Ri-vendosja e ushqyerjes me gji - rilaktacioni
Rilaktacioni mund të jetë i nevojshëm nëse foshnja juaj ka qenë e sëmurë dhe nuk ka mundur të thithë; nëse nuk e keni shtrydhur (pompuar/ mjelur) qumështin gjatë kohës që jeni ndarë nga foshnja; nëse ju nuk e keni ushqyer me gji në fillim, por tani dëshironi ta ushqeni; nëse keni qenë të sëmura dhe keni ndërprerë gjidhëdhien sepse keni përdorur disa ilaçe. Ka ndodhur që, edhe një nënë adoptuese ka arritur të prodhojë qumësht, nëse ajo më parë ka ushqyer me gji fëmijët e saj biologjikë.
Ashtu si me ushqyerjen me gji, motivimi dhe këmbëngulja e nënës janë vendimtare për rilaktacionin. Për ta arritur këtë nevojitet të jesh afër fëmijës, ta përqafosh, të luash me të, jo vetëm gjatë ushqyerjes, por kurdo që fëmija është zgjuar.
Koha që nevojitet për të rivendosur laktacionin është individuale dhe varet nga mosha e foshnjës dhe nga koha që ka kaluar që kur keni ndaluar gjidhënien. Kjo periudhë mund të zgjasë 2 javë, por edhe një muaj.
Procedura
- Sigurohuni që ju dhe foshnja juaj të jeni në një pozicion të rehatshëm kur ushqeni me gji.
- Mundohuni të hani rregullisht; pini një gotë ujë para çdo vakti gjidhënieje.
- Vendoseni fëmijën në gji 10-12 herë në ditë.
- Kontrolloni se si e kap foshnja gjirin.
- Gjidhëniet gjatë natës janë të domosdoshme; një foshnje e përgjumur thith më lehtë.
- Jepni formulën për foshnja me anë të një luge çaji, shiringe, filxhani ose sistem rilaktimi.
- Kur ju ndjeni se gjinjtë janë të mbushur me qumësht para se të ushqeni me gji dhe bosh pas ushqyerjes me gji; nëse foshnja thith në mënyrë aktive; kur ju mund ta ndjeni atë duke tërhequr qumështin; kur ndjeni gëlltitjet dhe vëreni sasi më të mëdha urinimi, atëherë gradualisht pakësoni sasinë e formulës me 10-30 ml në ditë.
- Foshnja duhet të peshohet rregullisht. Fitimi gradual i peshës është elementi kryesor për të parë nëse foshnja po pi sasi të mjaftueshme të qumeshtit të gjirit gjate procesit të ri-laktacionit.
- Regjistroni numrin e të dalave jashtë dhe numrin e pelenave të lagura në ditë.
- Shtoni marrjen e lëngjeve dhe vlerën kalorike të ushqimit tuaj.
- Siguroni mbështetjen familjare, që të keni kohë të mjaftueshme për rilaktacion.
Sistemi i rilaktimit mund të blihet në farmaci ose të improvizohet në shtëpi me anë të një sistemi infuzioni për foshnja. Nëse ushqimi me qumësht formulë është dominant dhe ushqyerja me gji ndodh sporadikisht, atëherë mënyra ideale për të rivendosur laktacionin, që kërkon stimulim të rregullt të gjirit, është nëpërmjet përdorimit të një sistemi rilaktimi.
Ashtu si me ushqyerjen me gji, motivimi dhe këmbëngulja e nënës janë vendimtare për rilaktacionin. Nevojitet të jesh afër fëmijës, ta përqafosh, të luash, jo vetëm gjatë ushqyerjes, por kurdo që fëmija është zgjuar. Rilaktacioni do të jetë më i lehtë nëse fëmija është shumë i vogël (nën dy muaj) dhe nuk është mësuar me ushqimin me shishe, ose nëse nëna ka ndaluar së fundmi dhënien e gjirit.