëm në një kohë. Dhe nëse i ofroni foshnjës suaj një shumëllojshmëri ushqimesh, foshnja mund të provojë shumë shije të reja dhe gjithashtu të marrë një sërë lëndësh ushqyese.

Këshillat tona për futjen e ushqimeve të ngurta shpjegojnë se si ta bëni foshnjën tuaj të interesuar për ushqime të reja dhe si të menaxhoni rrëmujën dhe lojën gjatë vaktit të ushqimit.

Qumështi i gjirit dhe formula për foshnja duke përfshirë edhe në ushqimet e ngurta

Vazhdoni të ushqeni me gji deri në 24 muaj apo dhe me tutje ose të përdorni formulën e foshnjave deri 12 muaj, edhe pasi te keni filluar me ushqimet e ngurta te fëmija juaj.

Nëse nuk jeni të sigurt nëse foshnja juaj po merr sasinë e duhur të qumështit pasi të fillojë të ushqehet me ushqime të ngurta, sjellja e foshnjës do t'ju tregojë.

Për shembull, nëse foshnja juaj ka ngrënë mjaftueshëm ushqime të ngurta dhe nuk po mbaron ose refuzon qumështin, ai/ajo mund të jetë gati për ushqime më të rralla, por më të mëdha me qumësht çdo ditë. Nëse foshnja juaj nuk është e interesuar për ushqime të ngurta, ai/ajo mund të jetë shumë i/e ngopur nga racionet me qumësht. Kjo do të thotë se mund të jetë koha për të reduktuar ushqimet me qumësht.

Deri në moshën nëntë muajsh, foshnjat do të kenë zhvilluar përgjithësisht mjaftueshëm aftësitë e përtypjes dhe gëlltitjes për të kaluar nga pirja e qumështit në ushqime të ngurta.

Ushqimet e ngurta nuk zëvendësojnë ushqyerjen me gji ose formulën e foshnjave. Nëse mendoni që t'i përfshini shpejtë të gjitha vaktet e ushqimit të ngurtë, duke menduar të zëvendësoni qumështin e gjirit dhe/ose formulën te foshnja, atëherë është e rëndësishme ta dini që me mos thithje të qumështit të gjirit në sasi të duhur mund të humbasin lëndë ushqyese të nevojshme per zhvillimin e foshnjave.

Përfshirja e pirjes së ujit

Pasi fëmija juaj të ketë mbushur gjashtë muaj, mund të filloni t'i ofroni foshnjës në një gotë te vogël ujë të vluar, të freskët, gjatë vakteve të ushqyerjes ose gjatë ditës. Përfshirja e ujit realizohet në këtë mënyre që foshnja juaj të mund të ushtrojë të pijë nga gota, por në këtë moshë foshnja ende nuk ka nevojë për lëngje të tjera përveç qumështit të gjirit ose formulave. Pasi foshnja juaj të ketë mbushur 12 muaj, ju mund t'i ofroni ujë të freskët të rubinetit pa e vluar. 

Ushqimet dhe pijet që duhen shmangur gjatë përfshirjes së ushqimeve të ngurta

Ekzistojnë disa ushqime që duhen shmangur derisa foshnja juaj të arrijë një moshë të caktuar:

  • mjaltë deri në 12 muaj - ndalohet për të shmangur rrezikun e botulizmit tek foshnjat;
  • vezë të papërpunuara ose të lëngshme dhe ushqime që përmbajnë vezë të papërpunuara si majoneza e bërë në shtëpi deri në moshën 12 muajsh – bakteret në vezët e papërpunuara mund të jenë të dëmshme për foshnjat;
  • qumësht me pak yndyrë deri në dy vjet;
  • fruta arrore të plota dhe ushqime të ngjashme të forta deri në tre vjet - këto paraqesin rrezik për ngufatje.

Ka disa pije që duhen shmangur derisa foshnja juaj të arrijë një moshë të caktuar:

  • qumësht lope i pasterizuar me yndyrë të plotë si pije kryesore deri në 12 muaj;
  • qumësht soje, qumësht dhie dhe qumësht dele deri në dy vjet (mund të jepni produkte të fortifikuara të sojës para dy vjeç);
  • qumësht orizi, qumësht tërshëre, qumësht bajameve ose qumësht kokosi deri në dy vjeç, përveç nëse jeni konsultuar me mjekun tuaj të përgjithshëm ose infermieren e shëndetit të fëmijës dhe familjes;
  • qumësht i papasterizuar i të gjitha llojeve, çaj, kafe ose pije të ëmbla me sheqer në të gjitha moshat;
  • lëng frutash - kjo duhet të jetë e kufizuar në të gjitha moshat (fruti i plotë, jo i shtrydhur ka lëndët ushqyese që i nevojiten foshnjës).

Foshnja juaj nuk ka nevojë për kripë apo sheqer të shtuar së paku deri në moshën 12 muaj. Ushqimet e përpunuara ose të paketuara me nivele të larta yndyre, sheqer dhe/ose kripë nuk janë të mira për foshnjat dhe fëmijët. Këto ushqime përfshijnë ëmbëlsira, biskota, patatina dhe ushqime të skuqura.

Alergjitë ushqimore dhe përfshirja e ushqimeve të ngurta

Futja e ushqimeve alergjike qysh në fillim mund të zvogëlojë rrezikun që fëmija juaj të zhvillojë alergji ushqimore në të ardhmen.

Të gjithë foshnjat, duke përfshirë foshnjat me rrezik të lartë alergjie, duhet të provojnë ushqime të ngurta që shkaktojnë alergji që nga mosha gjashtë muajshe. Këto ushqime përfshijnë vezën e pjekur mirë, gjalpin e kikirikut, grurin (nga buka me bazë gruri, drithërat dhe makaronat) dhe qumështin e lopës (si përbërës shtesë i gatimeve per ushqimet e fëmijës).

Është ide e mirë të merrni këshilla nga mjeku juaj i përgjithshëm, infermierja e shëndetit të fëmijëve dhe familjes, dietologu, pediatri ose specialisti i alergjisë dhe imunologjisë nëse:

  • foshnja juaj tashmë ka një alergji ushqimore;
  • familja juaj ka histori të alergjive ushqimore dhe ju jeni të shqetësuar për fillimin e ushqimeve të ngurta;
  • jeni të shqetësuar për reagimet ndaj ushqimeve.

Foshnjat me ekzemë të rëndë ose që kanë prindër me alergji ushqimore kanë më shumë gjasa të zhvillojnë alergji ushqimore. Por shumica e fëmijëve me alergji ushqimore nuk kanë prindër me alergji ushqimore.